TAGS-AT E JAVËS

Forum13 Mars 2025, 09:52

Rreziku i përzierjes së politikës me fenë

Shkruar nga Loris Zanatta

 Rreziku i përzierjes së politikës me fenë

Gëbelsët dhe Zhdanovët e kohës sonë, janë më të ditur në teknologji, por ata janë ende propagandues që bëjnë të njëjtën punë: manipulojnë fjalët, shpikin gjeste, krijojnë rituale, kërkojnë ‘koka turku’ dhe themelojnë besime të reja...

Kur presidenti i SHBA-së Donald Trump, krijoi Zyrën e Besimit në Shtëpinë e Bardhë në fillim të muajit shkurt, më kujtoi Ministrinë e Lumturisë të krijuar nga udhëheqësi socialist i ndjerë i Venezuelës, Hugo Chavez: të dyja janë të padobishme, paradoksale dhe të tepërta.

Ideja e një këshilltari presidencial për besimin fetar, më kujton gjithashtu pasardhësin e Chavez, presidentin Nicolás Maduro, duke i lutur Krishtit falje për mëkatet e qeverisë së tij: një gjest po aq i pabesueshëm dhe cinik. A janë teatralë apo fanatikë këta personazhe?

Rreziku i përzierjes së politikës me fenë

Janë qesharakë apo të frikshëm? Sigurisht që janë në modë, pasi bota është e tejmbushur me liderë që thërrasin madhështinë e Zotit ose të Allahut, duke puthur ikona ose duke thirrur forcat mbinatyrore nga qielli. Por a është kjo një shenjë e mirë?

Jo, është një irracionalitet i pastër, unilateralizëm, proteksionizëm; thjeshtëzim i problematikave, vulgaritet dhe mbi të gjitha arrogancë. Më lejoni të përsëris atë që e kam shkruar tashmë: Vitet 2020, kanë filluar të duken shumë si vitet 1920.

E di, historia nuk është supermarket. Produktet e saj janë ndoshta më të ndryshme, dhe ato që duken njëlloj, nuk janë domosdoshmërisht identike. Por e di sot që ngjashmëritë janë shqetësuese. Në fillimin e shekullit XX-të, një periudhë e gjatë përparimi dhe inovacioni, migrimesh dhe globalizimi, prodhoi fillimisht një katarsis revolucionar, më pas një rindezje të reaksionit.

Të gjithë udhëheqësit ishin reaksionarë dhe totalitarë në natyrë dhe irracionalë. Si komunistët ashtu edhe fashistët kërkuan besim, bindje dhe premtuan luftë. Nuk mund të kishte Hitler pa Leninin, as Lenin pa Luftën e Parë, dhe s’ka luftë pa irracionalizëm, unilateralizëm dhe proteksionizëm.

Njëqind vjet më parë, dogmat pozitiviste, të cilat kishin mbrojtur progresin e qëndrueshëm material, u shpërndanë përballë baticës dhe rrjedhës mistike. Teprimet e racionalitetit iu nënshtruan një rilindjeje fetare, tregtia e lirë iu nënshtrua tarifave dhe demokracia ndaj shefit të madh.

A jemi rikthyer në ato kohëra? Revolucionarët dhe reaksionarët mund ta shohin veten si të kundërt me njëri-tjetrin. Në fakt, ata janë shumë të ngjashëm. Arsyeja dhe kritika e gjejnë veten të nënshtruar ndaj sigurisë, konformitetit dhe bindjeve. Urrejtja fisnore nxit një luftë kulturore; mediat sociale imponojnë “urtësinë e popullit” mbi supozimet e intelektualëve.

Teknologjia po përparon pa pushim, por edhe anti-modernizmi po përhapet pa kontroll. Këto janë ekuivalentët modernë të foltoreve, megafonëve, broshurave, tubimeve në rrugë dhe shpalljeve në radio. Të bërtiturat e heshtin reflektimin; mediat sociale pëlqejnë “mendimin e heshtjes”.

Gëbelsët dhe Zhdanovët e kohës sonë janë më të ditur në teknologji. Megjithatë ata janë ende propagandues, që bëjnë të njëjtën punë: manipulojnë fjalët, shpikin gjeste, krijojnë rituale, kërkojnë ‘koka turku’, themelojnë besime të reja etj.

Teknologjia po përparon pa pushim, por edhe anti-modernizmi po përhapet pa kontroll. A është ky një paradoks? Aspak, është një çështje shkak-pasojë dhe në thelb njerëzore. Ne preferojmë ruajtjen ndaj inovacionit, të cilin instinktivisht e kundërshtojmë me snobizëm, mosmiratim moral dhe nostalgji.

Mendoni se “populli” e duartrokiti shpikjen e shtypshkronjës? Shumë njerëz janë ende skeptikë në lidhje me teorinë e evolucionit të Darvinit. Të tjerë sulmuan hekurudhat dhe teleferikun. Po në lidhje me misionet hapësinore sot, apo të gjitha problemet në botë?

Sa më inovative të jetë një epokë, aq më shumë pretendohet se risia e saj prish, teknologjia turpëron dhe shkenca skandalizon. Tek e fundit, ato shkatërrojnë vendet e punës dhe dobësojnë lidhjet sociale. Ato korruptojnë shpirtin njerëzor dhe fshehin interesa të dyshimta.

Të gjitha këto janë mjete që i përdorin fuqitë kundër më të dobëtve, elitat ndaj njerëzve të zakonshëm. Inteligjenca kolektive do t’i nënshtrohet injorancës kolektive. Paragjykimet e mposhtin shkencën, thashethemet i mposhtin kërkimet dhe dyshimet kanë më shumë të vërteta sesa prova. Asgjë nuk shpreh më mirë frymën e kohës sesa reagimet ndaj krizës së klimës.

A po ngrohet planeti? A është aktiviteti njerëzor sadopak fajtor? Provat janë të qarta. Ç’duhet të bëjmë? Përpiquni të kombinoni shkencën dhe mjedisin, ta bëni më në harmoni ekonominë dhe ekologjinë? Në asnjë mënyrë! Ky është një rast kur duhet besuar ose se fundi i botës është afër dhe të përçmosh gjithë qytetërimin, ose të shohësh një komplot të gjerë nga progresistët, të majtët dhe shkenca e tyre mercenare.|

Me tërheqjen e Trump nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, nuk e di nëse duhet të qeshësh apo të qash. Ta kritikosh është e lehtë, por nuk përfiton asgjë. Mohimi i dobisë dhe domosdoshmërisë së OBSH, është një demagogji që synon të godasë kërkimin, informacionin, eksperimentimin dhe bashkëpunimin.

Shëndeti, ashtu si mjedisi, është një problem global që duam apo s’duam mund të trajtohet vetëm globalisht. Nëse nuk zgjidh asgjë SHBA-ja, fuqia më e madhe shkencore në planet, e gënjejnë veten dhe ata që e imitojnë: Italia e Giorgia Melonit dhe Argjentina e Javier Mileit.

Unë nuk e di se ku do na çojë kjo valë irracionalizmi, por vetëm atë që shohim tashmë: debati publik është reduktuar në një konfrontim midis mbështetësve, secili i armatosur me besimin e tij dhe teoritë e tyre konspirative.

Debati racional është flakur tej, bashkë me metodën shkencore: vëzhgimin, eksperimentimin, verifikimin dhe argumentimin. Armët e rezistencës janë mendja e shëndoshë dhe ndjeshmëria. Politika fetare tashmë është në prag të shndërrimit në fe politike. Dhe feja politike nuk pranon disidencë apo herezi, por vetëm një ortodoksi të hekurt. Dhe atëherë vdes liria./Pamfleti nga “Worldcrunch”

rreziku përzjerja e fesë me politikën politika feja

Lini një Përgjigje