Çdo sugjerim se elita ruse, përfshirë figura si Deripaska, po lëkunden në mbështetjen e tyre ndaj Putinit, duhet parë me një skepticizëm të madh...
Pak më shumë se një vit më parë, Yevgeny Prigozhin nisi marshimin e tij të dështuar drejt Moskës. Teksa e gjithë bota po e ndiqte me habi lëvizjen e tij, shumë njerëz e donin paradoksalisht suksesin e tij. Megjithatë, fundi i papritur i rebelimit ndaj pushtetit rus, shërbeu si një kujtesë e fortë se gjërat në Rusi janë rrallë ashtu siç duken.
Pra duhet të jesh i kujdesshëm, që të mos u besosh më shumë se sa duhet makinacioneve të aktorëve rusë. Deklarata e kohëve të fundit për mediat japoneze e Oleg Deripaskës, një oligark i fuqishëm dhe pjesë e rrethit të brendshëm të Kremlinit, se lufta në Ukrainë nuk do të ketë fitues, ndaj ajo duhet të marrë fund, do të nxisë pa asnjë dyshim shumë reagime dhe komente.
Shumëkush do të spekulojë me siguri mbi përçarjet e mundshme brenda Kremlinit, dhe për një ndryshim të qasjes nga elitat ruse. Megjithatë, është më e rëndësishme se kurrë më parë që të shkojmë përtej titujve mediatikë. Në rastin konkret, një lexim nga i vëmendshëm i komenteve të plota të Deripaskës, na zbulon një histori tjetër.
Pasuria dhe ndikimi i madh i tij në sferën politike dhe ekonomike të Rusisë, është i vështirë për t’u anashkaluar. Ngritja e tij në botën e biznesit, u përforcua ndjeshëm nga aksionet që mori në industrinë e aluminit, si pronar i kompanisë Rusal, një prej prodhuesve më të mëdhenj të aluminit në botë.
Ndërkohë, miqësia e tij me Kremlinin dhe marrëdhënia e ngushtë me presidentin rus Vladimir Putin, i kanë lehtësuar operacionet dhe zgjerimin e bizneseve të tij, duke i ofruar një levë të madhe ndikimi, si dhe një mbrojtje të konsiderueshme në nivele të ndryshme të qeverisjes.
Ky përafrim me interesat e Putinit, e ka vendosur në qendër edhe të sanksione të rëndësishme ndërkombëtare, veçanërisht nga SHBA dhe Bashkimi Evropian. Duke pasur parasysh këtë, është thelbësore të mbahet parasysh tërësia e gjerave që Deripaska u tha gazetarëve japonezë në intervistën e tij.
Ai deklaroi se ndërsa sanksionet perëndimore kanë qenë të dhimbshme, ato nuk do të çojnë në një ndryshim politikash nga ana e qeverisë ruse, dhe se bizneset ruse kanë rezistuar dhe duhet
të gjejnë partnerë të rinj. Dhe këto nuk janë fjalët e dikujt që synon të distancohet nga Kremlini. Në intervistën në fjalë nuk ka asnjë kritikë ndaj Putinit apo luftës. Përkundrazi, ka një qasje të riformuluar të Kremlinit:sanksionet perëndimore po e dëmtojnë popullin rus, ndaj Rusia duhet të vazhdojë të kërkojë ndikim diku tjetër, veçanërisht në rajonet e njohura si Jugu Global.
Për më tepër, është e rëndësishme të bëjmë një paralelizëm me “dhomën jehonë” që po krijohet nga dy anët e perceptuara të barrikadave politike ruse. Figura të opozitës ruse, të liruar së fundmi nga burgu, e kthyen fokusin e tyre në lehtësimin e sanksioneve dhe negociatave me Putinin, duke bërë deklarata të tilla në konferencën e tyre të parë për shtyp pas shkëmbimit të të burgosurve midis SHBA-së dhe Rusisë.
Madje disa prej tyre refuzuan të ofronin mbështetje qoftë edhe verbale për ushtrinë e Ukrainës. Ofensiva e vazhdueshme ukrainase në rajonin e Kurskut, përbën një shqetësim të madh për udhëheqjen ruse. Ndërsa Kremlini nuk merakoset shumë për ata që luftojnë në front, kufiri Ukrainë-Rusi është shumë më pak i mbrojtur sesa vijat e frontit brenda Ukrainës.
Një ofensivë e qëndrueshme dhe në shkallë të gjerë në këtë rajon, mund të ketë pasoja të rënda. Ndërsa Kremlini arriti ta merrte veten nga rebelimi i Prigozhin, është e dyshimtë nëse do t’i mbijetonte një marshimi në Moskë të udhëhequr nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Nuk është ndonjë sekret fakti që furnizimi me armë konvencionale, është shndërruar në një problem serioz për Rusinë. Pa këtë mungesë, ne nuk do të ishim dëshmitarë të vizitave poshtëruese të Putinit në Korenë e Veriut. Bindja e përhapur gjerësisht se ishte Irani, ai që e shpëtoi Rusinë në Ukrainë përmes ofrimit të dronëve dhe armëve të tjera, nuk mund ta ndihmojë, përkundrazi e dëmton prestigjin e Rusisë brenda dhe jashtë vendit.
Loja e gjatë e Kremlinit, duke shpresuar për një fitore të Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit, teksa nxit një luftë në shkallë të gjerë në Lindjen e Mesme, mund të mos jetë aq e dobishme për Rusinë sa shpresonte ajo në fillim. Në këto kushte, duhet zbatuar një Plan B.
Ai përfshin shfaqjen e dëshirës së Kremlinit për të negociuar, edhe nëse kjo vjen nga burime jozyrtare, si dhe kultivimin e gatishmërisë tek opozita ruse për t’i mbështetur këto plane. Por e gjitha kjo ndodh nën vetëdijen e qartë se Kremlini mbetet i palëkundur në planin e tij origjinal: të pushtojë tokat ukrainase dhe të nënshtrojë miliona ukrainas që jetojnë në to.
Ndërsa Putini mund të angazhohet një sërë negociatash farsë, ne duhet të mbetemi të vetëdijshëm se ai nuk mund të përballojë asgjë më pak se sa një rezultat që mund të konsiderohet si një fitore në Ukrainë. Ata që bëjnë thirrje për lehtësimin e sanksioneve, negociata apo për reduktimin e mbështetjes për fitoren ushtarake të Ukrainës, po shpërfillin veprimet e paligjshme të Rusisë dhe sulmet e vazhdueshme e të përditshme ndaj civilëve në Ukrainë.
Ndërsa lufta vazhdon, është thelbësore të ruhet një kuptim i qartë i taktikave të Rusisë. Çdo sugjerim se elita ruse, përfshirë figura si Deripaska, po lëkunden në mbështetjen e tyre ndaj Putinit, duhet parë me një skepticizëm të madh.
Fjalët e tyre, të hartuara me kujdes për t’i shërbyer interesave të Kremlinit, nuk janë shenjë e një opozite të vërtetë, por një strategji tjetër në lojën e gjatë ruse për pushtet dhe ndikim. Ndërsa brenda estabilimentit rus mund të ketë pëshpëritje mbi ndryshimet, këto nuk duhet të ngatërrohen me thirrje të vërteta për paqe ose reforma.
Perëndimi duhet të qëndrojë vigjilent, duke vazhduar të mbështesë luftën e Ukrainës për sovranitet, dhe duke njohur natyrën e vërtetë të forcave në Moskë. Rreziqet janë shumë të larta, ndaj nuk ka vend për lëkundje nga shpresat e rreme dhe deklaratat mashtruese, që e kanë burimin tek korridoret e Kremlinit./Përshtati Pamfleti nga “Kyiv Post”
Shënim: Stepan Stepanenko, drejtor i kompanisë konsulente për marrëdhëniet politike dhe mediat Forward Strategy Ltd me qendër në Britaninë e Madhe. Ai shkruan kryesisht mbi Evropën Lindore, shtetet post-sovjetike dhe çështjet e mbrojtjes.
Lini një Përgjigje