Izraeli ka interesat e veta strategjike dhe gjeopolitike, të cilat nuk përkojnë domosdoshmërisht me vullnetin apo dëshirat e administratës amerikane. Kur Blinken thotë se ata nuk ishin as të informuar dhe as të përfshirë në sulmin ndaj Teheranit, besoj se ai po thotë të vërtetën...
Denoncimi është unanim: Rusia, Kina, Turqia, madje edhe SHBA-ja pretendon se nuk dinte gjë për atentatin. Nga ana tjetër, taktika e Izraelit është të ecë gjithnjë përpara, dhe të rikonfirmojë forcën e tij ushtarake dhe të shërbimeve të inteligjencës. Vetëm më pas, nëse është e nevojshme, do të shqyrtohet mundësia e negociatave.
Megjithatë, vendosmëria e Tel Avivit për të gjetur dhe ndëshkuar ata që janë përgjegjës për tragjedinë e 7 tetorit 2023, mund të jetë ketë herë shkaku i një përshkallëzimi të rrezikshëm të situatës në të gjithë Lindjen e Mesme. Vrasja e Ismail Haniyeh, liderit politik të Hamasit, i goditur me raketë teksa ndodhej në Teheran për ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri iranian Pezeshkian, mund të ndryshojë realisht rrjedhën e luftës.
Sherif El Sebaie, analist egjiptian, ekspert në gjeopolitikën e Lindjes së Mesme, thotë në këtë intervistë se gjithçka do të varet nga lloji i përgjigjes që vendos të japë Irani. Ai nuk përjashton as skenarët më katastrofikë, që mund të sjellë ky përshkallëzim.
Operacioni sekret në Teheranit ishte i bujshëm. Apo mos duke pasur parasysh historikun e Izraelit, duhej ta prisnim diçka të tillë?
Udhëheqësit e Hamasit ishin të vdekur të pakallur që nga 7 tetori i vitit të kaluar. Izraeli kishte premtuar se do t’i eleminonte, kudo që të ishin. Problemi i vetëm me Haniyeh, është se nuk atë mund ta godisnin as në Katar, pasi është një vend që po ndërmjetëson në krizën e Lindjes së Mesme, dhe as në Turqi, vend me të cilën Izraeli nuk dëshiron t’i përkeqësojë më tej marrëdhëniet. Në këto kushte, a kishte mundësi më të mirë sesa ajo që iu paraqit në Iran?
A është gjithashtu edhe një sulm ndaj kthesës së supozuar të moderuar të regjimit iranian me zgjedhjen e Pezeshkian?
Kandidatët presidencialë në Iran, verifikohen që të gjithë nga Udhëheqësi i Lartë i Revolucionit dhe cilido qoftë orientimi i tyre, pasi zgjidhen në detyrë, ata duhet t’i nënshtrohen atij. Dhe kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me Izraelin, Khamenei nuk duket të jetë një person i prirur për moderim.
Megjithatë Pezeshkian, deklaroi gjatë fushatës tha se do të jetë më i hapur ndaj Perëndimit:A do të jetë më e vështirë tani që të ndodhë kjo gjë?
Është një mision i vështirë për t’u çuar përpara, teksa paralelisht vazhdon mbështetja për milicitë Houthi dhe Hezbollah, të cilat po i krijojnë probleme të mëdha për Perëndimin, siç po shihet edhe në Detin e Kuq.
Pra përtej interpretimeve gjeopolitike, a kishte Izraeli objektivin për të eliminuar Haniyeh?
Izraeli ka politikat e veta, të cilat nuk janë domosdoshmërisht në përputhje me ato të SHBA-së apo Perëndimit. Ai ka një logjikë, të cilën e ka ndjekur që nga themelimi i vet:logjikën e forcës. Është një shtet që ndjek rrallë rrugën a paqes, përveçse pas një prove force. Ai e nis gjithmonë nga ky pozicion për të arritur më pas tek negociatat.
Irani e ka sulmuar Izraelin disa herë, drejtpërdrejt dhe tërthorazi, ka lëshuar dhjetëra raketa në vend. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe milicitë që ai mbështet. Siç ishte rasti i fundit i dronit të rebelëve Huthi, që shkaktoi një viktimë në Tel Aviv. Pastaj erdhi sulmi në Lartësitë Golan. Sa herë që sulmohet, Izraeli kundërpërgjigjet.
Në fakt, izraelitët e lidhën vrasjen në Bejrut të numrit dy të Hezbollahut, Fuad Shukr,me atë të liderit politik të Hamasit. Dy veprime të tilla, mund të shkaktojnë një përshkallëzim të situatës. A ndihet Izraeli aq shumë superior, sa që nuk merr fare parasysh pasojat e veprimeve të tij?
Grumbullimi i veprimeve të tilla, do të çojë herët a vonë në një përshkallëzim. Nëse vazhdojnë që të vrasin, duke e goditur Iranin pikërisht në momentin e inaugurimit të presidentit të ri, kjo do të ketë koston e vet. Kur Izraeli bombardoi ambasadën e tij në Damask, Irani u hakmor. Këtë herë do të reagojë edhe më fort, meqë goditja u krye në Teheran.
Këtë herë Irani nuk do mund të kufizohet me një sulm të telekomanduar. Por pastaj do të kundërpërgjigjen izraelitët...
Mbetet të presim dhe të shohim. Izraelitët mund të mos kundërpërgjigjen, siç ndodhi në fakt herën e fundit kur kryen një sulm të përmbajtur. Ose do të presin të përgjigjen më vonë me një operacion tjetër specifik. Rajoni është si një fuçi baruti, ku mjafton edhe shkëndija më e vogël për të hedhur në erë gjithçka.
Duke parë deklaratat e të paktën një pjese të qeverisë Netanyahu, në kushte të caktuara a mund të përdorin realisht armë bërthamore?
Sigurisht. Nëse do të gjendeshin në një situatë të rrezikshme, izraelitët mund t’i përdorin ato. Ndoshta armët bërthamore taktike, që janë më të kufizuara për nga efektet, por me fuqi të madhe shkatërruese. Dhe pastaj kanë edhe shumë armë konvencionale, të cilat mund të kenë efekte po aq shkatërruese.
Si do të përgjigjet Irani? Pezeshkian tha se vendi do të mbrojë integritetin e tij territorial, dhe flet për pushtues terroristë që do të pendohen për veprimin e tyre prej burracaku...
Është një zhargon tipik për udhëheqjen e Iranit. Duhet të presim dhe të shohim se çfarë do të thotë kjo në terma konkretë. Sigurisht, nuk do të kemi një raketë apo një dron të lëshuar rastësisht. Është gjithashtu e vërtetë se në përgjigjen e tyre ndaj sulmit në Damask i kishin paralajmëruar të gjithë. Dronët duhet të udhëtonin për 8 orë, dhe ishin në gjendje të rrëzoheshin. Prandaj, para se të flasim për përshkallëzim, duhet të shohim se çfarë përgjigje do të kemi. Nëse Irani do të donte ta vinte Izraelin në vështirësi, do të kombinonte një sulm në të gjitha frontet dhe do të angazhonte në betejë edhe Hezbollahun. Ose mund të përgatisë një aksion masiv, që do të vinte në vështirësi Kupolën e Hekurt, sistemin e mbrojtjes ajrore të Izraelit.
A është vrasja e Haniyeh, siç pretendon Katari, ‘guri i varrit’ për negociatat për lirimin e pengjeve dhe armëpushimin në Gaza?
Kohët e fundit, është kuptuar se ata që drejtonin realisht negociatat nuk ishin lidershipi politik i Hamasit jashtë vendit, por ai brenda Rripit të Gazës. Kjo s’do të thotë se ato nuk do të ecin përpara. Megjithatë, është e qartë se për momentin do të ndalen.
Blinken thotë se armëpushimi në Gaza është jetik. A ka mundësi që Netanyahu ta dëgjojë këtë herë SHBA-në?
Izraeli ka interesat e veta strategjike dhe gjeopolitike, të cilat nuk përkojnë domosdoshmërisht me vullnetin apo dëshirat e administratës amerikane. Kur Blinken thotë se ata nuk ishin as të informuar dhe as të përfshirë në sulmin ndaj Teheranit, besoj se ai po thotë të vërtetën.
Sigurisht, prapaskena të tilla do të jenë një burim tensioni me amerikanët, por pa prishur aleancën që e shohim të gjithë. Administrata Biden është në mesin e fushatës zgjedhore, dhe nuk dëshiron të përfshihet në një përshkallëzim. Një armëpushim në Gaza mund ta qetësojë situatën, por për momentin unë mendoj se ky nuk është qëllimi i qeverisë Netanyahu./Përshtati Pamfleti nga “Il Sussidiario”
Lini një Përgjigje