Çfarë duan votuesit amerikanë nga zgjedhjet e 5 nëntorit: 4 vite ndryshimesh të mëdha apo 4 vite të rralla stabiliteti? Cili nga kandidatët, Kamala Harris apo Donald Trump, ka të ngjarë të përmbushë atë që duket se është dëshira e elektoratit për një përzierje të njëkohshme të trazimit të ujërave dhe normalitetit?
Trump hyri në politikën amerikane në vitin 2015, si një figurë e fortë përçarëse. Në debatet televizive dhe në zgjedhjet primare brenda Partisë Republikanë, ai i sulmoi ashpër kundërshtarët më tradicionalë duke premtuar ndryshime të mëdha.
Deklarata e tij më e paharrueshme, ishte se do të ndërtonte “një mur” përgjatë kufirit jugor të SHBA-së me Meksikën. Më pas mezi mundi në garën e madhe rivalen e tij demokrate, Hillary Clinton. Mandati i tij i parë presidencial prodhoi politika publike tradicionale, por edhe një kaos të vazhdueshëm.
Katër vjet më vonë, oreksi i elektoratit u zhvendos nga ndryshimet e mëdha tek stabiliteti.
Në skenë doli një tjetër figurë përçarëse, por këtë herë nga brenda Partisë Demokratike. Socialisti demokrat Bernie Sanders, arriti fillimisht një epërsi befasuese në zgjedhjet presidenciale.
Nga frika se shkalla e ndryshimit progresist (majtist) që ofronte senatori Sanders do të trembte shumë votues, paria e Paartisë Demokratike mbështeti në masë Joe Biden, ish-zëvendëspresidentin e Barack Obamës. Biden, një krijesë e kujdesshme e Senatit amerikan që zakonisht vepronte ngadalë, kandidoi për ta rikthyer vendin në normalitet.
Është e vështirë të kujtosh ndonjë gjë thelbësore që premtoi në fushatë, përveç zëvendësimit të asaj që u bë e njohur si kaosi i Trumpit. Me një diferencë të vogël votash, ndjesia e normalitetit që përçoi tek qytetarët e çoi atë në Shtëpinë e Bardhë.
Tani që janë në prag zgjedhjet e 2024-ës, kombi amerikan është në një dilemë të madhe mbi atë që dëshiron në presidencën e ardhshme. Nga njëra anë janë votuesit që thonë se duan stabilitet dhe normalitet. Ndërsa në anën tjetër gjendet një turmë tjetër e madhe që do ndryshim, përfshirë gatishmërinë për ta shpërbërë sistemin ekzistues.
E majta, e udhëhequr nga anëtarët e Senatit, dëshiron të reformojë Gjykatën e Lartë. Disa në të djathtën që mbështet Trumpin, duan të shpërbëjnë Departamentin e Drejtësisë, dhe kjo sa për fillim. Harris po i drejtohet votuesve të periferive si alternativa më e mirë dhe më e arsyeshme ndaj Trump.
Por vitin e kaluar, Departamenti i Arsimit i administratës Biden-Harris propozoi rishikimin e Titullit IX për t’i ndaluar shkollat dhe kolegjet të miratojnë një politikë që “ndalon kategorikisht studentët transgjinorë, të marrin pjesë në ekipet sportive në përputhje me identitetin e tyre gjinor”.
Për momentin kjo çështje është lënë pezull, por a duan prindërit e fëmijëve në shkollat e mesme të periferisë një “ndryshim”, që t’i lejojë djemtë të konkurrojnë në sporte kundër vajzave të tyre? Thuhet zakonisht se votuesit që mbështesin Trump, janë bashkëpunëtorë në një sulm ndaj “demokracisë”.
Në fakt, shumica e këtyre votuesve janë konservatorë tradicionalistë apo centristë të prirur nga e djathta, që janë në përgjithësi kundër përçarjeve politike dhe sociale të shkaktuara nga lëvizja “Zgjohu” (Woke). Për ta, figura e Donald Trump përputhet me konceptin e tyre mbi stabilitetin.
Kamala Harris është kritikuar kohët e fundit, pse nuk ka përmendur ndonjë dallim thelbësor politik midis saj dhe presidencës jopopullore të Biden, siç edhe e pranoi në “The View”. Megjithatë nuk ka asnjë arsye për t’u habitur që ajo është duke ripërsëritur në thelb manualin e Biden për zgjedhjet e vitit 2020.
Ashtu si Biden, edhe ajo po bën fushatë si një figurë anti-Trump. Harris e përdori tubimin e saj në fundit për të sulmuar karakterin dhe synimet e Donald Trump. Kjo është një strategji primitive, megjithatë pas rezultateve të ngushta të viteve 2016 dhe 2020, diferencat e vogël në kaq shumë shtete të lëkundura, tregon se strategjia Clinton-Biden-Harris për të kandiduar kundër Trump mbetet ende e përdorshme.
Megjithatë, ka pak arsye të besohet se Harris nuk po premton të njëjtin normalitet të rremë post-Trump që premtoi edhe Joe Biden. Pasi fitoi zgjedhjet, ky i fundit miratoi axhendën e politikës së krahut të majtë të senatorëve Sanders dhe Elizabeth Warren.
Edhe pse Kamala Harris e konsideron veten si më pak shkatërruese për jetën amerikane se Trump, ajo u shpreh këtë javë pro legalizimit të marijuanës, si dhe për dhënien e licencave të dyqaneve të kanabisit për njerëzit e dënuar për trafik droge, një politikë që tashmë po rrënon lagje të tëra në Nju Jork.
Ideja Biden-Harris se presidenca e Trumpit ishte një 4-vjeçar kaotik, e meriton një shqyrtim kritik. Sepse përpara se të mbërrinte pandemia Covid-19 në fillim të vitit 2020, aktivitetet e përditshme të vetë administratës Trump, vështirë se mund të cilësoheshin si kaotike.
Kush e mban mend miratimit e projektligjit të taksave në vitin 2017,apo miratimin në 2020-ën të projektit për ndërtimin e gazsjellësit Keystone XL? Ato që kujtohen më shumë që nga Dita e Inaugurimit e tutje, janë akuzat e medias mbi marrëveshjet e fshehta të presidentit Trump me rusët, hetimi i prokurorit special Robert Mueller, dhe procedurat e shkarkimit të ndërmarra nga demokratët në Kongres.
A duhet që Donald Trump të ketë një shans të dytë si president, pa këtë lloj bombardimi politik? Kjo nuk do të ndodhë nëse votuesit nuk i japin republikanëve kontrollin e Kongresit. Një fitore e qartë e republikanëve, do të ishte një rrugë drejt stabilitetit relativ politik, duke u dhënë demokratëve kohë për të ndryshuar lidershipin e tyre.
Por kujdes:Nuk është e qartë nëse vetë Trump e dëshiron stabilitetin politik, edhe nëse zgjidhet president. A do të vendosë ai vetë për gjithçka në një mandat të dytë, apo ka nevojë për partnerë? A do të ndaleshin tubimet e tij ku përdoret një gjuhë teje agresive?
A mund të arrijnë votuesit e pavendosur në përfundimin se Trump është në thelb një njeri i paqëndrueshëm mendërisht? Ka edhe një rrugë tjetër se si votuesit mund të zgjedhin një politikë më normale dhe të njohur:Ata mund të zgjedhin presidente Kamala Harris, edhe duke i dhënë republikanëve kontrollin e Senatit dhe Dhomës.
Sot, ky skenar nuk preferohet duke u cilësuar si një ngërç. Por është e mundur që me mençurinë e tij populli amerikan të imponojë një periudhë të caktuar qeverisjeje të kushtëzuar./Përshtati Pamfleti nga “Wall Street Journal”
Lini një Përgjigje