TAGS-AT E JAVËS

Forum13 Gusht 2024, 19:24

Për të forcuar sundimin e tyre autoritar, liderët ballkanikë i mbajnë qytetarët të mbërthyer tek traumat e viteve ‘90

Shkruar nga Pamfleti

Për të forcuar sundimin e tyre autoritar, liderët ballkanikë

Dubravka Stojanović, një historiane e njohur beogradase, e cila flet për të gjitha shoqëritë post-jugosllave, ka shumë vite që punon për demokracinë në Ballkan, për kujtesën dhe kundër manipulimit me të. Së fundmi, ajo po zbaton një projekt të rëndësishëm së bashku me shkrimtarin dhe akademikun boshnjak Igor Štiks dhe drejtorin e qendrës kulturore Grad në Beograd, Dejan Ubović.

Për të forcuar sundimin e tyre autoritar, liderët ballkanikë
Dubravka Stojanović /

Fjala është për ndërtimin e një qendre rajonale të pajtimit dhe muzeut të përhershëm të viteve 1990, që do të hapet së shpejti në kryeqytetin serb. Si fazë e ndërmjetme, ka qenë ekspozita shëtitëse “Lavirint 90-ih”  (Labirinti i viteve '90). E hapur aktualisht për publikun deri më 15 shtator në Sarajevë në ndërtesën e Muzeut Historik të Bosnjë Hercegovinës, ekspozita u çel për erë të parë vitin e kaluar në Beograd. Më pas, do të zhvendoset në Mal të Zi dhe Kroaci.

Ju keni krijuar një rrjet të dendur aktivistësh, ekspertësh, artistësh dhe OJQ-sh nga vendet post-jugosllave dhe keni mbledhur shumë dokumente, audio, video dhe objekte të asaj dekade, nga e cila lindi edhe ekspozita. Pse duhet të fokusohemi ende tek vitet ‘90? Sidomos në Bosnje Hercegovinë, kujtimi i asaj periudhe duket disi i tepruar, sepse kujtimi i luftës dhe i rrethimeve është kudo...

Problemi nuk është kujtesa si koncept, por cila kujtesë. Elitat tona politike, ekonomike dhe sociale, që nuk janë shumë të ndryshme nga ato të asaj kohe, vazhdojnë që të përfitojnë nga ai konflikt dhe sot qeverisin falë frikës së njerëzve, urrejtjes reciproke, duke i manipuluar të gjitha këto emocione komplekse por edhe vetë kujtesën historike.

Për të forcuar sundimin e tyre autoritar, ata i mbajnë njerëzit të mbërthyer tek ajo traumë. Dhe humbjet traumatike, sikurse e thekson historiania gjermane Aleida Assmann, janë lloji më i tmerrshëm i disfatës dhe i dhimbjes. Por në vitet e tmerrshme ’90, nuk kishte vetëm luftë dhe armiq. Me punën dhe ekspozitën tonë, ne duam që ta “hapim” të shkuarën, të tregojmë se janë të mundshme zgjidhjet, dhe që ne mund të dalim nga ky labirint, që jo rastësisht i jep titullin ekspozitës dhe që kemi krijuar.

Në fakt, ekspozita i trajton ato vite ndryshe nga rrëfimet e zakonshme. Në Sarajevën e rrethuar kishte pacifistë, feministe, satirë, artistë, mbishkrime dhe shumë gjëra të tjera, përfshirë jetën e përditshme të njerëzve. A synoni të përçoni mesazhin se rezistenca në format e saj të ndryshme, është gjithnjë e mundur?

Po, ne nuk duam të japim zgjidhje, por të propozojmë një qasje të ndryshme, t’i nxisim të gjithë të reflektojnë. Dhe ishte interesante që në hapjen e ekspozitës, dikush më tha i habitur “Po kjo ekspozitë s’ka të bëjë me luftën!”. Unë u them, sigurisht që po:ka mizori, ka Srebrenicë, ka përdhunime etnike, të gjitha llojet e krimeve. Por jo vetëm kaq.

Ne donim të tregonim se ka pasur gjithmonë njerëz që kanë luftuar për humanizmin, që kanë rezistuar në mënyra të ndryshme. Ka pasur heronj, dhe ne i kemi kushtuar një stendë të tërë heronjve tanë, atyre njerëzve që luftuan dhe vdiqën shpeshherë për të ndihmuar të tjerët. Pra, le të flasim për këta shembuj të mirë, se si mund të mbetemi njerëz, dhe si mund ta bëjmë këtë gjë edhe sot.

Ju thoni se manipulimi i historisë së atyre viteve është i zakonshëm nga elitat politike të vendeve post-jugosllave. A nuk shihni shumë dallime mes tyre?

Interpretimet e ngjarjeve të viteve 1990 në vende të ndryshme janë krejtësisht të ndryshme, duke filluar nga datat në të cilat filloi lufta. Ose kush e nisi atë. Vetë përkufizimi i luftës është i ndryshëm:luftë civile, agresion, luftë për pavarësi.

Por e përbashkëta është se të gjithë pretendojnë se kanë qenë viktima më e madhe, përfshirë edhe Serbinë, veçanërisht me qeverinë aktuale të Aleksandër Vučić, e cila kujton vetëm humbjen e Kosovës dhe operacionin Oluja (Stuhia) në Kroaci në vitin 1995 që çoi në dëbimin e qindra mijëra serbëve.

Gjithçka tjetër, pushtimi serb i Kroacisë, spastrimi etnik në Bosnje, mizoritë në Kosovë, të gjitha këto nuk kanë ekzistuar kurrë për Beogradin. Kroacia i përkujton ato luftëra, sepse falë tyre u bë e pavarur dhe evropiane, dhe u shkëput përfundimisht nga Ballkani.

Dhe Bosnje Hercegovina e konsideron veten si viktima më e madhe, sepse kjo ishte e vërtetë. Këto interpretime janë krejtësisht të ndryshme nga njëra-tjetra, përveç të njëjtit nacionalizëm ende të pranishëm në të gjitha këto shtete, ku narrativa e viktimës është tërësisht e manipuluar nga politika.

Edhe jugo-nostalgjia, nostalgjia apo edhe keqardhja për të kaluarën e përbashkët jugosllave, nuk është e njëjtë në vende të ndryshme. Çfarë dallimesh vini re sot?

Në Bosnje ekziston një nostalgji e madhe për Jugosllavinë, dhe kjo është plotësisht e kuptueshme, pasi Jugosllavia ishte zgjidhja më e mirë për këtë vend të përzier etnikisht. Federata ishte një strukturë, në të cilën Bosnja ishte në qendër. Ndërkohë sot me të gjitha konfliktet midis grupeve etnike, Bosnje Hercegovina është një shtet jofunksional.

Në Kroaci ka një propagandë të madhe anti-jugosllave. Kroatët janë krejtësisht të lirë nga nostalgjia, dhe nuk është rastësi që ekspozita nuk ka gjasa të hapet në Zagreb, edhe pse mund ta hapim në zonën bregdetare. Ndërsa në Slloveni ka shumë nostalgji, dhe kjo është interesante sepse Sllovenia ishte e para nga të gjitha republikat, ajo kishte gjithçka.

U bë shteti i parë ish-jugosllav që hyri në BE, por më pas sllovenët e kuptuan se në Jugosllavi ishin shteti më i modernizuar, më i përparuar, ndërsa në BE nuk janë asgjë. Nuk e kam fjalën për shtetin e Sllovenisë, por për sllovenët si popull, të cilët shpesh dhe në një numër gjithnjë e më të madh po vijnë në Beograd.

Edhe Maqedonia e Veriut është shumë nostalgjike për të shkuarën, pasi ndodhet në një pozicion të tmerrshëm mes Greqisë, Bullgarisë, Serbisë dhe Shqipërisë. Dhe në Malin e Zi nuk ka pasur kurrë urrejtje për Jugosllavinë dhe nuk ka as shumë nostalgji, ata janë më të relaksuar.

Në Serbi, situata është shumë më e ndërlikuar, sepse për shumë serbë Jugosllavia ishte në fakt e barabartë me Serbinë e Madhe, serbët jetonin në të gjithë vendin dhe mendonin se Jugosllavia ishte një shtet serb, ata nuk mendonin realisht për federalizmin, ata dominonin.

Ekspozita juaj, si muzeu i ardhshëm dhe qendra e pajtimit, synon të propozojë një alternativë ndaj nacionalizmave që e dominojnë ende rajonin. Nëse në nivel politik nuk është e zakonshme të gjesh një vizion të tillë, a nuk mendoni se në botën e kulturës kjo është të paktën pjesërisht e pranishme?

Po, sot ka një brez të ri regjisorësh, shkrimtarësh, skenaristësh të kinemasë dhe teatrit, sidomos në Bosnje Hercegovinë, të cilët kanë një vizion krejtësisht të ndryshëm nga ai dominues në përballjen me dhimbjen e viteve '90. Për shembull poetë si boshnjaku Marko Tomaš apo regjisori kroat Nebojša Slijepčević që kohët e fundit garoi në Festivalin e Kanës me filmin “Njeriu që nuk mund të heshtte”, ku fitoi Palmën e Artë për kategorinë e filmit të shkurtër.

Ai rrëfen historinë e Tomo Buzov, kroatit që në vitin 1993 u vra në një përpjekje të kotë për të parandaluar vrasjen e 24 boshnjakëve myslimanë nga paramilitarët serbë. Buzov është gjithashtu një nga heronjtë e paraqitur në ekspozitën tonë. Vizioni ynë është i njëjtë./Përshtati Pamfleti nga “Balcani Caucaso”

sundimi autoritar vendet e ballkanit lederët e ballkanit

Lini një Përgjigje