TAGS-AT E JAVËS

Forum23 Gusht 2025, 22:38

Monika Stafa nxjerr intervistën ekskluzive me Artur Zhejin, ja ç'mendim kishte ai për Edi Ramën

Shkruar nga Monika Stafa

Monika Stafa nxjerr intervistën ekskluzive me Artur Zhejin, ja

Artur Zheji, një mendje e qëndisur bukur

Herën e fundit bëmë kështu, pa ngurrim një bisedë me disa pika shtruar para se të nisja xhirimet për dokumentarin e radhës që po përgatitja bashkë me Belen (Belina Budini) për një mik të tij, për të cilin në fund u habita që foli pa zili a ndonjë merak të hidhur.

Ishte një mik i hershëm, që cilësisht vura re se e çmonte. Të paktën ashtu më duk, pa zë. Pa ndonjë tambur a taborë.

Dhe ashtu shpejt e shpejt… përfitova t’i merrja ca mendime si gazetar për një podkast që e kish në plan ta realizonte; si mendimtar për çfarë po ndodhte rreth nesh por dhe si prind i një biri dhe goce që përpiqej me intuitë e butësi t’i hynte në lëkurë pasioneve të tyre.

Natyrisht dhe si regjisor, që me sqimën e tij e lodhi operatorin të gjente këndin e duhur artistik për vete.

A jam veshur mirë, më pyeti me merak sa nuk i besoja veshëve… se ju të Top-it e keni zanat këtë punë. Kush merret me ju!! Po nuk dola mirë te ju, më mirë rri pa punë dhe qeshi.

Në fund më tha, paske ardh me agjendë. S’di as vet si t’u përgjigja, shtoi. Unë nuk flas shumë… kalojmë tek pyetjet. Cilat janë ato, bëri si nuk i mbante mend ndërsa unë ndërkohë prej ditësh ja kisha nisur.

Ishte i vëmendshëm. Shumë i vëmendshëm dhe i kujdesshëm për çdo fjali që do shprehte për mikun e tij të hershëm.

Pse je kaq në merak, e pyeta. Ti je njeri i lirë. Ai po ashtu. Nuk besoj se thotë gjë nëse shton diçka më shumë për jetën e tij artistike dhe si KM.

Jam i përgjegjshëm Monika dhe çdo kush po të ishte do kisha të njëjtën përgjegjësi. Aty kuptova, se ishte krejt një Zheji tjetër nga jeta prej bohemi që hiqej. Më poshtë biseda - dialog për mikun e tij.

EXCLUSIVE

Monika: Si e karakterizon Ramën në figurën artistike të tij?

ARTUR ZHEJI (Gazetar): Ne duhet të kemi parasysh që Rama ka qenë dhe mbetet një gazetar në tentativë, e para. E dyta, shkruan mirë, nuk shkruan gjithmonë këndshëm porse është i hidhur.

Dhe e ndjen veten shpesh herë në konkurrencë me shkrimet e të tjerëve. Çfarë dua të them me këtë? Dua të them se nëse një gjë nuk i pëlqen në përmbajtje, e sulmon në stil.

Pra, ka ndërtuar politikanin polemist me gazetarinë dhe me mediat.

Zakonisht kjo është bërë gjithmonë e më tepër një trend i politikanëve i këtyre gjeneratave të fundit, i cili nuk rri pasiv ndaj medias por është aktiv dhe madje luftarak me gazetarët. Kjo gjë i ka dhënë sukses.

Jo çdo lloj artisti mund të bëjë këtë që bën Rama, piktori po. Pse e them këtë? E them sepse piktorët nuk e analizojnë mendimin pa e parë mendimin. Duket absurd kjo që thashë unë që të shohësh mendimin, por kanë aftësinë që ta tjetërsojnë mendimin në telajo.

Pra, shohin tablon e asaj analize që ne bëjmë me fjalë. Duke parë të tillë, ata e amplifikojnë gjithë efektet dhe defektet e tablosë. Pra shohin shumë më tepër, kanë një optikë tjetër. Dhe papritur e pakujtuar, njerëzit e tjerë që nuk e kanë optikën e deformuar por që sheh më thellë të piktorit, ndihen të befasuar se si i doli në pusi apo i doli në shteg. Po e ilustroj më thjesht se ndoshta e komplikova.

Një situatë politike ai e zgjidh si një tablo. Pra në radhë të parë merr linjat kryesore të dinamikës të kuadrit, dhe pastaj merret me filigramën dhe detajet. Tek detajet fiton gjithmonë betejën.

Monika: Si mund të ma sjellësh në përfytyrim? Çfarë artisti është ai?

Artur Zheji: Unë e njoh prej shumë vitesh, në marrëdhënie private dhe si politikan, është një njeri i cili e njeh mirë artin e të dëgjuarit dhe artin e asimilimit të vlerave përreth. Pra, kur ishte i ri, rrinte gjithmonë me njerëz shumë të rëndësishëm, me piktorë, me njerëz alternativë, me njërëz që jo çdokush rrinte dot. Dhe vazhdimisht i merrte atyre gjërat më specifike. Pra për të gatuar atë supën e vet të ekzistencës, të personalitetit të tij, ka marrë shumë enzima, ka marrë shumë përbërës dhe ka nxjerrë një gjë të vetën, një shije të veten.

Them që ka kuptuar pastaj sidomos qëndrimin e parisë dhe në vende të tjera, që komunikimi është shumë i rëndësishëm. Sepse të ekzistosh do të thotë të perceptohesh, nuk do të thotë thjesht të jesh. Ka njerëz të cilët kanë vlera shumë të mëdha por nuk kanë aftësi të perceptohen nga shumica, dhe ngelen sikur nuk ekzistojnë.

Hannah Arendt zakonisht këtë e ka për sistemet totalitare, ka qenë një nga studiueset më të mëdha.

Është një politikan pararendës që është harruar tashmë, i cili quhet Trocki. Trocki ka qenë krahu i dhjathtë i Leninit dhe bashkë me Leninin bëri një ndryshim epokal. Ai kishte një tezë që ishte e vetja, jo e Leninit, quhej “Revolucioni permanent”. Pra që revolucioni të fitojë, ai duhet të jetë përditë, mëngjes-drekë-darkë, 24 orë. Më vonë kompanitë e mëdha multinacionale e shndërruan këtë tezë në një tezë tjetër që është më afër kohëve tona, domethën ‘performacë permanente’. Pra është e njëjta gjë. Të jemi ‘In’, të jemi në linjën e parë çdo ditë, në çdo gjë, në çdo fushë. Dhe zotëria në fjalë e absorbuar këtë dhe e ushtron.

Monika: Çfarë eshte kjo marredhenie qe ka ai me mediat?

A. Zheji; Ai është algoritëm, në momentin që shtyp këtë tastierë impostimi, e ke të detyrueshme të dalësh gjithandej. Rama në bërthamën e tij është shumë i ndrojtur. Por ka pasur mundësinë të ushtrohet, të bëjë palestrën e komunikimit. E ka bërë me vullnet, jo me natyrë.

Monika: Çfarë do të thotë kjo?

Artur Zheji: Të ekzistosh, nuk do të thotë të jesh. Do të thotë të lexohesh, të shihesh, të shijohesh, të urrehesh. Por në momentin që harrohesh, është më mirë të të urrejnë se të harrohesh. Në këtë kohë që jemi ne sot, interaktiviteti i publikut me personazhe politikë është jeta e tij. Është njësoj si një bimë e cila nuk vaditet. Njeriu politik i kohëve moderne vaditet vetëm kur të tjerët flasin për të, mirë apo keq.

Mpnika: I kaloi kufijte e nje politikani brenda vendit. Ka shkuar deri në planin ndërkombëtar.. askush nuk kish arritur deri me sot ne keto parametra…

Artur Zheji: Këtë le ta thonë dashamirësit e tij të mëdhenj, por unë nuk bëj pjesë në ta.

Mendoj që ai ka kuptuar, si politikanët inteligjentë kuptojnë, që politika e brendshme në një vend të shumë të vogël siç është Shqipëria, është më së shumti politikë e jashtme. Historia na ka treguar që shumë liderë janë shitur apo janë shtirur, duke filluar nga Hoxha, apo nga Ahmet Zogu, nuk kanë qenë prodhim i lagjes, as prodhim i fshatit, nuk kanë qenë një brumë i vendit, nuk kanë qenë një domate vendi, janë kryesisht importi. Që do të thotë importohen influencat.

Rama ka kuptuar që të jesh jetëgjatë në pushtet, duhet të dish të ndërtosh një raport influencash me aktorët më të mëdhenj gjeopolitikë të oksidentit, sepse ne në oksident jemi. Pra, nga të dish të përfitosh, tek lideri global, duhet të jesh shumë fans i Ramës që ta thuash këtë. Por dhe Rama vetë e di që nuk është kështu.

Monika: Mos e ndihmoi koha? A çfarë tjeter? Kushtet tona gjeopolitike?

Artur Zheji: Shqipëria është bërë atraktive, kjo është gjë tjetër. Pra që të shndërrosh një vend ku therej mishi në rrugë dhe karrocat mbeteshin dhe bllokonin trafikun, në një vend modern, ky është një zhvillim sepse edhe shqiptarët janë një popull ambicioz, të gjithë bashkë. Dhe Rama ka ditur të joshi ambicien e shqiptarëve, sidomos në nivele imperitoriale, këto biznesmenët që ulen aty bisedojnë, mund të pijnë dhe një gotë dhe thonë “unë do bëj kullën më të madhe në Ballkan”, “unë do bëj gjënë më luksoze.” Është një sërfist që ka lundruar në kreshtën e ambicies së një grupi njerëzish, të cilët identifikohen me ambicien e tyre.

Monika: A duhet të influencojë portreti i tij tek arti e kultura?

Artur Zheji: Nuk besoj se është kështu. Mendoj që është ekonomia e tregut, pra ne akoma jetojmë në kapitalizëm primitiv dhe sigurisht ata të cilët ngarkohen për të bërë çështje të arsimit apo të kulturës, me thënë të drejtën nuk kanë ndonjë vepër që ta kenë miratuar për të qenë aty, pra, janë shumë politikë. Nëse Rama do të dinte të ndryshonte regjistrat nga ministra politikë në profesionistë, atëherë do të ndodhte ky ndryshim që ju thoni. Por nuk ka ndodhur kjo.

Monika: Pse provokohet nga gazetarët?

Artur Zheji: Më përpara provokohej sepse ishte më i çuditshmi, në veshje, në batuta. Tani provokohet nga gazetarët sepse është më jetëgjati. Pra, gjithmonë ka një gjë. Ka dhe një cilësi, që merr përsipër të bëjë avokatinë e shumë gjërave që një Kryeministër nuk duhet ta bëjë. Por ai e bën dhe gjatë kësaj avokatie, ai përplaset.

Prandaj ka pushtet absolut tek Ministrat e vet, tek stafi i vet, sepse del dhe u bën atyre një mbrojtje ekselente dhe ata mbrapa kurrizit të tij bëjnë ‘qejf o qerrata’.

Pra, ai bën betejën e madhe, sepse është i dashuruar me protagonizmin e vet.

Monika: E kam shume merak kete influencen e tij si te Ahmet Zogut dikur… kthehemi serish aty. Çështe kjo karizëm?

Artur Zheji: Nuk po flas për aleatë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, këto janë me detyrim përcaktim, sepse Shqipëria është e përcaktuar në perëndim, ka kohë. Dhe nuk shmanget asnjëherë ky aks. Por të bësh miq personal, dhe dy miq personal të cilët te shohin me dashamirësi Shqipërinë janë George Soros dhe Tony Blair.

George Soros, ndryshe nga keqkuptimi i madh që qarkullon në Shqipëri, është një nga njerëzit më influent në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe mendoj që ka një këshilltar që bota do ta kishte lakmi, si Tony Blair.

Pra këta të dy në sinergji me njëri-tjetrin mund të të përgatisin çfarëdolloj axhende dhe mund të të hapin çdo lloj dere të cilat për njerëzit e zakonshëm janë të pahapshme. Te dish ta përdorësh këtë gjë në interes publik, jo vetëm në interesin e politikës së brendshme, është maksimumi.

Por Rama ka qenë i detyruar që të lidhi fatin e tij me fatin e Shqipërisë dhe ka lidhur fatin e Shqipërisë me këta dy personazhe. Kjo, unë mendoj, se i ka dhënë atij një avantazh që të tjerët nuk e kapin dot.

Monika: Si ka mundur të influencojë tek këta të dy?

Artur Zheji: Ky është sekreti. Çdo gjë që do thoja unë do ishte një hamendësim dhe nuk jam parashikues, nuk di të shoh. Këta konspiracionistët do të thonin që është një lidhje. Por sido që të jetë, këta janë njerëz të cilët në karrierat e tyre janë kaq të paarritshëm, saqë kur ia arrijnë dhe kur ata ndërtojnë një partneritet me ty, nuk ka më shumë se ata.

Lini një Përgjigje