TAGS-AT E JAVËS

Forum 1 Gusht 2024, 15:42

Avokati i El Chapos: Marrëveshjet që arrijnë bosët e drogës me qeveritë para dorëzimit të tyre

Shkruar nga Samuel Lovett

Djali i El Chapo, Guzmán López, që thuhet se organizoi kapjen e Zambada García-s, ishte një udhëheqës i kartelit i një rangu më të ulët. Ai kishte qenë në negociata me zyrtarët amerikanë për vite me radhë për dorëzimin e tij, dhe siç pretendohet, e tradhtoi aleatin e vjetër të babait të tij, me shpresën e arritjes së një marrëveshje më të favorshme me zyrtarët amerikanë. Të martën ai u deklarua i pafajshëm për akuzat për trafik droge në një gjykatë federale në Chikago...

Avokati i El Chapos: Marrëveshjet që arrijnë bosët e
Eduardo Balarezo /

Bosët meksikanë të drogës, janë të njohur për dërgimin e pjesëve të trupit dhe kërcënimeve me vdekje dhe jo për kartolinat e Krishtlindjeve. Megjithatë, 3 vjet më parë, Eduardo Balarezo mori një urim për festën nga më famëkeqi prej tyre, Joaquín “El Chapo” Guzmán, ish-udhëheqësi i kartelit të plotfuqishëm Sinaloa.

“Unë kam gjithashtu një fotografi të tij duke mbajtur një automatik AR-15, të cilën e bëri në zyrën time”- thotë Balarezo, një avokat 58-vjeçar me banim në Uashington, i cili e mbrojti El Chapon në gjyqin e tij gati  vjet më parë. “Ai shkroi me dorën e tij një mesazh të shkurtër por të bukur”- shton ai.

Balarezo ka përfaqësuar në gjyq disa nga kriminelët më të mëdhenj në botë. Dhe ai mund të jetë sërish i kërkuar pas arrestimit të fundit të Ismael “El Mayo” Zambada García, ish-partneri i El Chapos dhe bashkëthemeluesi i kartelit të frikshëm Sinaloa.

Zambada García, 76 vjeç, ishte kërkuar prej kohësh nga autoritetet amerikane, por mendohej  gjithmonë si i paarritshëm, pasi vepronte shumë në fshehtësi. Por gjithçka ndryshoi javën e kaluar kur Joaquín Guzmán López, një nga djemtë e El Chapos, me sa duket i zuri pritë, e futi në një avion të marrë me qira dhe shkuan në El Paso, Texas ku të dy burrat u arrestuan së bashku nga autoritetet amerikane.

Kapja e papritur e Zambada Garcias, do të sjellë zhvillime të bujshme në sallën e gjyqit, nga zbulimet bombastike deri tek marrjet e ashpra në pyetje të dëshmitarëve. Dhe kjo është një diçka e njohur për Balarezon.

Arti i arritjes së marrëveshjes

Ai lë të kuptohet se është e mundur një marrëveshje për të përfaqësuar Zambada García-n. Shtylla kryesore e mbrojtjes, argumenton ai, do të ishte arritja e një marrëveshjeje me prokurorët amerikanë për një klient, që në pamje të parë, nuk ka gjasa të lërë ndonjëherë burgun.

“Duhet ta vendosësh një balancë dhe t’u thuash atyre:Nëse unë ulem dhe flas me ju, çfarë do të fitoj në këmbim? A mund të jem në një burg më të mirë? A mund të marr para nga njerëzit e afërt? A do ta lini të qetë familjen time? Këto gjëra mund të negociohen”- thotë avokati.

Opsioni i sigurimit të një dënimi të reduktuar nuk ka gjasa që të jetë në tryezë, sugjeron Balarezo, sepse qeveria amerikane synon ta bëjë një shembull ekzemplar rastin e Zambada García-s, sidomos tani që vendi po përballet me një krizë mbarëkombëtare të shkaktuar nga përdorimi të drogës super të fortë, fentanil, ku karteli Sinaloa ka një rol të rëndësishëm.

Kjo krizë vret më shumë se 55.000 amerikanë çdo vit. Por duke pasur parasysh përfshirjen e tij korruptimin e zyrtarëve të qeverisë së Meksikës, thotë Balarezo, prokurorët amerikanë mund të kenë interes të flasin me të... “Pra duhet një lëvizje shumë e llogaritur”- thotë avokati.

Strategu “El Mayo”

Zambada García, për kapjen e të cilit ishin vendosur si shpërblim 15 milionë dollarë, doli të mërkurën në një gjykatë në El Paso, megjithatë pritet që përfundimisht të dalë në gjyq në Chikago. Ai përballet me akuza që variojnë nga prodhimi dhe shpërndarja e fentanilit, trafiku i drogës, vrasjet, rrëmbimi, pastrimi i parave dhe krimi i organizuar.

Të premten e javës së kaluar, avokati i tij tha se ai ishte deklaruar i pafajshëm për secilën nga akuzat. Ndërsa El Chapo përqafoi një stil jete si të një bosi të drogës - me arratisje të guximshme nga burgu, vrasje brutale dhe armë të veshura me diamante - Zambada García mbajti një profil të ulët si strateg i urtë i perandorisë së tyre kriminale, duke u siguruar që operacionet të ecnin pa probleme dhe të sillnin fitime.

Djali i El Chapo, Guzmán López, që thuhet se organizoi kapjen e Zambada García-s, ishte një udhëheqës i kartelit i një rangu më të ulët. Ai kishte qenë në negociata me zyrtarët amerikanë për vite me radhë për dorëzimin e tij, dhe siç pretendohet, e tradhtoi aleatin e vjetër të babait të tij, me shpresën e arritjes së një marrëveshje më të favorshme me zyrtarët amerikanë. Të martën ai u deklarua i pafajshëm për akuzat për trafik droge në një gjykatë federale në Chikago.

Linjat e sulmit të palës mbrojtëse

Nëse gjyqi i El Chapo do të vazhdojë, Zambada García dhe avokatët e tij do të përballen me një mori provash inkriminuese: biseda  të përgjuara, rrëfime dëshmitarësh, konfiskim droge, video, blloqe me shënime mbi lëvizjet e parave etj.

Dhe kjo të thotë se mbrojtja duhet të mendojë me kujdes për strategjinë e saj thotë Balarezo. Pesë vjet më parë, ai ishte më i shqetësuar nga kërcënimi që paraqisnin ish-bashkëpunëtorët e kartelit të El Chapo-s. Pra nga ata që tashmë po vuanin dënimin në SHBA dhe që “supozohej se i dinin të gjitha gjërat që ndodhën, dhe kush bëri çfarë”.

Gjithsesi, të njëjtët burra po “bashkëpunonin me qeverinë e SHBA-së në këmbim të diçkaje”, si një ulje të dënimit me burg, ndaj kishte të ngjarë që të ofronin dëshmi të ekzagjeruara. “Kjo është diçka që një avokat e thekson gjithmonë para jurisë, dhe me këtë e sulmon organin e akuzës”-thotë avokati.

Linja e dytë e sulmit, ishte “përpjekja për të bërë një krahasim midis Zambada García-s dhe El Chapo-s”, shton ai, duke sugjeruar se teksa i pari është tani në bankën e të akuzuarve, avokatët e tij mund të përdornin të njëjtën taktikë, por në kahjen e kundërt.

Juria në gjyqin e El Chapo-s kërkoi 6 ditë kohë. “Nëse rasti është kaq i rëndësishëm, atëherë duhet të kishte qenë një vendim më i shpejtë. Ndoshta ata po mendonin për disa nga gjërat që thamë në seancë”-mendon avokati.

Avokatët e Zambada García-s, kanë filluar të pretendojnë se klienti i tyre është “rrëmbyer me forcë”, dhe se është transportuar ilegalisht në Amerikë. Krijimi i narrativave të tilla në fillim, vëren Balarezo, është jetik për të zhvilluar një betejë të fortë ligjore në sallën e gjyqit.

“Ata ndoshta do të argumentojnë se Guzmán López ishte në thelb një agjent i SHBA-së, dhe ai e rrëmbeu atë. Por se sa larg mund të shkohet me këtë tezë, unë nuk e di”- thekson Balarezo. Alibitë e mëparshme mbi ekstradimet e paligjshme kanë dështuar.

Por ekziston një precedent ligjor i vjetër, që i lejon prokurorët të ndjekin çështjet e të pandehurve që janë çuar në SHBA nën presionin fizik. Prandaj, kjo narrativë mund të shërbejë vetëm për ta vonuar, në vend se ta pengojë procesin.

Një karrierë duke mbrojtur kriminelët

Balarezo e kujton si të ishte dje ditën e hapjes së gjyqit të El Chapos. “Unë po shihja me vëmendje anëtarët e jurisë, se mos bënin ndonjë reagim. Pra po kërkoja ndonjë shenjë, që mund të na jepte një ide se çfarë ishin duke menduar”- thotë ai. “Megjithëse të gjithë presin një rezultat të caktuar, ti duhet ende të përpiqesh të sigurosh një përfundim tjetër”- thekson ai.

Sigurisht që Balarezo e di shumë se për çfarë po flet. Krahas El Chapos, në mesin e ish-klientëve të tij përfshihen Antoine Jones, një trafikant amerikan droge; ish-kreu i kartelit Alfredo Beltrán Leyva; dhe Zhenli Ye Gon, një biznesmen kinezo-meksikan i akuzuar për kontrabandë të lëndëvë të para që përdoren për prodhimin e metamfetaminës.

Në rastin e tretë, Balarezo ia doli ta përjashtonte prokurorin nga procesi. Puna e tij e ka sjellë akoma më afër botës së krimit. Në fundin e viteve 2000, ai udhëtonte nëpër pyjet tropikale të Guatemalës për të negociuar me një bos droge për ta përfaqësuar atë në gjyq.

“Ata na morën në El Salvador, dhe më pas u futëm në xhungël. Telefonat na u morën. Ishte një situatë si në filma. Gjëja më e keqe ishte se rreth 2 muaj më parë, ata ishin bastisur nga DEA amerikane dhe autoritetet e Guatemalës. Dhe unë po mendoja:“Nëse ata ndërhyjnë tani, çfarë të bëj? Të shtrihem përtokë me duart mbi kokë? T’u them se jam një avokat amerikan?

A do të më besojnë vallë?”.

Dhe kjo ngre pyetjen:Pse duhet që dikush të shqetësohesh kaq shumë? Pse t’i nënshtroheni këtij rreziku dhe kritikave që vijnë për shkak të përfaqësimit në gjyq të kriminelëve? Intriga është një nga faktorët kryesorë thotë Balarezo. Për të është “magjepsëse” pasja e qasjes së rrallë dhe të pazakontë në botën e krimit.

Po ashtu ai beson se të gjithë individët, përfshirë Zambada García dhe El Chapo para tij, kanë të drejtën e një mbrojtjeje ligjore, pavarësisht nga akuzat që rëndojnë mbi ta. “Sistemi ynë i drejtësisë është krijuar për të mbrojtur të pafajshmit, edhe pse synon që të nxjerrë fajtorët para drejtësisë. Ne nuk mund t’i lëmë mënjanë këto parime, as kur provat duken kokëforta apo kur na tmerrojnë krimet e tyre”- përfundon ai./Përshtati Pamfleti nga “The Times”

avokati i el chapos marrëveshje bosët e drogës qeveritë

Lini një Përgjigje