TAGS-AT E JAVËS

Forum11 Tetor 2024, 18:40

Një histori nga 97 me Berishën dhe debati Balla-Bardhi

Shkruar nga Mero Baze

Një histori nga 97 me Berishën dhe debati Balla-Bardhi

Mu kujtua ajo histori me humor të zi ndërsa shikoj kacafytjen pa lidhje mes Sokol Ballës dhe Gazmend Bardhit ku njëri e tepron në përmbajtje e tjetri në gjuhë dhe vigjilencën e Berishës për ta quajtur këtë kërcënim me vdekje për Gazmend Bardhin.

Më 1997 PD caktoi deputetë në Sarandë Filip Çakulin. Meqë zona ishte jashtë kontrollit dhe ligjin e bënin bandat, të cilat kishin marrë peng dhe Leonard Demin, Filipi vendosi të mos shkojë fare. Por për të mos e lënë pa humor këtë histori, sajoi bashkë me Koco Devolen dhe Agron Llakaj, një poster ku Filipi shfaqej i dhunuar dhe e botojnë në revistën Hosteni.

Sali Berisha e pa dhe fluturoi nga gëzimi. Doli në konferencë shtypi, dënoi dhunën e bandave në Sarandë dhe kërcënoi se kush prek Filip Çakulin ka punë me të.

Pas Berishës e mori seriozisht dhe misioni i OSBE. Zbarkuan edhe ata në selinë e PD dhe takuan Berishën. Ua shpjegoi “fije e për pe” se si kishte ndodhur dhuna dhe çfarë i kishin bërë bandat Filipit.

Misioni u shqetësua edhe më shumë.

-A mund ta takojmë vet këtë kandidatin i tha shefi i misionit?
-Patjetër tha Doktori. Dhe më thirri mua ti gjeja Filipin që e kishin masakruar.
-I thashë që ishte humor dhe Filipi është shëndosh e mirë. Nuk ka shkuar fare në Sarandë.
-Ashtu ... Po këta e kërkojnë.
-U themi që është fshehur nga frika e bandave,- i thashë.

Dhe ja tregova Filipit hallin tek Guva e Qetë.

Ai e çoi edhe më tej humorin e zi.

-Tani ai do thërras Izetin, tha dhe do ti thotë: Ma gjej Filipin dhe ma bë si ky posteri se do OSBE-ja.

Mu kujtua ajo histori me humor të zi ndërsa shikoj kacafytjen pa lidhje mes Sokol Ballës dhe Gazmend Bardhit ku njëri e tepron në përmbajtje e tjetri në gjuhë dhe vigjilencën e Berishës për ta quajtur këtë kërcënim me vdekje për Gazmend Bardhin.

Komenti i Sokol Ballës në TV nuk ishte kërcënim për Gazmend Bardhin, por një paralajmërim se mund të keqpërdorej në luftën e pistë mes spekulimeve me përgjimet dhe luftës politike.

Reagimi i Gazmend Bardhit po ashtu ishte një përpjekje për ti dhënë rëndësi faktit që pushteti ishte shqetësuar prej tij, dhe gjuha kishte tepërimet normale të PD kur flet pë gazetarë armiq. Pastaj vazhdimi është banalitet pasi hyn Sali Berisha i cili në fakt Gazmend Bardhin e do të vrarë me dorë të Edi Ramës siç donte Azemin të vrarë me dorë të armiqve të tij.

Natyrisht asgjë e tillë nuk ka për të ndodhur. Por Berisha ndjehet i eksituar që më në fund po i ofrohet mundësia për një viktimë për të cilin e ka gati autorin.

Rreziku më i madh që i vjen një politikani nga gazetari është përballja me të vërtetat publikisht dhe rreziku më i madh që i vjen një gazetari nga një politikan, është të përdor pushtetin kundër tij. As Balla as Bardhi nuk janë në pozicione të tilla që mund të dëmtojnë njëri tjetrin. I vetmi që i urren të dy është Sali Berisha, i cili njërin e do vrasës e tjetrin dëshmor. Si në rastin e Filipit.

berisha debat balla-bardhi

Lini një Përgjigje