TAGS-AT E JAVËS

Forum11 Tetor 2024, 17:20

Epoka e Shpopullimit: Si mund të mbijetojnë vendet në një botë në plakje të shpejtë

Shkruar nga Nikolas Eberstadt

Edhe pse pak arrijnë ta shohin, njerëzimi është gati të hyjë në një epokë të re të historisë. Mund të quani edhe “Epoka e Shpopullimit”. Popullsia globale, do të bjerë për herë të parë që nga pandemia e Vdekjes së Zezë në vitet 1300.

Epoka e Shpopullimit: Si mund të mbijetojnë vendet në një

Por, ndërsa ajo u shkaktua nga një sëmundje vdekjeprurëse e bartur nga pleshtat, ky zhvillim negativ dramatik do të ndodhë tërësisht për shkak të zgjedhjeve të bëra nga njerëzit. Një forcë revolucionare po e drejton shpopullimin e afërt: një reduktim mbarëbotëror i dëshirës për të pasur fëmijë.

Deri më sot, përpjekjet e qeverive për të stimuluar lindjen e fëmijëve, kanë dështuar të rikthejnë normat e lindshmërisë në nivelet e zëvendësimit të humbjeve nga vdekjet. Ndaj tkurrja e popullsisë së botës është krejtësisht e pashmangshme.

Rrjedhimisht, shoqëritë do të kenë gjithnjë e më pak punëtorë, sipërmarrës dhe novatorë, dhe më shumë njerëz të varur nga kujdesi shëndetësor dhe ndihma sociale. Gjithsesi problemet që ngre kjo dinamikë, nuk janë domosdoshmërisht të barasvlershme me një katastrofë.

Shpopullimi nuk është një ndëshkim me pasoja fatale, siç mund të duket në pamje të parë. Përkundrazi, është një kontekst i ri i vështirë, në të cilin vendet mund të gjejnë ende mënyra për të lulëzuar dhe ecur përpara. Qeveritë duhet t’i përgatisin shoqëritë e tyre që tani për të përballuar sfidat sociale dhe ekonomike të një bote të plakur dhe të shpopulluar që në të ardhmen e afërt.

Konsensusi midis ekspertëve më të njohur të demografisë, është se popullsia globale do të arrijë kulmin nga mesi ose fundi i këtij shekulli, dhe më pas do të fillojë të bjerë. Disa vlerësime sugjerojnë se kjo mund të ndodhë në vitin 2053, të tjerat përmendin vitet 2070 apo 2080.

Kjo rënie do të përmbysë ritmet e njohura sociale dhe ekonomike. Shoqëritë do të duhet të përshtatin pritshmëritë e tyre për t’iu përshtatur realiteteve të reja me më pak punëtorë, kursimtarë, taksapagues, qiramarrës, blerës të shtëpive, sipërmarrës, novatorë, shpikës dhe konsumatorëve dhe votuesve.

Si në vendet e pasura ashtu edhe në ato të varfra, një valë e ardhshme e njerëzve të plakur do të imponojë ngarkesa krejtësisht të panjohura mbi shumë shoqëri. Ndonëse njerëzit në të 60-at dhe të 70-at e tyre, mund të bëjnë jetë ekonomikisht aktive dhe të mbështetur financiarisht tek vetja për të ardhmen e parashikueshme, e njëjta gjë nuk është e vërtetë për ata në të 80-at apo më të moshuar.

Dhe në fakt, super të moshuarit janë grupi me rritjen më të shpejtë në botë. Deri në vitin 2050, në disa vende do të ketë më shumë të tillë se sa fëmijë. Barra e kujdesit për njerëzit me demencë do të sjellë një kosto në rritje njerëzore, sociale, ekonomike.

Ndërsa familjet bëhen më të vogla dhe më të atomizuara, ato bëhen gjithnjë e më pak të afta për të mbajtur përgjegjësi të tilla. Nuk është aspak e qartë se si shoqëritë do ta përballojnë këtë problem. Qeveritë mund të përpiqen të plotësojnë mungesën e fëmijëve, por përvoja e trishtë mbi 150-vjeçare e politikës sociale, tregon se shteti është një zëvendësues shumë  i shtrenjtë i familjes, dhe tek e fundit jo shumë i mirë.

Përparimet teknologjike - robotika, Inteligjenca Artificiale, kujdestarët kibernetikë të ngjashëm me njerëzit - mund të japin një kontribut pozitiv që sot kuptohet pak. Por tani për tani, kjo perspektivë i përket sferës së fantashkencës. Ky kapitull i ri për njerëzimin, mund të duket ogurzi, ndoshta edhe i frikshëm.

Por edhe në një botë shumë më të plakur sesa sot, përmirësimi i vazhdueshëm i standardeve të jetesës dhe përparimet materiale dhe teknologjike do të jenë ende të mundshme. Vetëm dy breza më parë, qeveritë, ekspertët dhe institucionet globale, ishin në panik nga rritja e madhe e popullsisë, duke pasur frikë nga uria masive dhe varfërimi si rezultat i lindjes së shumë fëmijëve në vendet e varfra.

Tani duket se ai panik ishte tepër i çuditshëm. Sepse pavarësisht rritjes së jashtëzakonshme të popullsisë në shekullin e kaluar, planeti është më i pasur dhe i ushqyer më mirë se kurrë më parë. Po ashtu, burimet natyrore janë më të bollshme dhe më pak të shtrenjta se kurrë më parë.

E njëjta formulë që përhapi zhvillimin kudo gjatë shekullit XX, mund të garantojë përparime të mëtejshme në shekullin XXI dhe më tej, madje edhe në një botë të karakterizuar nga rënia e popullsisë. Thelbi i zhvillimit modern ekonomik, është shtimi i vazhdueshëm i potencialit njerëzor dhe një klimë e favorshme e biznesit, e përshtatur përmes politikave dhe institucioneve që ndihmojnë në zhbllokimin e vlerës tek qeniet njerëzore.

Për shembull falë kësaj formule, India e ka eliminuar praktikisht varfërinë ekstreme gjatë 50 viteve të fundit. Përmirësimet në shëndetësi, arsim dhe shkencë dhe teknologji janë nxitësit më të mirë për ecjen përpara. Bota nuk ka qenë kurrë aq gjerësisht e arsimuar sa sot, dhe nuk ka asnjë arsye të pritet një rënie e cilësisë, pavarësisht nga plakja dhe zvogëlimi i popullsisë, kjo edhe duke pasur parasysh përfitimet e pafundme që rrjedhin nga arsimimi si për shoqëritë ashtu edhe për vetë të arsimuarit.

Nuk ka dyshim se në fillim tranzicioni drejt shpopullimit, do të sjellë ndryshime të mëdha e të dhimbshme. Në shoqëritë që po pësojnë rënie të popullsisë, do të falimentojnë programet sociale aktuale për pensionet dhe kujdesin shëndetësor.

Nëse vazhdohet me modelet modelet e sotme të punës dhe shpenzimeve specifike sipas moshës, vendeve me popullsinë më të plakur dhe në rënie do t’u mungojnë kursimet për të investuar për rritjen ekonomike, apo edhe për të zëvendësuar infrastrukturën dhe pajisjet e vjetra.

Por reformat e politikave sociale dhe reagimet e sektorit privat, mund të përshpejtojnë shfaqjen e rregullimet e nevojshme. Ndërsa njerëzit po jetojnë më gjatë dhe mbeten të shëndetshëm deri vonë, do të dalin në pension akoma më vonë se sa sot.

Aktiviteti ekonomik vullnetar në moshat gjithnjë e më të mëdha, do ta bëjë të domosdoshëm mësimin gjatë gjithë jetës. Në këtë aspekt Inteligjenca Artificiale, mund të jetë një thikë me dy presa: edhe pse mund të ofrojë përmirësime të produktivitetit, ajo mund të përshpejtojë edhe zhvendosjen nga tregu të njerëzve me aftësi të pamjaftueshme apo të vjetruara.

Ndaj shtetet dhe shoqëritë do të duhet të sigurojnë që tregjet e punës të jenë fleksibël, duke reduktuar barrierat për hyrjen në të, duke mirëpritur qarkullimin e vendeve të punës, eliminuar diskriminimin moshor etj. Për të nxitur rritjen ekonomike, vendet do të kenë nevojë për përparime edhe më të mëdha shkencore dhe inovacione teknologjike.

Zhvillimi në një botë me rënie të popullsisë, do të varet edhe nga ekonomitë e hapura: tregtia e lirë në mallra, shërbime dhe financa. Nën hijen e shpopullimit, migracioni do të jetë edhe më i rëndësishëm se sot.

Megjithatë, jo të gjitha shoqëritë e moshuara do të jenë në gjendje të asimilojnë emigrantët e rinj, apo t’i kthejnë ata në qytetarë besnikë dhe produktivë.  Me zvogëlimin e popullsisë, qeveritë do të duhet të konkurrojnë për emigrantë, me një premisë edhe më të madhe për tërheqjen e talenteve nga jashtë.

Zbatimi i duhur i politikave  konkurruese ndaj migracionit - dhe sigurimi i mbështetjes publike për to - do të jetë një nga detyrat kryesore për qeveritë e ardhshme. Nga ana tjetër, shpopullimi jo vetëm që do të transformojë mënyrën se si qeveritë sillen me qytetarët e tyre; por edhe mënyrën se si sillen ata me njëri-tjetrin.

Shënim: Nicholas Eberstadt, ekspert i ekonomisë në American Enterprise Institute.

plakja e popullsisë shpopullimi

Lini një Përgjigje