
Akrepat e orës së historisë po numërojnë saktësisht. Kemi hyrë në një periudhë vendimtare ku pritet të përcaktohet fati historik jo vetëm i Ukrainës, Evropës dhe Rusisë, por edhe ai i Shteteve të Bashkuara dhe, rrjedhimisht, i rendit global. Aktorët kryesorë janë pikërisht ata që pritej: Donald Trump dhe Vladimir Putin.
Presioni amerikan ndaj Ukrainës
Media ukrainase "Strana" raportoi se dyshja diplomatike amerikane – Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe gjenerali Steve Witkoff, i dërguari special i presidentit Trump – kanë bërë të ditur se pala ruse ka parashtruar një sërë kushtesh gjatë takimit të fundit në Paris, duke përfshirë disa pika të rëndësishme që dolën nga takimi paraprak mes Putinit dhe Witkoff-it në Shën Petersburg.
Duke analizuar retorikën e Rubios pas bisedimeve të Parisit, bëhet e qartë se as Kievi dhe as evropianët nuk u shfaqën entuziastë për këto propozime. Kjo e ka shtyrë SHBA-në që të ushtrojë presion ndaj Ukrainës dhe Evropës, duke paralajmëruar se mund të tërhiqen plotësisht nga negociatat nëse nuk arrihet një rezultat në takimin e ardhshëm në Londër, që pritet të zhvillohet brenda kësaj jave.
Nëse bisedimet dështojnë, kjo mund t’i hapë rrugë tërheqjes së Shteteve të Bashkuara jo vetëm si ndërmjetësues, por edhe nga pozicioni i tyre mbështetës, duke krijuar hapësirë që Putini të rifillojë ofensivën në Ukrainë. Sinjalet janë të qarta: Moska tashmë ka bërë gati raketat balistike hipersonike të tipit "Oresnik", duke paralajmëruar një ofensivë me përmasa të papara më parë.
Çelësi i suksesit për Putinin është thyerja e rezistencës europiane. Në këtë moment kritik po zhvillohen bisedime intensive mes delegacioneve amerikane dhe evropiane, të cilat mund të jenë vendimtare për fatin e rajonit dhe Evropës në përgjithësi.
"Dhurata" e Trump për Putinin
Deklarata e fundit e ndihmësit të Putinit, Vladimir Medinski, e publikuar në agjencinë TASS, është një sinjal i qartë se plani i propozuar së fundmi nga presidenti amerikan Donald Trump për paqen në Ukrainë mund të jetë harmonizuar paraprakisht me Moskën.
Medinski e përshkroi këtë plan si "transformim të pabesueshëm në politikën amerikane", i cili "do të përfundojë patjetër në faqet e teksteve shkollore ruse dhe botërore". Ai shtoi se si historian ndihet dëshmitar i një "epoke historike".
Edhe zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e ka mbështetur publikisht këtë plan. Analisti i njohur kroat Zoran Meter, duke analizuar këtë fenomen, sugjeron se Putini mund ta ketë joshur Trumpin me marrëveshje fitimprurëse ekonomike që përfshijnë kompanitë amerikane në territorin e Rusisë së pasur me burime minerare. Këtë hipotezë e përforcon vizita e fundit e Kirill Dmitriev, i dërguar special rus për investime shtetërore në SHBA.
Për ta bërë më bindëse këtë ofertë diplomatike, Putini bëri edhe një lëvizje propagandistike në prag të Pashkëve, duke shpallur papritur një armëpushim dyditor dhe shkëmbim të robërve të luftës.
Çfarë përmban plani i Donald Trump?
Sipas mediave perëndimore dhe ukrainase, plani i Trump përmban disa pika të ndjeshme:
-Armëpushim përgjatë vijës aktuale të frontit, ku zonat e pushtuara nga Rusia mbeten nën kontrollin e saj.
-Refuzim të anëtarësimit të Ukrainës në NATO.
-Heqje graduale të disa sanksioneve amerikane dhe evropiane ndaj Rusisë.
-Krijimi i një zone neutrale rreth centralit bërthamor të Zaporizhias, nën kontroll amerikan.
-Njohja e sovranitetit rus mbi Krimenë.
-Është domethënës fakti që autoritetet ukrainase deri më tani nuk kanë mohuar ekzistencën e këtij plani.
Perëndimi në ankth
Ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për të parë nëse Moska do ta pranojë këtë "dhuratë" nga Trump, apo do të vendosë të vazhdojë luftën, duke kërcënuar me një përshkallëzim të ri, potencialisht katastrofik për Evropën Perëndimore.
Njoftimi përfundimtar për këtë pritet të bëhet së shpejti nga Steve Witkoff, i dërguari amerikan.
Çfarëdo vendimi që të merret, një gjë është e sigurt: tashmë kemi hyrë në një periudhë historike të rëndësishme, ku lufta proxy mes Amerikës dhe Rusisë në tokën ukrainase po shkon drejt fundit. Europianët, që dikur ishin gati ta sakrifikonin Ukrainën, tashmë janë në ankth dhe duhet të përballen me pasojat e vendimeve që po merren larg tryezës së tyre./Pamfleti
Lini një Përgjigje