TAGS-AT E JAVËS

Forum30 Qershor 2025, 11:17

Doktori e “fjeti” mendjen…

Shkruar nga Artur Ajazi

Doktori e “fjeti” mendjen…

Por një gjë është e sigurt. Berisha sot është njeriu më i lumturuar nga rezultati i zgjedhjeve të 11 Majit.

Lere çfarë thotë, çfarë lexon dhe nxjerr në ekrane (video me vjedhje votash). Doktor Berisha e ka fjetur mendjen. Edhe 4 vjet deputet, edhe 4 vjet kryetar partie, edhe 4 vjet kryetar opozite. Edhe 4 vjet, do ta nxijë sallën e Parlamentit me tymuese, do të bëjë “ca opozitë”, pastaj “ca zhurmë”, do të akuzojë kryeministrin, ministrat e rinj dhe të tjetër, dhe pastaj gjithçka do të shkojë “vaj”.

Nga kryetar partie nuk e luan më as “topi” i Bamirit, dhe as murtaja e bagëtive. Kaq ishte. Mbaroi shpejt “mosnjohja e rezultatit të zgjedhjeve”. Berishës i interesonte ky rezultat. Edhe sikur, (gjithmonë sikur) të fitonte zgjedhjet, mendoj se do të ishte më i sikletosuri, pasi nuk kishte as vuxhutin dhe as njerëzit e duhur që ta qeveriste vendin.

Ndaj, rezultati ishte “OK”, pavarësisht se çdo ditë Berisha dhe berishët e veckël, dalin dhe ripërsëritin atë që thotë ai. “Nuk njohim zgjedhjet, nuk njohim farsën, duam zgjedhje të reja”. Shqiptarët janë shurdhuar dhe mësuar me kësi llafesh. Ka gjë të re? Atëherë kur nuk ka, përse dalin dhe bëjnë gërr-vërr. Berisha edhe sikur ta kishte porositur këtë rezultat, nuk do të ishte kaq preçiz. E kuptoni ? Ai edhe 4 vjet do të “qeverisë” Partinë Demokratike, madje dhe opozitën. Kaq i mjafton, pasi nga kjo e hënë, nisën edhe proceset gjyqësore të ish-klubit Partizani. Aty qëndron thelbi. Berisha kërkon të manipulojë opinionin me profka. “Jam kryetar opozite, ndaj dhe më hetojnë, ndaj dhe më gjykojnë”. E ku ka më mirë se, të jesh kryetar partie opozitare dhe të jesh nën hetim apo gjykim.

Thuajse je i mbrojtur nga gjithçka, pavarësisht moshës së Doktorit. Pra, Berisha e ka fjetur mendjen. Pushtet nuk do. Kryeministër… nuk e kap dot. Ndaj ndihet komod në pozicionin e kryetarit të PD, kryetarit të opozitës, duke u përshtatur mrekullisht me pasionin e tij. Se si do të shkojë gjyqi, kjo mbetet të shihet në muajt në vazhdim. Por një gjë është e sigurt. Berisha sot është njeriu më i lumturuar nga rezultati i zgjedhjeve të 11 Majit. Ai e dinte fare mirë se, në gjendjen ku ndodhej partia e tij, opozita dhe vetë ai, ishte e pamundur 100 për qind fitorja përballë Partisë Socialiste dhe Edi Ramës.

Ndaj dhe premtimet e fushatës, i kishte me shumicë, duke mos e menduar reagimin e shqiptarëve, që prej 2013 bëjnë dallimin midis tij, dhe kryeministrit Rama. Sot për sot, nuk shoh pikën e optimizmit tek demokratët, se një ditë të bukur do të fitojnë zgjedhjet me votën e shumicës së shqiptarëve. Gjithsesi, Berisha e ka fjetur mendjen edhe 4 vjet. Pas 4 vitesh, kushedi ç’bën Zoti...

Lini një Përgjigje