TAGS-AT E JAVËS

Forum30 Qershor 2025, 20:03

Metani në mbrojtje të magjistratëve! Qytetarëve u mbyllet goja për të mos u ankuar në media për korrupsionin në drejtësi

Shkruar nga Arben Llangozi

Metani në mbrojtje të magjistratëve! Qytetarëve u mbyllet

Nëse ILD dhe Metani nuk përgjigjen me hetim dhe masa, por me sulme ndaj medias, atëherë ata po tregojnë se janë më shumë mbrojtës të status quo-së sesa garantë të drejtësisë.

“Bëmat e radhës së Artur Metanit vijojnë të tronditin skenën e drejtësisë, ku ai jo vetëm që shmang përgjegjësitë e kontrollit dhe hetimit të magjistratëve, por edhe i merr ata në mbrojtje me një përkushtim të habitshëm.

Në vend që të jetë zëri i qytetarëve dhe garant i transparencës, Metani duket se është kthyer në avokatin më të zëshëm të magjistratëve që bien nën dyshim, duke e kthyer detyrën e tij në një farsë të hidhur për drejtësinë.”

Në fjalimin e tij të fundit, Artur Metani, në cilësinë e kreut të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë (ILD), përmendi “presionet mediatike” si një nga faktorët që sipas tij kërcënojnë pavarësinë e gjyqësorit. Ai tha, "Presionet mediatike, shpesh të nxitura nga interesa politike apo ekonomike, dëmtojnë figurën e magjistratit dhe besimin e qytetarëve në drejtësi, ndaj ILD duhet të mbrojë sistemin nga sulmet e jashtme."

Por detyra ligjore dhe morale e zotit Metani dhe ILD-së është krejt tjetër, ata duhet të fillojnë hetime të thelluara e të paanshme pas çdo denoncimi mediatik që ngre dyshime për veprime të paligjshme ose inkriminuese të magjistratëve. Jo të mbrojnë magjistratët nga ato denoncime, as t’i konsiderojnë ato “presion”, por t’i trajtojnë si sinjale të rëndësishme që kërkojnë përgjigje konkrete.

Media dhe gazetarët investigativë janë zëri i publikut, që ushtron të drejtën e pakontestueshme për t’u informuar dhe për të kërkuar llogaridhënie ndaj pushtetit gjyqësor.

Denoncimet e tyre janë shpesh një thirrje për drejtësi dhe transparencë, jo sulm ndaj sistemit. Nëse ILD dhe Metani nuk përgjigjen me hetim dhe masa, por me sulme ndaj medias, atëherë ata po tregojnë se janë më shumë mbrojtës të status quo-së sesa garantë të drejtësisë.

Publiku ka të drejtë të dijë të vërtetën dhe gazetarët kanë detyrën e shenjtë për ta sjellë atë në dritë. Kur denoncohen magjistratë për veprime inkriminuese, përgjigjja e parë e ILD-së duhet të jetë nisja e hetimeve të menjëhershme, dhe jo sulmi ndaj gazetarëve apo përpjekja për të minuar besimin ndaj tyre.

Në fund të fundit, ILD nuk është një mburojë për magjistratët, por një mekanizëm kontrolli dhe ndëshkimi, që garanton se askush nuk është mbi ligjin. Nëse kjo përgjegjësi injorohet ose shtyhet, atëherë ILD dhe drejtësia e Shqipërisë po tradhtojnë qytetarët dhe idealet e demokracisë.

Në vend që të krijojë klima frike ndaj medias, zoti Metani duhet të kuptojë dhe të respektojë rolin e jashtëzakonshëm që media luan në mbrojtje të interesit publik dhe në forcimin e drejtësisë. Vetëm nëse denoncimet mediatike trajtohen me seriozitet dhe ndjekin hetime të pavarura, drejtësia do të mund të rikthejë besimin dhe integritetin e saj.

Artur Metani duhet të japë llogari publike për zvarritjet e papranueshme që ka kryer Inspektorati i Lartë i Drejtësisë nën drejtimin e tij në nisjen dhe zhvillimin e inspektimeve ndaj magjistratëve të denoncuar, pa u munduar të gjejë fajtorin te media, kjo mungesë përgjegjësie dhe vonesë flagrante në hetime minon besimin e publikut në drejtësi dhe hedh dyshime të thella mbi seriozitetin e angazhimit të tij për të luftuar korrupsionin dhe abuzimet brenda sistemit gjyqësor.

Fjalimi i zotit Metani ngjante më shumë me një skeç të stërzgjatur komik sesa me një deklaratë serioze nga drejtuesi i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë.

Në vend që të merrte përgjegjësinë e vet të thjeshtë dhe të qartë, nisjen e hetimeve ndaj magjistratëve të denoncuar për shkelje e abuzime ai preferoi të luajë rolin e mbrojtësit të pandëshkueshmërisë dhe avokatit të magjistratëve.

Në vend që të përqendrohej te detyra e tij ligjore dhe morale për të garantuar transparencë dhe llogaridhënie, zoti Metani zgjedhi të flasë për “presionet mediatike” dhe “sulmet ndaj magjistratëve”, duke u shfaqur si mbrojtësi i kastës së pandryshueshme të magjistratëve të paprekshëm një kastë që ndoshta e sheh drejtësinë si një arenë ku ata janë zotër të pakundërshtuar.

Është pothuajse ironike që një person i paguar për të mbrojtur integritetin e drejtësisë, ka harruar se detyra e tij kryesore është të inspektojë dhe të hetojë, jo të mbrojë nga kritikat dhe denoncimet.

Me këtë sjellje, Metani më shumë duket si “ndihmës i pandëshkueshmërisë” sesa si garantues i ligjit dhe i barazisë para tij.

Në fakt, fjalimi i tij ishte një përpjekje e dëshpëruar për të hequr përgjegjësinë nga supet e tij dhe për t’i hedhur fajin atyre që guxojnë të zbulojnë të vërtetën.

Në vend që të marrë seriozisht kritikat dhe të nisë hetime të thella, ai zgjedh të sulmojë median dhe të krijojë një atmosferë frike dhe heshtjeje.

Në fund të fundit, zoti Metani është shembulli i qartë i një inspektori që s’di të inspektojë një dështak në detyrë që preferon të bëhet mburojë e pandëshkueshmërisë dhe një farsë hidhur për të gjithë ata që besojnë se drejtësia duhet të jetë e ndershme dhe e paanshme.

Lini një Përgjigje