TAGS-AT E JAVËS

Forum11 Qershor 2024, 10:08

Basti i rrezikshëm i Emmanuel Macron me të ardhmen e Francës dhe Evropës

Shkruar nga Wolfgang Müncau

 

Basti i rrezikshëm i Emmanuel Macron me të ardhmen e Francës dhe
Presidenti i Francës /

Lëvizja e Macron mund të jetë e guximshme, por ajo nxjerr në pah dobësitë në kampin e tij dhe në Evropë, në një kohë kur lidershipi është më se i nevojshëm. Ky është edhe dështimi i vërtetë i mandatit të dytë të presidencës Macron...

Emmanuel Macron, njeriut që i pëlqen të flasë për Evropën, nuk na la kohë për të folur për të. Marifeti i tij politik të dielën në mbrëmje për ta shpërndarë parlamentin francez, e ka kthyer gjithë vëmendjen tek politika kombëtare. Tani partitë politike franceze, kanë 3 javë kohë për t’u përgatitur për këto zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Për ne, kjo duket si një lëvizje makiaveliste që Macron të vazhdojë të qëndrojë në pushtet, pa u shqetësuar shumë se çfarë do të thotë kjo për Evropën. Për listën e Macron të udhëhequr nga Valérie Hayer, ishte një humbje që përputhej me atë që kishin parashikuan sondazhet.

Lista e Tubimit Kombëtar e drejtuar nga Jordan Bardella mori 30 vende me 31.5 për qind të votave. Ndërkohë aleanca e Macron mori më pak se gjysmën e saj, 13 vende me 14.5 për qind të votave. Të njëjtin numër vendesh fitoi lista e Rafaël Glucksmann nga e majta, e cila mori 14 për qind të votave.

Por me një shkelje syri, Macron ktheu faqen e këtyre rezultateve, duke iu dorëzuar kërkesës së Tubimit Kombëtar të Marine Le Pen, fituesja e qartë e këtyre zgjedhjeve, e cila ka kërkuar shpërbërjen e Asamblesë Kombëtare. Por Macron synon që ta fitojë këtë bast. Rreziku kryesor i këtij basti është vetë fushata.

Macron po e bazon të gjithë besimin e tij për fitore, tek aftësia e tij për të mobilizuar masat kundër ekstremit të djathtë. Motoja e tij do të jetë “Ose unë ose kaosi!”, e cila ka qenë e njëjta që nga viti 2017. Supozimi është se njerëzit mund të protestojnë kundër Macron në zgjedhjet evropiane, por me siguri ata do të ndërgjegjësohen në zgjedhjet kombëtare.

Në njoftimin e tij të së dielës, ai paralajmëroi se nacionalistët janë një rrezik serioz për Francën dhe vendin e saj në Evropë. Ai tha se e djathta do ta varfëronte dhe do të ulte prestigjin e Francës në arenën ndërkombëtare. A do të funksionojë ky sulm ballor kundër ekstremit të djathtë? Giorgia Meloni në Itali, tregoi se në qeveri është një kërcënim më i vogël. Marine Le Pen dhe Bardella kanë vite që përdorin një diskurs të moderuar. Ata nuk konsiderohen më si kërcënim nga votuesit. Madje në fjalimet e tij, Bardella i bën thirrje elektoratit të qendrës së djathtë që zakonisht mbështet Les Republicains, (Republikanët).

Ndërkohë Le Pen e ka forcuar mbështetjen e saj në fshatra dhe qytetet e vogla. Macron mendon se Tubimi Kombëtar nuk është gati të qeverisë Francën. A mundet vërtet TK të fitojë zgjedhjet parlamentare? Nëse po, a mund të qeverisë Bardella si kryeministër? Ndoshta ata do të dështojnë pasi të jenë në qeveri, dhe se ky dështim do të komprometonte shanset e tyre në zgjedhjet presidenciale të 2027.

Ky duhet të jetë supozimi aktual prapa lëvizjes së beftë të Macron. Por sikur ta ketë gabim? Të gjithë ata që e kanë parë duelin televiziv midis Gabriel Attal dhe Bardella, do ta pranonin që fitoi Attal. Megjithatë pas atij debati votat u shtuan për Bardella-n. Ai është anti-heroi, që mori pikët e simpatisë.

Si mund të konkurrojë ekipi i Macron duke pasur përballë dikë si ai? Që Tubimi Kombëtar t’i fitojë këto zgjedhje, duhet të marrë 200 vende më shumë sesa 88 që ka aktualisht. Ky është një mision i vështirë, por sipas disa sondazheve jo i pamundur. Nëse TK del i pari, Franca do të ishte në një skenar të bashkëjetesës politike.

Macron duhet të emërojë një kryeministër të ri, me shumë mundësi Bardella-n. Edhe nën këtë skenar, Macron mund të shpresojë të fitojë. Bashkëjetesa ka funksionuar dikur për Jacques Chirac, kur në vitin 1997emëroi Lionel Jospin në postin e kryeministrit. Rasti i dytë është bashkëjetesa politike midis Francois Mitterand dhe Édouard Balladur.

Por në atë kohë, bashkëjetesa ishte mes partive tradicionale të Republikës së Pestë, dhe jo mes dy partive të reja që nuk kanë qenë kurrë në pushtet përpara vitit 2017. A mund të fitojë partia e Macron vetëm dy javë përpara? Apo mund të zgjerojë të paktën shumicën e saj?

Eric Ciotti, udhëheqës i Les Républicains, ka sinjalizuar se në asnjë rrethanë nuk po mendon të krijojë një aleancë me Renaissance (Rilindjen) e Macron. Por kjo qasje mund të mos ndahet nga të gjithë partinë e tij, siç sugjeruan deklaratat e Nicolas Sarkozy dhe Gérald Larcher.

Macron llogarit se mund të fitojë mbështetjen e Republikanëve të qendrës së djathtë, që duan të parandalojnë me çdo mënyrë një presidencë të Marine Le Pen. Madje për të njëjtën arsye, Macron mund të marrë një pjesë të votave nga e majta. Por forca gravitacionale që kishte dikur Macron në qendër nuk ekziston më.

As diskursi i tij nuk elektrizon më, ndërsa po zgjerohet polarizimi si majtas ashtu edhe djathtas. Nëse Tubimi Kombëtar do të ketë sukses në marrjen e pushtetit, dhe do të pretendojë postin e kryeministrit, një përçarje midis Bardella dhe Le Pen, mund të ishte një rrezik për ngjitjen e saj në pushtet.

Të dy kanë dallime të forta, të cilat mund të bëhen më të mëdha sapo të jenë në pushtet. Le Pen premton politika që anojnë nga e majta, ndërsa Bardella është ankoruar fort tek e djathta. Nëse Bardella do të kishte sukses si kryeministër, si do të reflektonte kjo tek qëndrimi i Le Pen?

Nëse TK fiton zgjedhjet, çfarë do të thotë kjo për Macron si president, që sapo ka paralajmëruar francezët mbi rrezikun e një qeverie të drejtuar nga e djathta ekstreme? A nuk do të arrinin njerëzit në përfundimin logjik se Macron do të duhej të largohej nga posti që mban?

Kjo mund të bëhet në vetvete një motiv për njerëzit që të votojnë kundër Macron. Edhe nëse Macron do të qëndronte në detyrë dhe do të punonte me Bardella-n si kryeministër, kjo do ta dobësonte atë si një udhëheqës në Francë dhe Evropë. Nga ana tjetër, koha e këtyre zgjedhjeve mund të zvogëlojë shanset që Ursula von der Leyen të konfirmohet për një mandat të dytë. Këshilli Evropian do të vendosë mbi kandidatin që do të drejtojë Komisionit Evropian në takimin e tij të 27 qershorit, pra 3 ditë përpara raundit të parë të zgjedhjeve parlamentare në Francë. Nëse Macron nuk do të dëshirojë të shprehet mbi këtë çështje, Ursula mund të jetë jashtë loje.

Po ashtu Macron mund të bëjë një lëvizje të guximshme dhe të sugjerojë një kandidat tjetër.

Për shembull emrin e Mario Draghi-t, një ofertë që as Giorgia Meloni nuk do ta refuzonte. Lëvizja e Macron mund të jetë e guximshme, por ajo nxjerr në pah dobësitë në kampin e tij dhe në Evropë, në një kohë kur lidershipi është më se i nevojshëm. Ky është edhe dështimi i vërtetë i mandatit të dytë të presidencës Macron./Përshtati Pamfleti nga “New Statesman”

basti i rrezikshëm emmanuel macron e ardhmja e evropës

Lini një Përgjigje