TAGS-AT E JAVËS

Forum11 Qershor 2024, 19:32

Një fitore e Berishës dhe humbje e PD

Shkruar nga Mero Baze

Një fitore e Berishës dhe humbje e PD

Ky vendim politikisht e varros Partinë Demokratike, pasi e hedh atë në koshin e plehrave të historisë si një parti private e një njeriu.

Një trupë gjykuese e Apelit në Tiranë i njohu kuvendit të Berishës, organizuar paralel me kuvendin zyrtar të PD-së, legjitimitetin e trashëgimisë së Partisë Demokratike. Vendimi i cili pasoi një stërzgjatje të pështirë të drejtësisë shqiptare për të vendosur se kujt duhet t'ia jepnin vulën dhe jo kujt i takonte është një skaner i gjallë se si funksion kurba e presioneve politike mbi drejtësinë.

Ka së paku 4 vendime kundërshtuese ndaj njëri-tjetrit në këtë proces, që reflektojnë më shumë hallet e gjyqtarëve me aktorët politik dhe vetingun se sa dhënien e drejtësisë. 

Në fillim vula ju dha Bashës, pastaj doli një kamikaze i Berishës ja dha atij, pastaj kur Berisha filloi të rrudhej në opinion publik morën një vendim të ndërmjetëm që ishte në favor të Bashës dhe tani kur duhet të shpreheshin në themel ja kaluan trashëgiminë Berishës, pasi janë siguruar se e kanë kaluar vetingun dhe mbi të gjitha kur shikojnë se çfarë heqin kolegët e tyre që kanë punë me Berishën nga dhuna e tij publike.

Të gjithë gjyqtarët që kanë punë me Berishën janë të anatemuar, të paragjykuar, të sulmuar dhe poshtëruar edhe familjarisht nëse nuk kanë një marrëveshje me Berishën për vendimin.

Vetëm në dy raste Berisha nuk ka folur paraprakisht. Në rastin e gjyqtarit që e ka pasur shofer në PD dhe i ktheu vulën dhe në këtë rast. Madje në këtë rast heshtja e tij ishte aq ulëritëse, sa dukej haptazi që gjyqtaret ishin në marrëveshje me të.

Shikoni çi bën Berisha Irena Gjokës apo gjyqtarëve të tjerë me të cilët nuk është në marrëveshje dhe shikoni heshtjen sublime të tij për një trup gjykuese që dhe mund të mos e kishte nën kontroll. Madje shikoni çi ka bërë dhe vetë një prej gjyqtareve të trupit të sotëm gjykues, sapo ka kaluar vettingun. Por para këtij gjyqi nuk foli asnjë fjalë. Duke se presioni i mëparshëm qe konvertua në pazar dhe ia ja doli.

Siç po ndodh rëndom me gjithë gjyqtarët që e kalojnë vetingun dhe kthehen në identitet.

Kaq sa për standardin e drejtësisë në këtë rast.

Sa i përket “fitores” politike, kemi dy zhvillime. Berisha ka fituar, por PD ka humbur. 

Berisha ka fituar pasi ka mundësi ta rrisë tufën e deleve rreth vetes, por PD është konsoliduar si parti e “non grata”-s, i cili ka përcaktuar qysh tani dhe pasardhësen po ashtu “non grata”. 

Ky vendim politikisht e varros Partinë Demokratike, pasi e hedh atë në koshin e plehrave të historisë si një parti private e një njeriu.

Duke i bashkuar të gjithë nën rrënojat e shtëpisë së prishur të Sali Berishës, demokratët janë tani më të dobët se kurrë, pasi kanë humbur dhe të drejtën të ndryshojnë apo ndërrojnë Sali Berishën, Argitën apo Shkëlzenin. Ata tani vlejnë vetëm si shifra për Sali Berishën që të mbrohet në opozitë dhe për Edi Ramën që të pleqëroj në pushtet.

Sa për Lulzim Bashën, mendoj se heqja e vulës juridikisht është një padrejtësi e qartë dhe një vendim që reflekton pazaret dhe jo drejtësinë, por politikisht është një shpëtim dhe shans i ri për të. 

Nëse ai ka ndërmend të mbetet në politikë, thjesht duhet të regjistrojë partinë e tij dhe të bëhet strumbullar i bashkimit të opozitës së pa kapur nga Sali Berisha dhe bashkë me të tjerët të bëhen faktorë përcaktues për zgjedhjet e ardhshme. 

Vula do ta bënte atë më të dobët politikisht por më komod për fushatë elektorale. Heqja padrejtësisht e vulës e viktimizon atë, hedh poshtë gjithë gënjeshtrat e Sali Berishës për bashkëpunim të tij me Edi Ramën, të cilat tani duhet ti mbajë ai në kurriz dhe i krijon një mundësi të re për një betejë të tij në politikën shqiptare. 

Tërheqja e mundshme apo bashkimi me Berishën, e zhdukin atë nga historia e politikës. Padrejtësia juridike i ka dhënë atij një shans të ri politik, të cilin nuk duhet ta humbasë.

Nën rrënojat e shtëpisë së berishëve, PD nuk ka për ta ngritur kurrë kokën, por thjesht do jetë një varrezë e Vulës dhe Logos. Çdo gjë e re në opozitën shqiptare do të lindë jashtë atyre rrënojave.

Lini një Përgjigje