“Kavaja ishte e para që u priu proceseve demokratike”.
Njeriu që kemi përballë në kafen “Demokracia” ka bindjen se revolta e 25 marsit 1990 në stadiumin e Kavajës ka qenë i pari demonstrim publik kundër regjimit komunist.
Madje, sipas tij, artikulimi zyrtar për fillimin e zhvillimeve demokratike në vend i rezervon qëllimisht një rol periferik. Rexhep Rrugeja, njëri ndër organizatorët e demonstratës, rikthehet herë pas here te kjo qasje, teksa kujton ngjarjen e pazakontë gjatë ndeshjes Besa-Partizani në fund marsin e ’90, ku mbarë qyteti u ngrit në këmbë e protestoi fuqishëm me parullat “Poshtë diktatura”, “Enver- Hitler” “Liri-demokraci”, “Poshtë Nexhmije Hoxha”.
Zhvillimet e tjera, argumenton ai, duke veçuar vërshimin në ambasada në korrikun e atij viti dhe protestat e studentëve të njohura si lëvizja e dhjetorit, i përkasin një periudhe të mëvonshme. Përtej kësaj, pjesa tjetër e rrëfimit të 60-vjeçarit Rrugeja ndjek kronologjinë e ngjarjes me përshkrimin në detaje nga çasti i parë e deri te përballja e përgjakshme me policinë. “Nuk ishte diçka spontane, por një lëvizje e menduar dhe përgatitur më parë”, shton ai, duke kujtuar rrethanat e protestës, organizatorët, parullat e hedhura, dinamikën e ngjarjes, emrat e të plagosurve, të arrestuarit etj. E ndërsa përmbyll historinë, Rrugeja nxiton të zbulojë përcaktimin e vet, sipas të cilit protesta e 25 marsit 1990 mbetet preludi i lëvizjes antikomuniste në Shqipëri.
Zoti Rexhep, në dokumentet e Sigurimit rezulton se në pranverën e vitit ‘90 jeni dënuar për agjitacion e propagandë, duke u regjistruar si viktima e fundit e regjimit komunist.
Në çfarë rrethanash u bëtë objekt i Policisë Sekrete dhe si e kujtoni represionin e atyre ditëve?
Vërtet jam arrestuar në mars të vitit 1990, por nuk isha i fundit në radhët e të dënuarve politikë. Së paku në Kavajë, deri në shtator të vitit 1990, për motive të mirëfillta politike, u arrestuan me dhjetëra e dhjetëra të tjerë. Ishte koha kur regjmi përpëlitej në gërhamat e fundit dhe po hakmerrej me gjithë tërbimin e vet, si ujku kur jep shpirt. Qyteti ynë, që tërë jetën kishte pasur dy-tre policë, u bë një kazermë e madhe me detashmente sampistësh, policësh e rezervistësh të Shërbimit Sekret. U krijua një situatë me të arrestuar, të ndaluar e të dhunuar barbarisht, me demonstrim forcash në çdo rrugicë, lagje e mjedis publik.
Cilat ishin arsyet që regjmi e bëri Kavajën arenë represioni e persekutimi?
Kavaja ishte e para që filloi të rebelohet kundër tij. Reagimet kishin nisur fill pas rrëzimit të Murit të Berlinit, në formën e trakteve antikomuniste. Pastaj kjo u bë fryma sunduese e mbarë qytetit, që më së fundi po shfaqej mospajtuese me regjimin. Kudo flitej kundër diktaturës, kundër lidershipit komunist. Në shtëpi, në qendra pune, në rrugë, në dyqane. Nga veprime spontane, ilegale, në vijim, lëvizja mori formën e zhvillimeve masive publike. Në ditët e para të vitit 1990, ajo u bë më e organizuar dhe më kompakte. Kavaja stërmundohej të shkëpuste prangat e diktaturës dhe po i kundërvihej asaj me çdo mjet e me çdo formë. Kjo solli shpagimin e shtetit ndaj qytetit. Pikërisht për këtë arsye kupola komuniste solli ato ditë në krye të Komitetit të Partisë së rrethit Agron Tafën, numrin dy të Ministrisë së Brendshme. Kapërcimi i zëvendësministrit të Sigurimit të Shtetit në detyrën e sekretarit të parë, u shoqërua, sikundër pritej, me shtimin e terrorit në qytete. Kryexhelati i ardhur rishtas nga Tirana provoi tërë arsenalin e strukturave shtypëse, për të rifutur nën thundër të regjimit bashkëqytetarët e tij, por nuk ia doli, deri sa u detyrua të largohej me bisht në shalë. Koha e mbretërimit të Tafës është ngulitur në kujtesën e Kavajës si koha e shpërthimeve të mëdha, e ngjarjeve kulmore që u paraprinë zhvillimeve demokratike në vend. Sakaq, ajo njihet edhe si periudha e arrestimeve dhe goditjeve masive. Në fluksin e tyre ndodhi edhe arrestimi im.
A kishte lidhje me ndonjë ngjarje konkrete arrestimi juaj?
Unë u arrestova më 26 mars 1990, pas një demonstrimi të bujshëm kundër regjimit në stadiumin e Kavajës.
Çfarë keni parasysh kur e veçoni si demonstrim të bujshëm?
Ai ishte i pari demonstrim antikomunist në një mjedis publik me një pjesëmarrje të madhe. Aty u brohorit për herë të parë Enver Hitler. Ideja e organizatorëve për të shfrytëzuar praninë e tifozëve të shumtë në ndeshjen Besa-Partizani për një tubim kundër regjimit funksionoi në mënyrë perfekte. Atë ditë, për herë të parë, Kavaja shfaqi publikisht urrejtjen për komunizmin, për kupolën e diktaturës, për të venë e tiranit, për Policinë Sekrete. I tha “Jo” në një zë bishës staliniste që na kishte zënë frymën.
Kjo, gjatë kohës që zhvillohej takimi Besa-Partizani në stadiumin e qytetit?
Më saktë, aty nga fundi i ndeshjes, siç ishte vendosur nga organizatorët…
Pra, ka pasur një plan me një skenar të detajuar?
Pa dyshim që kishte një të tillë me lajmërimin për çfarë do të ndodhte në stadium, për parullat që do të hidheshin, për mënyrën e reagimit ndaj policisë, për momentin kur do të shpërthente.
Dhe a funksionoi deri në fund?
Diçka stonoi që në fillim. Në njoftimin e transmetuar ilegalisht më herët parashikohej që parullat e para do të hidheshin në minutën e 88-të të ndeshjes, por shpërthyen më përpara. Që këtej stadiumi u ndez nga brohoritjet e fuqishme. Për detajet e tjera, kuptohet nuk futej në punë skenari. Mjaftuan shkëndijat e para për ta nxjerrë situatën nga kontrolli. Kacafytja me policinë dhe sampistët pastaj solli pështjellime të paparashikuara. Një duel i vërtetë, i paimagjinueshëm. Një duel me barbarinë e shtetit, që pasoi me një epilog të dhimbshëm, me të plagosur, të arrestuar e të përndjekur…
Si nisi protesta në stadium gjatë takimit Besa-Partizani?
Atë ditë stadiumi ishte mbushur më shumë se çdo herë tjetër. Pjesa e “20-çeve”, siç ishte parashikuar, u bë epiqendra e protestës. Prej aty nisi gjithçka. Shkak u bëra unë, fare spontanisht. Pa vetëdije. Teksa dikush bërtiste për një përplasje në fushë, u çova në këmbë dhe fillova të thërras “Poshtë komunizmi!”, “Liri–Demokraci!”, gjithnjë sa ishim në minutën 88-të. Dy shokët që kisha pranë, më kapën për krahu, duke më kujtuar se nuk kishte ardhur akoma çasti i duhur. U ula përsëri, por emocionet dhe urrejtja s’më linin të përmbahesha. Herë pas here çohesha në këmbë e thërrisja me zë të lartë. Në dy-tri raste u ngjita në hekurat e stadiumit dhe bërtita fort “Poshtë diktatura!”. Kjo i ra në sy operatorit që filmonte ndeshjen dhe drejtoi kamerën nga unë. Sakaq, zhurma tërhoqi vëmendjen e policëve që kishin tejmbushur pistën e fushës. Njëri syresh ma bëri me dorë të paraqitesha te ta. “Po je i zoti, hajde merre!”, ia kthyen shokët e irrituar si në kor. Kjo i xhindosi ata jashtë mase dhe u vërsulën drejt “20-çeve”
Ndërkohë pjesa tjetër në stadium ndiqte ndeshjen…
Në momentin që policët kapërcyen mbi hekura, i gjithë stadiumi u ngrit në këmbë dhe filloi nga thirrjet “Poshtë komunizmi!”, “Liri-demokraci!” “Poshtë diktatura!”, “Poshtë Nexhmije Hoxha!”. Një grup përball tribunës ia nisi këngës “Mjaft në robëri, o e mjera Shqipëri”. Të tjerë hidhnin gurë mbi policinë që kërkonte të bënte arrestime. Turma e sampistëve që kacafytej me ne, një moment u tërhoq për t’u rikthyer me përforcime në mjete dhe njerëz. Taborë të armatosur deri në dhëmbë u shfaqën te porta. Ata, sa zbrisnin nga makina, vërsuleshin drejt turmës. Ishte një përleshje e përgjakshme, një shpërthim i jashtëzakonshëm që vazhdoi çaste të tëra. Pati të plagosur, të traumatizuar. Pati arrestime të dhunshme. Të arrestuarit fillimisht i çuan në Policinë e Kavajës, pastaj në degën e Durrësit. Torturat ndaj tyre ishin nga më të tmerrshmet.
Ju kujtohet çasti kur ju arrestuan?
Atë ditë u arrestua im vëlla, Iliri dhe disa të tjerë. Mua më arrestuan të nesërmen në demonstratën tjetër që u organizua në mbrojtje të tyre. Kjo, që ishte një demonstratë më e madhe se ajo e stadiumit, tronditi. U trondit ato ditë Kavaja, u tronditën autoritetet, madje jo vetëm ato lokale./Pamfleti
Lini një Përgjigje