Jeta e shumë hajdutëve të listës për deputetë të Bablokut, do të bëhet e zymtë e do të firojnë shumë deri më 11 maj...
Edi Ramës i janë errësuar ditët dhe nga momenti në moment, realiteti i ri, mund ta fundosë.
Ky sot ka vetëm dy rrugë, o lart, shumë lart, në drejtim të shtetit mafioz; o poshtë, shumë poshtë, në qilar me popullin e burgjeve që po shumohet me ritme të shpejta.
I izoluar nga mbështetja amerikane, nuk është as ai që e sulmon SPAK-un siç bënte ca ditë më parë, as ai që e përgëzon për arrestimet e hajdutëve të mëdhenj.
Më të famshmit hajdutë e kriminelë, që nga çasti në çast priten të arrestohen, Bablokut do i duheshin deputetë pas zgjedhjeve të 11 majit.
Aksioni i SPAK-ut për pastrimin e shkurreve rreth kryehajdutit, dhe zërat e fuqishëm në Kongresin Amerikan mbi arsenalin luftarak në betejat me Aleks Soros dhe miqtë tij, janë sinjale, se jeta e shumë hajdutëve të listës për deputetë të Bablokut, do të bëhet e zymtë e do të firojnë shumë deri më 11 maj.
Nuk mund të mos e themi, se ardhja e një ambasadori, mik i Donald Trump, një muaj para zgjedhjeve, siç mësohet se do të ndodhë, do i ngrijë në buzë edhe lajmin që ka shpërndarë gjithandej, se ky bën ç’të dojë, i blen dhe i vjedh votat sipas dëshirës dhe Ambasada Amerikane nuk reagon kurrë më.
Më poshtë nëpër germa, dy Dumanët, njëri që flet pas hekurave për krimet qeveritare dhe tjetri që u shtrëngon hekurat në duar miqve të Bablokut, nuk ka të ngjarë të jenë tabelë qitjeje, sipas interesave të familjes kryeministrore, me të gjithë pjestarët sheikë e pa asnjë anëtarë të penduar.
Horizonti politik, i ngjan një reje të zezë, të ngjeshur me malet e mafies, dhe askush në fshat nuk e shikon qartë rrugën, sa të tërë përplasen me njëri tjetrin, duke i nxjerrë sytë e ballit mikut që kanë më afër.
Modeli i pushtetit arrogant, ishte mësuar të shikonte “vetëm përpara, e jo mbrapa”, nëpër sigurinë e verbërt, se mbështetja e aleatëve kyç, ose do ta toleronte, ose do ta orientonte drejt interesave strategjike me prapavijë kriminale.
Nëpër këtë ambient pranveror, Babloku nuk gjen asnjë argument bindës, pse i trembet Drejtësisë, pse nuk bën asnjë hap drejt transparencës me pasuritë dhe akuzat, pse nuk ka siguri në fitore, përveçse përrallave që lëshon se Amerika na ka braktisur e shqiptarët duhet t’i ngulin këmbët mbi shkëmbinjtë e moçëm dhe plot lëmyshk të BE-së.
Ky, që deri para ca ditësh e përdori Drejtësinë si qen stani, sot përpëlitet nëpër terr si viktimë e një komploti politik, dhe ende shpreson se mund të fitojë ca simpati publike, duke e kaluar fajin në dobësinë e Charles McGonigal që mori para nga ai, apo në dinamikën e Aleks Soros dhe USAID-it, që drejtonin makinën e fuqishme të korrupsionit nëpër imazhin e dëmtuar rrugës së asfaltuar diku me favore, e diku tjetër me marrëveshje të fshehta.
Nëpër skuta të dizinformimit, vazhdojnë fluturojnë lajme alla shqiptarçe në mediat e krimit, me qëllimin final për të veshur luksin e arrogancës me rroba të reja, sikur Babloku do e blejë heshtjen e Amerikës kundër skandaleve, dhe trampolina nga do hidhet më 11 maj, nuk do të jetë aq e rrezikshme, sa të thyejë kokën.
Përpëlitjet për shpëtim, janë aq qesharake, sa ç’është serioze e vërteta, se pa Amerikën aleate, Babloku s’ka jetë./Pamfleti
Lini një Përgjigje