TAGS-AT E JAVËS

Forum 9 Janar 2024, 10:32

Neofashizmi serb në aksion

Shkruar nga Sadri Ramabaja

Neofashizmi serb në aksion

Në Serbi, neofashizmi si idologji ia ka dalë të ketë platformën politike dhe të ngulitet thellë në të gjitha instancat shtetërore. Në krye të saj pa dyshim është vet presidenti serb Aleksander Vuçiç.

Në një nga mediat tona [NTV] sot u prononcova edhe për rastin e Nikola Sanduloviç-it. Por më gjerësisht dua të thellojë mendimin tim për rastin në fjalë dhe lidhur me neofashizmin serb edhe këtu në murin tim në fb.

Në Serbi, neofashizmi si idologji ia ka dalë të ketë platformën politike dhe të ngulitet thellë në të gjitha instancat shtetërore. Në krye të saj pa dyshim është vet presidenti serb Aleksander Vuçiç. Prandaj neofashizmi serb lehtësisht arsyeton dhunën si mjet për mbajtjen e pushtetit dhe në emër të patriotizmit angazhohet për realizimin e Serbisë së madhe, që aktualisht njihet me emrin e koduar "Bota serbe".

Në një analizë timen të publikuar ditë më parë, kam potencuar se gara mes dy blloqeve politike në Serbi, më rikthen tek libri i Phillip Cohen-it, “Lufta e fshehtë e Serbisë”.

Në fillim të Luftës së Dytë Botërore, kur Mbretëria e Jugosllavisë po shkonte në histori, elita politike serbe qe përcaktuar në atë mënyrë që ”Lisin (e madh) serb – për ta ruajtur substancën e tij”,  planifikoi ta degëzojë në dysh: njëra, që gëzonte simpati për Hitlerin dhe gjermanët – ajo e Nediçit (Ljotiçit), dhe tjetra – e cila do të përcaktohej “për pritjen e fitores së aleatëve” – e çetnikut Mihailoviç.

Dy rrymat e fashizmit modern serb – ai prorus në krye me Listën “Serbia nuk duhet të ndalet”, të cilës i prin presidenti serb Alekandar Vuçiç, në njërën anë, dhe – lista kuazi-properendimore – aleanca e qendrës së majtë “Serbia kundër dhunës”, të rikthejnë tek ndarja në prag të LDB-së.

Përjashtim, si në rastin e parë edhe të dytin, në këtë ndarje, bën Lëvizja Partizane gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe tani e ashtuauajtura Lëvizje Qytetare e majtë, që njeh pavarësinë e Kosovës dhe individë si z.Nikolla Sanduloviç dhe forca e tij politike që ai drejton - Partia Republikane.

Mënyra se si u rrëmbye dhe torturua pothuajse për vdekje z Sanduloviç, më riktheu tek nata e kobshme për mua e 8 maji i  1984-ës, kur si vëllezërit e Vulinit dhe Radojçiqçt me emrat Ali [Vllasi], Daut [Morina], Refik [Thaçi] e Ramadan [Sermaxhaj] më patën "rrëmbyer" nga Burgu i Vrajës diku pas mesit të natës në të gdhirë të 9 majit dhe më patën shpënë në malet e Vllasinës.

Fare afër kufirit me Bullgarinë, në një rrugicë futur në një pyll të dendur, e patën ndalur veturën dhe filluan terrorin fizik e psiqik.

Pasi ma rikthejnë shpirtin, duke më hedhur ujë në kokë e fytyrë nga shishet që i kishin marrë enkas për këtë qëllim, më urdhërojnë që të eci drejt kufirit, një pike kufitare ku dukej drita nga larg, pa kthyer kokën mbrapa. Ndërkohë dy prej tyre bën gati pistolet për t'më goditur, në rast se pretendoja të shmangia rrugën apo të ikja. Më shtynë përpara, sa gati u përplasa për lisin e parë që kisha në anën e majtë të rrugës. Më paralajmëruan se tani kisha sekondat e fundit të jetës....

Unë nuk lëviza pothuajse fare edhe pse më shtynë për së dyti. Përkundrazi, u shtira se zura në një pengesë dhe u përplasa në tokë. Qëndrova pa lëvizur... Ndoshta 15 minuta. Apo edhe më shumë, tani nuk e kam as idenë sa të gjatë më janë dukur ata minuta që unë isha i shtrirë me fytyrë për dhe, respektivisht në një llucë balte.

Dikur më kanë ngritur në këmbë Ramadan Sermaxhaj dhe Ali Vllasi, si një thes të shkyer, ndërkaq Daut Morina më ka goditur me kërbaç në kokë. Jam rrëzuar sa gjerë e gjatë. Pastaj të gjithë, si bisha, kanë vazhduar goditjet me shqelma në kokë e kudo...

Për një çast më ka shpërthyer gjaku nga hundët dhe fill pastaj kam rënë i alivanosur në anësoren e rrugës, që kishte qenë me zhavor. Këtë fakt  e mësova nga grimcat e gurëve që më ishin ngulitur në ballë e fytyrë, pasi qesh përmendur.

Mënyra se si më patën dhunuar kolaboratorët fashistë shqipfolës mu kujtua në çastin tek po shihja pamjet që morën dhenë të  presidentit të Partisë Republikane të Serbisë, z. Nikola Sandulloviç.

***

Në Serbi asgjë nuk ka ndryshuar, pavarësisht ndryshimit të sistemit politik. Shërbimi Sekret vepron po ashtu si kishte vepruar kundër ish të burgosurve shqiptarë gjithandej, e gjithmonë.

Ajo që më bën të ndjehem shumëfish keq, ndërkohë, tek shikoj portretin e Sandulloviqit, total të dërmuar, me gjasë edhe të helmuar, siç pohojnë familjarët e tij, është heshtja e demokracive liberale Perednimore, që bëjnë çmos që ta tërheqin në gjirin e vet Serbinë fashiste!

Unë kam pasur rastin ta kem një bisedë të shkurtër me z Sanduloviç në telefon vitin që lamë pas. Edhe atëherë, po edhe në intervistat që ka dhënë në mediat tona, kam vu re jo vetëm guximin prej qytetari e intelektuali që ai shpërfaqte në bisedë dhe solidaritetin e plotë me qytetarët e Kosovës e kauzën tonë për liri, por edhe përkushtimin që tok me bashkëmendimtarët e tij ta vazhdojnë betejën për defashistizimin e shoqërisë  dhe Shtetit serb.

Liri për Nikola Sanduloviç-in!

nikola sanduloviç serbi kosova

Lini një Përgjigje