Tërheqja e trupave amerikane, anulimi i marrëveshjes për raketat dhe tarifat e reja po e lënë Gjermaninë të pambrojtur në aspektin e sigurisë. Kjo situatë po prodhon një krizë të thellë politike që rrezikon stabilitetin e qeverisë Merz...
Vendimi i papritur i SHBA-së për të tërhequr trupat dhe për të anuluar furnizimin me raketa mbrojtëse ka krijuar një pasiguri të paprecedentë në Berlin. Eksperti ushtarak Carlo Masala, analizon se si këto lëvizje, të shoqëruara me tarifa të rënda mbi industrinë e makinave, nuk janë thjesht hapa simbolikë, por një goditje e drejtpërdrejtë ndaj sigurisë kombëtare dhe stabilitetit të liderëve gjermanë.
Ju jeni ekspert ushtarak dhe politolog në Universitetin e Bundeswehr-it në Mynih. A mund të na ndihmoni të kuptojmë dëmet nga njoftimi i SHBA për tarifa të reja ndaj makinave dhe tërheqjen e 5.000 ushtarëve nga Gjermania?
Ne nuk i dimë detajet. Numri i ushtarëve amerikanë në Gjermani ndryshon gjithmonë dhe varet edhe nga parimi i rotacionit. Që nga viti 2022 në Evropë janë dislokuar rreth 5.000 amerikanë më shumë. Tani do të tërhiqen. Bëhet fjalë për rreth 13-14 për qind të totalit. Është një gjest shumë simbolik. Por ka edhe më keq.
Në ç’kuptim?
Në korrikun e vitit 2024, në kuadër të samitit të NATO-s në Uashington, administrata Biden dhe qeveria Scholz kishin arritur një marrëveshje për vendosjen në Gjermani të raketave me rreze të mesme, mes tyre Tomahaëk dhe Dark Eagle, me rreze veprimi deri në 3000 km. Ajo marrëveshje është anuluar. Raketat amerikane duhej të ishin një zgjidhje e përkohshme, në pritje të atyre evropiane, të cilave do t’u duhen të paktën 3 ose 4 vjet për të qenë gati.
Pra nuk do t’i kemi raketat amerikane për t’u mbrojtur?
Por dhe kjo do të thotë se kemi një boshllëk në fuqinë parandaluese ndaj Rusisë.
Një cenueshmëri…
Po, një mungesë në kapacitetin parandalues. Po flasim për armë që në rastin e një sulmi rus, do të na lejonin të depërtonim thellë në territorin rus dhe të shkatërronim pozicione ushtarake dhe infrastrukturë që Moska do t’i kishte të nevojshme për të zhvilluar luftën. Mendoj se anulimi i asaj marrëveshjeje është shumë më i rëndë sesa tërheqja e trupave.
Pastaj janë edhe tarifat e reja, 25 për qind shtesë për industrinë e makinave…
Këtu i referohemi kryesisht Porsche, Volksëagen, BMW dhe Mercedes. Trump po ndëshkon Gjermaninë dhe e bën më fort me tarifat ndaj makinave sesa me tërheqjen e trupave.
Amerikanët kanë thënë gjithashtu se do të dorëzojnë disa armë më vonë se sa ishte parashikuar për evropianët. A është edhe kjo pjesë e hakmarrjes së Trump?
Jo, dihet prej javësh që dërgesat do të vonohen. Për shkak të luftës in Iran, ata kanë nevojë për këto raketa për veten e tyre.
Reagimi i ashpër i Trump-it u shkaktua vetëm nga zemërimi për fjalët e Merz-it për SHBA-në “e poshtëruar nga Irani”, apo ka të bëjë edhe telefonata e fundit mes presidentit amerikan dhe Vladimir Putin?
Nuk mendoj se lidhet me telefonatën me Putinin. Në qershor është planifikuar një takim i NATO-s, ku amerikanët duhet t’u paraqesin evropianëve rishikimin e vendosjes së forcave në Evropë (Force Posture Review). Në atë rast, evropianët do të informohen për zhvendosjen e trupave dhe ndryshime të tjera. Trump duket se e ka paraprirë vendimin për Gjermaninë.
Pra nuk ishte “gjithçka e parashikuar”, siç thotë Ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius?
Mendoj se Pistorius po e minimizon më tepër se ç’duhet këtë që po ndodh. As ministri nuk e dinte nëse Gjermania do të prekej nga kjo lëvizje e madhe strategjike. Qeveria është kapur në befasi dhe është vënë me shpatulla pas murit.
Çfarë duhet të bëjë tani?
Gjermania duhet të përshpejtojë zhvillimin e raketave me rreze të mesme.
Mendoni se ky vendim mund ta përkeqësojë edhe më tej pozicionin e Merz-it brenda qeverisë, e cila duket në prag krize?
Absoutisht që po. Mund të supozohet se marrëdhëniet gjermano-amerikane kanë pësuar një dëm afatgjatë. Kjo e dobëson edhe lidershipin e Merz-it në Evropë. Ka tre fusha ku Trump mund të na dëmtojë: tarifat, trupat, Ukraina.
Por nëse kancelari deklaron publikisht se Trump nuk ka një plan, duhet të jetë i përgatitur të përballet me pasojat. Duhet të ketë një plan. Dhe Merz nuk e ka. Të besosh se mund ta kritikosh Trump-in pa pasur pasoja është naive.
Prandaj hapi që duhet hedhur tani është t’u përgjigjemi tarifave të Trump-it me tarifat tona. SHBA-ja duhet të kuptojë sesa e cenueshme është ndaj tregut evropian./Pamfleti nga “La Repubblica”
Lini një Përgjigje