Donald Trump u ofroi kohët e fundit investitorëve të kriptomonedhave një drekë, për të cilën ata paguan 1.7 milion dollarë. Pasuria e presidentit të 47-të po rritet shpejt, e nxitur jo vetëm nga sipërmarrjet e tij por edhe marrëveshjet ndërkombëtare që përfshijnë anëtarët e familjes...
Donald Trump, është presidenti më i pasur në historinë e SHBA-së, dhe po ashtu edhe kabineti i tij. Që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë, pasuria e Trump ka vazhduar të rritet. Një vit më parë, pasuria e tij neto vlerësohej në 2.4 miliardë dollarë. Në fillim të mandatit të tij të dytë, ajo arriti në 3.7 miliardë dollarë.
Dhe tani, vetëm 3 muajt e parë të mandatit të tij të ri 4-vjeçar, kjo shifër është rritur në 5.1 miliardë dollarë. Që nga vitet 1970, thelbi i pasurisë së Trump ka qenë kompania e tij e pasurive të patundshme, Organizata Trump, të cilën e trashëgoi nga i ati.
Sot, asetet e saj përfshijnë afërsisht 20 fusha golfi dhe më shumë se 30 ndërtesa, që ose janë në pronësi të drejtpërdrejtë të familjes Trump ose gjenerojnë të ardhura përmes marrëveshjeve të licencimit nga marka e familjes. Kompania vlerësohet në rreth 2.65 miliardë dollarë, duke përbërë gati gjysmën e totalit të aseteve të presidentit.
Por siç është e zakonshme në sektorin e pasurive të patundshme, kompanitë i manipulojnë shpesh vlerësimet e pronave. Duke i ulur për të pakësuar barrën fiskale, ose rritur për të siguruar kushte të favorshme për kreditë. Ishte kjo praktikë që e futi në telashe Organizatën Trump në shkurt 2024, kur një gjykatë e Nju Jorkut e gjobiti me 355 milionë dollarë dhe e ndaloi përkohësisht të bënte biznes në këtë shtet.
Në vitin 2021, pasi u ndalua nga shumë platforma të mediave sociale pas trazirave të 6 janarit 2021, Trump themeloi Grupin Trump Media & Technology (TMTG), së bashku me rrjetin social klon të Twitter-it, Truth Social. Aty presidenti komenton mbi ngjarjet aktuale, sulmon kundërshtarët dhe shpall shumë nga vendimet e tij politike.
Në vitin 2024, TMTG u bë regjistrua në bursë, duke arritur një vlerësim prej 6.7 miliardë dollarësh deri në fund të ditës së parë. Tani ajo vlerësohet në 5.4 miliardë dollarë. Trump dhe familja e tij zotërojnë më shumë se gjysmën e aksioneve të kompanisë. Gjithsesi ecuria e biznesit të TMTG ka qenë zhgënjyese.
Në vitin 2024, të ardhurat e saj ishin vetëm 3.6 milionë dollarë, ndërsa humbjet arritën në 400 milionë dollarë. Që nga shkurti i vitit 2025, Truth Social kishte mesatarisht 304.000 përdorues aktivë çdo ditë në SHBA. Sa për krahasim, BlueSky ka 3 milionë përdorues dhe Twitter (X) 25 milionë.
Vlerësimet mbi pasurinë e presidentit nuk përfshijnë kriptomonedhat e tij personale, tokenin $WLFI dhe monedhën meme $Trump. Vlera e këtyre aseteve është rritur ndjeshëm gjatë 6 muajve të fundit dhe tani po i afrohet 3 miliardë dollarëve, më shumë se pjesa tjetër e bizneseve të Trump të marra së bashku.
Ka shumë pak informacion se kush ka investuar në këto sipërmarrje të familjes Trump, ndërsa administrata e tij synon një lehtësim akoma më të madh të rregulloreve në këtë sektor. Verën e vitit të kaluar, Trump dhe djemtë e tij filluan të promovonin një projekt kriptovalutash të quajtur World Liberty Financial.
Ndryshe nga kriptomonedhat si Bitcoin ose Ethereum, të cilat mund të tregtohen në bursa, tokeni $WLFI ka një çmim fiks, nuk mund të transferohet, dhe është i disponueshëm vetëm për investitorët e akredituar. Por tregu e sheh tokenin më pak si një mjet serioz investimi dhe më shumë si një mënyrë për t’u afruar me familjen e parë të Amerikës.
Vetë Trump është zyrtarisht i listuar nga kompania si “Avokati Kryesor i Kriptomonedhave”.
Tokenët shiten me çmime që variojnë nga 1.5 dollarë deri në 5 centë, dhe 75 për qind të të ardhurave që shkojnë për organizatat e lidhura me Trump. Ndër 50 mbajtësit kryesorë të tokenit $WLFI, gati gjysma besohet të jenë shtetas të huaj, pasi ata i blenë token-ët përmes bursave të kriptomonedhave që ndalojnë tregtimin nga qytetarët amerikanë.
Një nga blerësit më të mëdhenj ishte sipërmarrësi i kriptomonedhave nga Hong Kongu, Justin Sun. Në nëntor 2024, Sun bleu tokenë $WLFI me vlerë 30 milionë dollarë, u bë këshilltar i kompanisë dhe më pas investoi 45 milionë dollarë të tjerë. Këto kontribute, e ndihmuan $WLFI të fitonte rreth 56 milionë dollarë.
Deri në atë moment, Sun ishte akuzuar tashmë për manipulim të tregut. Në mars 2023, ai u akuzua se e kishte përdorur kompanitë e tij - Tron Foundation Limited, BitTorrent Foundation Ltd. dhe Rainberry Inc. - për të arkëtuar mbi 30 milionë dollarë fitime të pamerituara.
Por në shkurt 2025, drejtuesit e rinj të Komisionit të Letrave me Vlerë dhe Bursave (SEC) të Amerikës, të emëruar nga Trump, pezulluan çështjen kundër biznesmenit. (Më parë, Trump e kishte akuzuar djalin e paraardhësit të tij Joe Biden, Hunter Biden, se bënte biznes me Kinën duke marrë 1.5 miliardë dollarë nga sipërmarrësit kinezë).
Po ashtu, SEC pranoi të tërheqë një padi kundër Coinbase, platformës më të madhe të tregtimit të kriptomonedhave në SHBA, e cila ishte akuzuar për drejtimi e një burse pa licencë. Gjatë fushatës presidenciale të vitit 2024, Coinbase dhuroi 75 milionë dollarë në mbështetje të Trump.
Pas fitores së tij, kompania dha edhe 1 milion dollarë të tjerë për ceremoninë e inaugurimit, teksa 17 milionë dollarë shtesë erdhën nga kompanitë e tjera të kriptomonedhave. Çmimi i monedhës meme u rrit pas lajmit se Trump do të organizonte një darkë private për 220 mbajtësit më të mëdhenj të tokenëve.
25 mbajtësve kryesorë iu premtua një “takim VIP ultra-ekskluziv me presidentin” dhe një vizitë në Shtëpinë e Bardhë. Në bisedat me gazetarët, shumë blerës pranuan se e blenë monedhën meme me qëllim lobimin për interesat e tyre të biznesit gjatë takimit me Trump.
Demokratët në Kongres po kërkojnë hetime ndaj Trump dhe familjes së tij, duke i akuzuar ata për korrupsion dhe shitjen e qasjes tek presidenti njerëzve dhe kompanive, përfshirë shtetasve të huaj dhe korporatave me interesa financiare në SHBA.
Në Uashington, Donald Trump Jr., së bashku me partnerin e tij në biznes Omid Malik dhe djemtë e të dërguarit të posaçëm në Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, krijuan klubin e Degës Ekzekutive. Tarifa e anëtarësimit në të është gjysmë milioni dollarë. Lobistët dhe disa anëtarë të administratës Trump janë anëtarësuar tashmë.
Gjatë mandatit të parë të Trump, Organizata Trump, që drejtohej nga djemtë e presidentit, ishte zotuar të mos kryente biznes jashtë SHBA-së. Tani ky kufizim është hequr dhe kompania ka përfituar ndjeshëm nga sipërmarrjet e saj jashtë vendit.
Gjatë fushatës zgjedhore, Organizata Trump njoftoi arritjen e një marrëveshje prej 1.5 miliardë dollarësh për të ndërtuar një kompleks hotelesh, fushash golfi dhe shtëpish luksoze në Vietnam. Në mars të këtij viti, kryeministri i Vietnamit priti partnerin e Trump, Charles Boyd-Bowman, kreun e firmës së investimeve IDG Capital Vietnam, i cili deklaroi hapur se autoritetet po ndihmonin në përshpejtimin e ndërtimit.
Në qershor 2024, djemtë e Trump arritën një marrëveshje për të ndërtuar një hotel dhe një fushë golfi në Oman. Pas zgjedhjeve, Organizata Trump filloi ndërtimin e disa hoteleve dhe resorteve luksoze në qytete të mëdha indiane si Bangalore, Hyderabad, Noida dhe Mumbai. Vlera totale e tyre tejkalon 1 miliard dollarë.
Në fund të prillit, Donald Trump Jr. vizitoi disa vende të Evropës Lindore. Në Hungari, ai u takua me ministrin e jashtëm dhe mbajti një fjalim të paguar para figurave lokale të biznesit, duke e quajtur kryeministrin hungarez Orbán “një nga bastionet e fundit të dritës” në Evropë.
Në Bullgari, Donald Trump Jr. ishte një nga folësit kryesorë në një aktivitet të organizuar nga kompania e kriptomonedhave Nexo, e cila është akuzuar në Shtetet e Bashkuara për pastrim parash dhe mashtrim dhe është gjobitur me 45 milionë dollarë për shkeljet e saj.
Midis të pranishmëve ishte Delyan Peevski, një manjat i medias dhe politikan bullgar i cili është nën sanksionet e Aktit Magnitsky të SHBA-së për korrupsion. Djali i presidentit amerikan, u takua gjithashtu me ish-kryeministrin bullgar Boyko Borissov, i cili në vitin 2022 dyshohej për mashtrim me fondet e Bashkimit Evropian.
Në Bukuresht të Rumanisë, Trump Jr. foli në konferencën Trump Business Vision 2025, ku të pranishëm ishin një numër politikanësh vendas, të cilët janë akuzuar gjithashtu për korrupsion. Midis tyre ishin manjati i medias dhe politikani Dan Diaconescu, i dënuar për zhvatje në vitin 2015 me 5 vjet burg, dhe miliarderi Ion Țiriac, i akuzuar për përfitime nga privatizime të dyshimta.
Gjatë turneut të tij në Evropën Lindore, djali i presidentit u takua gjithashtu me presidentin serb Aleksandar Vuçiç. Autoritetet serbe i dhanë Organizatës Trump tokë në vendin ku ndodhej ish-ndërtesa e Ministrisë së Mbrojtjes në Beograd - e u shkatërruar në një sulm raketor të NATO-s në vitin 1999 - për ndërtimin e një hoteli luksoz dhe kompleksi banesash.
Projekti po financohet nga dhëndri i presidentit, Jared Kushner, fondi i investimeve i të cilit ka marrë mbi 3.5 miliardë dollarë nga qeveritë e Arabisë Saudite, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Me këto para, Kushner planifikon gjithashtu të ndërtojë një kompleks vilash prej 1.4 miliardë dollarësh në Shqipëri.
Në maj, presidenti Trump vizitoi 3 monarki të Gjirit Persik si pjesë e një turneu në Lindjen e Mesme. Më vonë tha se se kishte nënshkruar marrëveshje me qeveritë e tyre me një total prej 4 trilion dollarësh investimesh për ekonominë amerikane.
Ligji amerikan mbi konfliktet e interesit, i ndalon zyrtarëve publikë të ndërmarrin veprime që u sjellin fitime atyre apo anëtarëve të familjes. Por ky ligj, nuk po zbatohet për postin më të lartë të vendit. I vetmi mekanizëm i disponueshëm për të parandaluar Trumpin është shkarkimi nga detyra, të cilin kushtetuta e lejon në rastet e korrupsionit.
Por duke pasur parasysh gjendjen aktuale të polarizimit partiak, është e vështirë të imagjinohet një shkarkim që siguron 67 votat e nevojshme në Senat për të shkarkuar një president nga detyra. Edhe në rast se pranon se ka marrë ryshfet, Trump ka të ngjarë t’i shpëtojë përgjegjësisë ligjore pas largimit nga detyra. Korrikun e vitit të kaluar, një vendim i Gjykatës së Lartë u dha imunitet të gjerë ish-presidentëve./Pamfleti nga “The Insider”
Lini një Përgjigje