
Nëse shteti nuk ndërhyn, kjo dërgon një mesazh të qartë, që krimi i organizuar dhe oligarkët e lidhur me pushtetin janë më të fuqishëm se ligji dhe mbrojtja e qytetarëve.
Unë, Av. Arben Llangozi, reagoj publikisht dhe me forcë në mbrojtje të gazetarit Almer Toska që ka denoncuar aktivitetet kriminale dhe lidhjet e oligarkut Lul Morina me pushtetin aktual.
Pas publikimit të shkrimeve investiguese për të shkuarën e tij, Morina ka dërguar kërcënime direkte, ndaj gazetarit Almer Toska duke përdorur gjuhë shantazhi dhe duke kërcënuar familjen e gazetarit, duke bërë të qartë se synon të heshtë të vërtetën me frikësim.
Kërcënimi i gazetarit nuk është më një çështje personale, është një problem publik që prek të gjithë shoqërinë shqiptare.
Liria e shtypit nuk mund të jetë një mall i oligarkëve dhe të pushtetshmëve. Gazetari, i cili ka për detyrë të zbardhë të vërtetën dhe të mbrojë interesin publik, nuk mund të rrezikohet dhe kërcënohet pa ndonjë reagim nga shteti.
Lul Morina ndoshta mendon se gazetari është një “objekt” që mund të përulej dhe të frikësohej, siç kanë qenë dikur viktimat e trafikimit që ai drejtonte në të kaluarën. Por gazetaria nuk ka tutor, nuk nënshkruhet dhe nuk dorëzohet përballë kërcënimeve, dhunës apo frikës së imponuar nga individë me të kaluar kriminale.
Gazetari nuk është pasuri private që mund të kontrollohet; ai është mbrojtës i së vërtetës dhe zëri i publikut, i lirë nga çdo presion dhe manipulim. Çdo përpjekje për ta trembur, për ta frikësuar ose për ta heshtur, tregon vetëm frikën e tij nga drita e fakteve dhe paaftësinë për të argumentuar kundër të vërtetës.
Në këtë kuadër, kërcënimet e hapura të oligarkut nuk janë shenjë fuqie, por dëshmi e paaftësisë dhe kriminalitetit të tij të vazhdueshëm, që e bën edhe më të domosdoshme reagimin e menjëhershëm të institucioneve ligjzbatuese.
Është e papranueshme që Policia e Shtetit dhe prokuroria të heshtin përballë kërcënimeve të hapura ndaj gazetarit. Nëse kërcënohej një gjyqtar, reagimi do të ishte i menjëhershëm, me eskortë dhe masa mbrojtëse.
Nëse kërcënohej një prokuror, veçanërisht ata të SPAK-ut, ai do të shoqërohej menjëherë dhe mbrohej me të gjitha mjetet ligjore të mundshme. Por gazetari që denoncon vjedhjen, korrupsionin dhe lidhjet e oligarkëve me pushtetin mbetet i pambrojtur. Ky është një standard i dyfishtë që nuk mund të lejohet.
Një oligark që vjedh vendin, shantazhon qytetarët dhe gazetarët dhe mbrohet nga heshtja e organeve ligjzbatuese, është shembulli më i qartë i kapjes së shtetit nga krimi.
Heshtja nuk është neutralitet; ajo është bashkëpunim me krimin. Nëse shteti nuk ndërhyn, kjo dërgon një mesazh të qartë, që krimi i organizuar dhe oligarkët e lidhur me pushtetin janë më të fuqishëm se ligji dhe mbrojtja e qytetarëve.
Unë kërkoj publikisht që Policia e Shtetit të ndërmarrin veprime të menjëhershme për mbrojtjen e gazetarit dhe hetimin e kërcënimeve të hapura nga Lul Morina. Nuk ka asnjë justifikim për mosveprim. Liria e shtypit, siguria e qytetarëve dhe sundimi i ligjit nuk mund të jenë më pronë e oligarkëve.
Ky është momenti kur institucionet duhet të tregojnë se ligji është në shërbim të qytetarëve dhe jo i oligarkëve që përdorin pushtetin dhe paratë për të imponuar frikë dhe heshtje. Heshtja e sotme do të thotë humbje e besimit të qytetarëve dhe forcim i kapjes së shtetit nga krimi dhe korrupsioni.
Unë i bëj thirrje organeve ligjzbatuese, mos lejoni që kërcënimet dhe frika të vendosin mbi të vërtetën. Mbrojtja e gazetarit nuk është opsionale, është detyrim ligjor dhe qytetar.
Liria e shtypit, sundimi i ligjit dhe mbrojtja e qytetarëve nuk mund të jenë pronë e oligarkëve. Nuk ka kompromis me kërcënimet dhe kapjen e shtetit.
Lini një Përgjigje