
Tranzicioni i gjatë, i keqmenaxhuar dhe i pafund e ka lënë këtë kontenier të kalbet nga brenda, pa u zbrazur aty ku duhet: te përgjegjësia, pastrimi institucional dhe ndërrimi real.
Në jetën politike dhe shoqërore shqiptare vërehet një model i përsëritur sjelljeje që dëmton thellësisht zhvillimin demokratik dhe funksionimin normal të institucioneve. Ky model ndërtohet mbi oportunizmin, smirën dhe inatin, të cilat nuk mbeten thjesht emocione individuale, por shndërrohen në logjikë veprimi politik dhe kulturë sundimi.
Oportunizmi politik shfaqet në momentin kur angazhimi publik humb bazën parimore dhe politika reduktohet në instrument përfitimi personal. Qëndrimet ndryshojnë sipas interesit të çastit, aleancat ndërtohen pa vizion dhe pa koherencë, ndërsa përgjegjësia ndaj shoqërisë zëvendësohet nga kalkulimi individual. Në këtë klimë, besimi publik gërryhet dhe institucionet dobësohen, sepse politika pushon së qeni shërbim dhe shndërrohet në mekanizëm mbijetese.
Smira e thellon këtë gjendje duke e zhvendosur konkurrencën politike nga idetë te individët. Suksesi i tjetrit, në vend që të perceptohet si vlerë shoqërore, shihet si kërcënim personal. Kjo prodhon denigrim, sabotim dhe përjashtim sistematik të figurave me potencial real, duke e varfëruar jetën publike dhe duke penguar ndërtimin e elitave meritokratike.
Inati përbën elementin më destruktiv të këtij modeli, sepse e zëvendëson arsyen me impulsin ndëshkues. Politika nuk udhëhiqet më nga interesi publik dhe dialogu, por nga dëshira për të dëmtuar tjetrin. Vendimmarrja shndërrohet në akt hakmarrjeje, ndërsa institucionet përdoren në mënyrë selektive ose bllokohen, duke e mbajtur shoqërinë në një gjendje konflikti të përhershëm.
Ky realitet rëndohet edhe më shumë nga përfshirja në politikë e individëve të paedukuar dhe të paformuar sistematikisht. Kur njerëz pa kulturë institucionale, pa formim intelektual dhe pa etikë publike marrin pushtet, mosdija nuk mbetet private, por imponohet. Injoranca, e pajisur me autoritet, nuk dialogon dhe nuk argumenton; ajo urdhëron dhe detyron. Në këtë mënyrë, mosdija eskalon në dhunë institucionale. Ligji nuk zbatohet si normë e përbashkët, por përdoret si mjet presioni, ndërsa vendimet merren pa arsyetim dhe pa ndjeshmëri shoqërore, duke prodhuar përjashtim, padrejtësi dhe frikë.
Në këtë kontekst, personalizimi i pushtetit dhe absolutizimi i figurës individuale përbëjnë rrezik shtesë për rendin shoqëror. Kur individi vendoset mbi shoqërinë dhe vendimmarrja mbështetet në hamendësime, e jo në dije dhe përgjegjësi, kjo shndërrohet në një kanosje reale për stabilitetin, rendin dhe zhvillimin shoqëror. Institucionet humbin funksionin e tyre rregullator dhe shndërrohen në mjete të vullnetit individual. Absolutizimi i individit dhe qeverisja mbi hamendësime, e jo mbi dije dhe institucione, e ekspozojnë shoqërinë ndaj krizave, arbitraritetit dhe regresit politik. Autoriteti nuk buron më nga legjitimiteti dhe arsyeja, por nga imponimi dhe frika.
Politika shqiptare ngjan me një kontenier të mbushur përtej kapacitetit të vet. Tranzicioni i gjatë, i keqmenaxhuar dhe i pafund e ka lënë këtë kontenier të kalbet nga brenda, pa u zbrazur aty ku duhet: te përgjegjësia, pastrimi institucional dhe ndërrimi real. Kur një kontenier nuk derdhet në vendin e duhur, mbetjet fermentohen, kundërmojnë dhe shndërrohen në rrezik publik. Kjo ndotje përhapet dhe merr përmasa pandemike shoqërore; era e saj ndihet kudo, në institucione, arsim, media, drejtësi dhe në jetën e përditshme të qytetarit.
Në një shoqëri ku zhvillimin e dikton injoranca, rreziku nuk është vetëm stagnimi, por deformimi moral dhe institucional. Njerëzit fillojnë të marrin veset e atyre që kanë para dhe pushtet, por që nuk kanë ide, mendim dhe vizion. Shoqëri të tilla rrezikojnë të riciklojnë dhunën dhe të kthehen vazhdimisht në pikën zero, duke e rifilluar historinë jo si zhvillim, por si regres.
Dalja nga ky model kërkon një ndryshim të thellë kulturor dhe institucional. Politika duhet të rikthehet te dija, formimi, etika dhe përgjegjësia publike, ndërsa shoqëria duhet të refuzojë normalizimin e injorancës, imponimit dhe inatit. Vetëm duke zbrazur kontenierin politik dhe duke pastruar hapësirën publike mund të frenohet shndërrimi i mosdijes në dhunë institucionale dhe të ndërtohet një rend shoqëror më i shëndetshëm dhe funksional.
Shpresa qëndron në përfundimin sa më të shpejtë të këtij tranzicioni, në mënyrë që shoqëria shqiptare, kudo që jeton, të mund të rritet dhe të zhvillohet lirshëm, me mendimin dhe vendimin e vet, e jo të udhëhiqet nga mendimi i dikujt tjetër.
Lini një Përgjigje