“As na shkonte kurrë në mendje, se përballë atij rrethimi të shumëfishtë me hekur dhe beton dhe rojeve të shumta në çdo qoshe e kthinë, mund të guxonte dikush të merrte arratinë. Po ja që tre “përbindëshat”, Adem Allçi, Dhori Gërnjoti dhe Sazan Hadëri kapërcyen tej çdo imagjinate dhe bën aventurën e paimagjinueshme, që nuk u përsërit më kurrë.”
Ka qenë 2 gushti i vitit 1967, kur tre të dënuar tentuan të thyejë burgun famëkeq të Burrelit. Adem Allçi, Dhori Gërnjoti dhe Sazan Hadëri njihen ndryshe nga bashkëvuajtësit si tre muskëtjerët që “ç’virgjëruan” pathyeshmërinë e ferrit të Burrelit.
Ismail K. njëri nga ish gardianët e burgut të famshëm, e ruan ende në kujtesë tensionin dhe gjendjen e jashtëzakonshme të asaj mbrëmje, kur aventura e tre “rebelëve të pandreqshëm”, ngritën në këmbë qytetin verior dhe tërë strukturat e sigurisë të shtetit komunist. As na shkonte kurrë në mendje, shprehet ai, se përballë atij rrethimi të shumëfishtë me hekur dhe beton dhe rojeve të shumta në çdo qoshe e kthinë, mund të guxonte dikush të merrte arratinë. Po ja që tre “përbindësha”, sikundër i quan ish gardiani, kapërcyen tej çdo imagjinate dhe bën aventurën e paimagjinueshme, që nuk u përsërit më kurrë. Po si ndodhi ngjarja dhe në çfarë rrethanash mundën të sfidojnë taborët e shtetit dhe arsenalin e armëve të dënuarit Adem Allçi, Dhori Gërjoti dhe Sazan Hadëri natën e 2 gushtit 1967...
Zoti Ismail! Ju keni shërbyer shumë vite në burgun e Burrelit, që ka qënë burgu i sigurisë së lartë në kohën e regjimit komunist, sa herë është thyer ai nga të burgosurit që vuanin dënimin aty?
Unë jam nga Burreli dhe kam shërbyer në këtë burg gati 15 vite. Ka qenë një nga burgjet më të vjetër të regjimit. E ka krijuar Zogu në fund të viteve 30 për kundërshtarët e tij dhe kriminelët më të rrezikshëm. Pas çlirimit komunistët e riparuan dhe e përdorën deri në fund të regjimit si burgun më të sigurt, të destinuar për të ashtuquajturit armiq e tradhtarë dhe kundërshtarë të tij. Prova e parë për ta thyer burgun është bërë aty nga fundi i viteve 40, ku një pjesë e nacionalistëve të goditur nga regjimi tentuan ta hapin me sulm nga jashtë për të nxjerrë nga qelitë kolegët e tyre të dënuar me shumë vite. Mirëpo tentativa e tyre dështoi, kjo falë reagimit të shpejt të forcave të sigurisë. Vetëm kaq dihet për këtë rast. Me sa di, deri vonë pastaj nuk ka pasur ndonjë tentativë tjetër. Ka qenë gushti i vitit 1967 kur burgu është thyer me forcë nga brenda...
Në këtë kohë ju keni qenë efektiv i sigurisë së burgut, apo e keni dëgjuar ngjarjen nga të tjerët?
Kur ndodhi ngjarja e 2 gushtit 67, që u thyen qelitë dhe dyert e burgut, unë shërbeja si gardian. Madje kisha tre vite që kisha filluar këtë detyrë. Ka qenë ajo një ngjarje vërtetë tronditëse, sidomos për personelin që shërbente aty, por dhe për qytetin i cili nga ky çast u fut në një shtetrrethim të tmerrshëm...
Në cilat rrethana të dënuarit poshtëruan rojet dhe thyen portën, çfarë nuk funksionoi nga tërë ato mekanizma sigurie?
Ka qenë mbrëmja e vonë, kur të dënuarve u bëhej apeli para se të binin në gjumë. Gjithçka ndodhi në dhomën 25, ku zakonisht qëndronin 20 të dënuar. Në momentin kur dy gardianët e paarmatosur ndiqnin këtë procedurë, njëri nga të burgosurit, Adem Allçi, në mos gaboj që kishte organizuar më parë planin e arratisë, iu thotë atyre se kishte një letër për udhëheqësin e shtetit. Gardiani e urdhëron sakaq të dalë nga rreshti dhe ti jap letrën. Kaq deshi iniciatori i arratisë dhe duke i zgjatur letrën me njërën dorë, me dorën tjetër e goditi me tërë forcën e muskujve duke e rrëzuar për tokë. Ndërkohë, dy shokët e tij, Dhori Gërjoti dhe Sazan Hadëri, neutralizuan gardianin tjetër, duke i lidhur duar e këmbë. Aty për aty u marrin çelësat që gardianët mbanin me vete dhe nisen turra vrap në drejtim të derës që të nxirrte në oborrin e ajrosjes. Prej aty fillojnë të ngjiten në tarracën e burgut për të vijuar më pas zbritjen nga krahu tjetër. E ndërsa zbresin e vrapojnë drejt rrethimit të jashtëm që ndodhej disa hapa larg burgut. Nxitojnë e hipin aty, po sakaq dëgjohet sinjali i alarmit dhe krisma e parë e rojës që i kishte dalluar. Teksa hidhen të prekin lirinë e vërtetë, që ishte vetëm dy hapa larg, bien në breshërinë e plumbave. Dhori e Ademi shpëtojë, Sazani sharrohet nga plumbat dhe bie pa ndjenja i mbytur në gjak...
Sa vazhdoi operacioni për ti kapur dy të arratisurit?
Dhori u kap po atë natë, diku afër mëngjesit, pasi kishte marrë pesë plumba dhe nuk mundte të ecte. Ndërsa Ademi është kapur pas disa javësh disa kilometra larg, afër fshatit Macukull...
Ju ishit me shërbim atë natë?
Atë natë isha pushim se një natë më parë, ditën e martë në mos gaboj, kisha qenë me shërbim 24 orësh. Sa kishte ndodhur ngjarja na lajmëruan dhe shkuam menjëherë në detyrë. Ishte një situatë vërtetë tronditëse. Ishte ngritur në këmbë tërë qyteti. Afër mëngjesit erdhi vet ministri i brendshëm Kadri Hazbiu me një grup të madh oficerësh. U dhjetëfishuan rojet, gardianët, u trefishuan radhët e telave me gjemba përqark burgut. Pastaj analiza të njëpasnjëshme për të nxjerrë përgjegjësinë. Dy gardianët që atë natë kishin bërë apelin u futën në burg. Po ashtu dhe oficeri i rojës. Drejtori i burgut u shkarkua menjëherë nga detyra. Me dhjetëra masa të tjera u morën për personelin përgjegjës. Një tmerr i paparë na pushtoi të gjithëve. Korpusi i Burrelit, me qindra dhe mijëra ushtarë, mori në ruajtje për disa javë burgun.
Çfarë u bë më tej me të arratisurit që mundën ta kaplonin rrethimin?
Me sa më kujtohet u ri dënuan me gjyq dhe 25 vite të tjera. Ndërkohë trupin e Sazanit që u vra teksa po kapërcente rrethimin, e mbajtën ashtu të copëtuar te porta e burgut tre katër ditë...
detaj
Tre burrat që thyen ferrin e Burrelit
Të tre 25 vjeçar, të burgosur me të njëjtën akuzë: tentativë arratisje.
Adem Allçi ndodhej në ferrin e Burrelit se kishte tentuar të arratisej në vitin 1962, dhe ishte dënuar me 15 vjet heqje lirie. Dhori Gërnjoti , i njohur asokohe si një nga boksierët më të mirë, provoi në vitin 1962 arratinë nga zona e Korçës, por e kapën dhe u dënua me 18 vite burg.Sazan Hadëri, vinte në Burrel, pas një procesi maratonë gjyqesh ku ishte dënaur me 20 vite burg, se kishte tentuar të arratisej në Itali. (Vijon...)/Pamfleti
Lini një Përgjigje