TAGS-AT E JAVËS

Forum12 Nëntor 2024, 12:56

Kush po kërcënon ta shpërbëjë Bashkimin Evropian

Shkruar nga Baria Alamuddin

 Kush po kërcënon ta shpërbëjë Bashkimin Evropian

Kërcënimi i vërtetë për Evropën nga brenda nuk vjen nga emigrantët afrikano-veriorë, turq apo afganë, por nga ksenofobët mendjengushtë dhe mediat nxitëse të urrejtjes, që synojnë të copëtojnë shoqëritë e tyre...

Raportet fillestare nga Amsterdami javën e kaluar, përshkruanin skena të tmerrshme të rrahjes së tifozëve izraelitë të futbollit gjatë një përleshje të dhunshme, të cilën autoritetet e etiketuan si antisemite. Gradualisht u shfaq një version më i nuancuar i ngjarjeve: tifozët ekstremistë të ekipit izraelit Maccabi Tel Aviv, kishin krijuar kaos para dhe gjatë ndeshjes kundër ekipit holandez Ajax, me thirrje anti-arabe dhe përkrahjen e sulmeve izraelite në Gaza.

U sulmuan shtëpitë ku valëviteshin flamuj palestinezë. Përmes një vargu thirrjesh raciste, ata këndonin: ”Në Gaza nuk ka shkolla, pasi nuk ka mbetur asnjë fëmijë!”. Zënkat më të mëdha shpërthyen pas ndeshjes, me përleshje të dhunshme midis tifozëve të Maccabit dhe banorëve vendas, shumë prej të cilëve janë me origjinë nga Afrika e Veriut.

Banda të rinjsh sulmuan tifozët izraelitë të futbollit. Ultrasit e Maccabit kanë një histori të turpshme dhune dhe propagande raciste, me lidhje të forta me të djathtën ekstreme të Izraelit. Tifozët hodhën slogane raciste ndaj lojtarëve të etnive të ndryshme, përfshirë anëtarët e ekipit të tyre, si lojtari hebre etiopian Baruch Dego, që iu desh të duronte imitimet e zhurmës së majmunëve nga turma.

Gjatë protestave kundër Netanyahut në vitet 2020-2021, tifozët e Maçabit sulmuan protestuesit me shkopinj dhe shishe të thyera. E gjitha kjo ngre pyetjen, se përse shtetet evropiane i lanë të hyjnë këta njerëz, dhe përse nuk u morën masa parandaluese për të parandaluar dhunën.

Në fakt, debati vazhdoi më tej, me vendimin për të luajtur ndeshjen e kombëtares izraelite në Paris këtë javë, pavarësisht gjithçkaje që ndodhi në Amsterdam. Ne duhet ta dënojmë dhunën e të gjitha formave që shfaqet.

Por ky është vetëm një shembull i mijëra incidenteve të tilla që nga shpërthimi i dhunës në Lindjen e Mesme në tetorin e vitit të kaluar, që ka shkaktuar demonstrata të mëdha në mbarë botën nga mbështetësit e të dy palëve, një rritje të dukshme të sulmeve antisemite dhe islamofobike, dhe zgjerimin e gjuhës së urrejtjes, keqinformimit dhe nxitjes së dhunës në internet.

Pjesa më e madhe e këtij përshkallëzimi të tensioneve civile mbarëbotërore, siç ishin trazirat që shpërthyen në mbarë Britaninë gjatë verës, pasi 3 fëmijë u vranë me thikë në një klasë kërcimi, është krijuar qëllimisht nga entitete të ndryshme dhe me axhenda specifike antisociale. Pretendimet e rreme në internet, se autori i sulmit me thikë në Southport ishte një emigrant mysliman, bënë që grupet e ekstremit të djathtë dhe neo-nazistët të organizonin disa netë trazirash të dhunshme islamofobike. U sulmuan qendrat që strehonin emigrantë dhe njerëz nga pakicat etnike.

Trazirat u qetësuan vetëm pas tubimeve të mëdha mbarëkombëtare kundër racizmit, së bashku me një kundërpërgjigje të fuqishme nga ana e qeverisë. Ngjarje të tilla, ndodhin në një kohë kur ka një forcim të ndjenjave kundër emigrantëve nga politikanët e krahut të djathtë dhe mediat populiste.

Kjo qasje, ka ndikuar në normalizimin e masave politike gjithnjë e më rrepta për të frenuar emigracionin, që shpesh kanë sjellë mbytjen në det të mijëra prej atyre që i ikin luftës dhe persekutimit në vendet e tyre. Evropa ka sot një popullsi të madhe me origjinë multietnike, përfshirë ata nga Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme.

Ndërsa një ksenofobi e tillë, ka shpesh në shënjestër emigrantët dhe refugjatët e ardhur kohët e fundit, e djathta ekstreme është përpjekur të nxisë urrejtjen ndaj të gjithë atyre me që janë me origjinë joevropiane. Konflikti në Gaza ka ndikuar në këtë polarizim, teksa e djathta ekstreme po përpiqet të demonizojë arabët dhe myslimanët si “mbështetës të terrorizmit”.

Nga ana tjetër një numër i madh evropianësh të bardhë, janë bërë gjithnjë e më të hapur në mbështetjen e çështjes palestineze. Në Francë, më shumë se 10 për qind e popullsisë janë emigrantë të lindur jashtë vendit. Po ashtu, një përqindje edhe më e madhe e qytetarëve kanë prejardhje etnike të ndryshme.

Shumë shtete të tjera evropiane, gëzojnë nivele të krahasueshme diversiteti. Realiteti është se migracioni në Evropë do të vazhdojë të rritet, pasi ekonomitë e vendeve perëndimore, me shoqëri shumë të plakura dhe me nivele lindjesh shumë të ulëta, kanë nevojë të madhe për punëtorë të huaj.

Dhe numri i njerëzve të zhvendosur si pasojë e konflikteve dhe paqëndrueshmërisë në mbarë botën është rritur shumë. Gjatë shekullit të ardhshëm, mund të arrijmë në pikën në të cilën shumica e qytetarëve evropianë do të pretendojnë, të paktën pjesërisht, se e kanë prejardhjen nga emigrantët.

Sot të gjithë sektorët ekonomikë, dominohen nga njerëz të një spektri të gjerë etnish. Në këto kushte, paniku racist i atyre që militojnë në të djathtën ekstreme, buron nga ndërgjegjësimi se kauza e tyre e urryer është tashmë e humbur. Kur u transferova në shtëpinë time aktuale shumë vite më parë, pronari i mëparshëm tha se në atë “lagje vërtet të bukur”, nuk do të takoja askënd tjetër të ardhur nga vendet e tjera.

Sot, një numër i madh fqinjësh të mitë janë me origjinë nga Azia Jugore. Por ne s’duhet të shpërfillim sfidat e vërteta sociale që vijnë nga migrimi në shkallë të gjerë. Shpeshherë refugjatët traumatizohen nga përvojat e tmerrshme prej të cilave janë larguar nga vendi i tyre.

Fëmijët e emigrantëve, e vuajnë shpesh ndjenjën e zhvendosjes, të mospërshtatjes së duhur në asnjërën nga kulturat. Për pasojë shumë komunitete emigrantësh janë shndërruar në geto, pasi qasja e mangët në një arsim cilësor, në shërbime dhe mundësi për të bërë karriere si gjithë të tjetër, krijojnë një rreth vicioz privimesh.

Ndërkaq, është shumë e rëndësishme që vetë emigrantët të përpiqen të integrohen me kulturën e tyre të re, duke mësuar me ndërgjegje gjuhën, dhe jo duke u sjellë në mënyra që i armiqësojnë vendasit ndaj tyre. Teksa e djathta ekstreme evropiane ka qenë në epërsi gjatë dekadës së fundit, ka pasur përpjekje të konsoliduara për të përdorur si armë dallimet kulturore.

Shumë shpesh, në vend se të ndriçojnë dhe informojë publikun, media populiste e ka themeluar modelin e saj të biznesit duke luajtur me paragjykimet dhe frikërat e njerëzve. Ato promovojnë dhe i bëjnë jehonë historive të rreme dhe të hiperbolizuara, për të ngjallur armiqësi ndaj të gjithë atyre që janë të ndryshëm.

Diversiteti kulturor, është tashmë tërësisht i natyrshëm në Evropën bashkëkohore, dhe migracioni i menaxhuar, është një parakusht për vazhdimësinë e fuqisë së saj ekonomike. Qytetet më të mëdha në botë si Londra, Nju Jorku dhe Parisi, janë ato që kanë diversitetin më të madh dhe kulturor.

Ndikimet kulturore të sapoardhura e pasurojnë shumë Evropën. Muzika, arti, letërsia, ushqimi dhe praktikat e tjera kulturore, e kanë përmirësuar jashtëzakonisht cilësinë e jetës së komuniteteve që më parë ishin më të varfra, konservatore dhe homogjene.

Qeveritë duhet të jenë në krye të fushatës së inkurajimit të shoqërive për ta vlerësuar dhe mbrojtur këtë diversitet, i cili na pasuron të gjithëve. Kërcënimi i vërtetë për Evropën nga brenda nuk vjen nga emigrantët afrikano-veriorë, turq apo afganë, por nga ksenofobët mendjengushtë dhe mediat nxitëse të urrejtjes, që synojnë të copëtojnë shoqëritë e tyre./Përshtati Pamfleti nga “Arab News”

bashkimi evropian shpërbërja

Lini një Përgjigje