TAGS-AT E JAVËS

Forum 6 Janar 2026, 14:01

Kur pushteti nuk ka më turp, heshtja e qytetarit bëhet e dukshme

Shkruar nga Prof. Mimoza Manxhari
Kur pushteti nuk ka më turp, heshtja e qytetarit bëhet e dukshme
Foto Ilustruese

Pushteti nuk prishet nga tepria e forcës, por nga mungesa e vetëpërmbajtjes. Aty ku mungon masa, humbet drejtësia. Aty ku humbet drejtësia, ligji mbetet vetëm formë.

Kriza më e rrezikshme e qeverisjes nuk fillon me varfërinë dhe as me paaftësinë administrative, që vonon çdo leje.

Ajo shfaqet në çastin kur pushteti shkëputet nga çdo kufi etik dhe harron lidhjen më të thjeshtë, më njerëzore me shoqërinë.

Kur ndodh kjo, pushteti nuk e sheh më veten si shërbim për qytetarin, por si pronë private për përfitim, për ekspozim dhe për të shmangur çdo përgjegjësi morale, si dikush që ka harruar rrugët e fshatit që e rritën.

Në këtë kuadër, debati mbi luksin e shfrenuar e aspak të justifikuar të funksionarëve publikë dhe të rrethit të tyre familjar nuk është as i tepërt dhe as thjesht moralizues. Ai duhet të bëhet pjesë e analizës mbi vetë thelbin e legjitimitetit politik. Max Weber theksonte se pushteti politik justifikohet, vetëm kur ushtrohet me përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje. Kur këto mungojnë, autoriteti, sado pompoz të shfaqet, gërryhet nga brenda.

Në shoqëritë ku demokracia funksionon, thjeshtësia e pushtetit nuk është detyrim ligjor, por normë kulturore. Ajo buron nga kuptimi se pushteti nuk është status social, por funksion i përkohshëm. Në këtë kuptim, vetëpërmbajtja dhe respekti ndaj postit publik nuk janë sakrificë për veten, por shprehje respekti për qytetarin që paguan rregullisht taksat dhe detyrimet e tij: për pensionistin që përpëlitet të mbyllë muajin me 25,000 lekë pension, për amvisën që u mëson fëmijëve se “nuk ka luks”, për tregtarin e vogël që numëron çdo lek në dyqan, me shpresën drithëruese se ditët e vështira do kalojnë. Çdo luks i tepruar, çdo shfaqje madhështie, përkthehet në padrejtësi morale dhe shoqërore.

Problemi shqiptar nuk është vetëm luksi, por shndërrimi në normë i arrogancës me të cilën bashkëshoqërohet. Luksi jo vetëm nuk fshihet apo justifikohet, por provokon duke u shfaqur tashmë si shenjë e një lloj pushteti, i cili gati-gati thotë: “Unë jam më lart se ju.” Pierre Bourdieu e quante këtë, dhunë simbolike, një formë dominimi që nuk ka nevojë për fjalë, por ushtrohet përmes shenjave, stileve të jetës dhe dukjeve publike.

Kjo dhunë simbolike bëhet veçanërisht e rëndë në një shoqëri si kjo e jona, e prekur nga varfëria, pasiguria dhe mungesa e perspektivës. Pushteti nuk godet të fortët, por të pambrojturit: pensionistët që presin radhë për ilaçe në spitalin e qytetit, familjet që rrisin fëmijë në një dhomë të vogël dhe nuk e dinë çfarë do të hanë nesër, qytetarët që qëndrojnë me orë në radhë për një formular të thjeshtë të bashkisë.

Luksi nuk është thjesht shenjë pushteti. Ai është mesazh i heshtur: “Jam i pakapshëm dhe i paprekshëm.”

Megjithatë, degradimi etik arrin kulmin në momentin kur individë të përfshirë në afera të provuara korrupsioni, të gjendur në izolim ligjor, adoptojnë spektaklin e viktimës morale.

Ankesat publike për pamundësinë për të festuar Vitin e Ri me familjen, gjestet melodramatike dhe mesazhet emocionale janë strategji të stërholluara për të zhvendosur vëmendjen publike, rasti tipik ku arroganca maskohet me viktimizim.

Këta individë, pasi kanë shijuar privilegjin, kanë paturpësinë të kërkojnë edhe keqardhje. Ankohen për “padrejtësi”, ndërkohë që e kanë instaluar atë me abuzimet ku janë zhytur dhe me shkëputjen prej kohësh nga çdo realitet shoqëror. Kjo nuk është më thjesht mungesë ndjeshmërie. Është cinizëm politik. Në këtë pikë ndodh përmbysja më e rrezikshme morale: autori i abuzimit lyp keqardhje, ndërsa shoqëria ftohet të harrojë arsyen e izolimit!

Hannah Arendt do ta përshkruante këtë si banalizim të së keqes, zbehje e përgjegjësisë përmes sentimentalizmave personale. Roli i medias në këtë proces është vendimtar.

Kur media transmeton mesazhe private, ankesa emocionale dhe skena vetjake të individëve të akuzuar për korrupsion, ajo nuk informon, por zhvendos debatin publik nga realiteti te spektakli. Media, në këtë rast, pushon së qeni institucion kritik dhe shndërrohet në instrument të normalizimit të abuzimit.

Kjo praktikë prodhon një efekt të dyfishtë:

-nga njëra anë, pushtetari paraqitet artificialisht “më njerëzor”;

-nga ana tjetër, mpaket ndjeshmëria morale e publikut.

Qytetarët për rrjedhojë lodhen, e konsiderojnë padrejtësinë si të zakonshme e më pas tërhiqen nga sfera publike. Pikërisht këtu nis faza më e rrezikshme e krizës institucionale: Jo revolta, por apatia. Në këtë kontekst, mbështetja shoqërore për institucionet e drejtësisë nuk është shprehje e etjes për ndëshkim, por kërkesë për rikthimin e turpit si normë publike, për t’i rikujtuar pushtetit se nuk është pronë private dhe se përgjegjësia nuk mund të zëvendësohet me melodrama. Kriza aktuale nuk është thjesht korrupsioni.Ajo është kriza e etikës publike, e rolit të medias dhe e vetë kuptimit të pushtetit. Shoqëritë nuk shemben vetëm nga varfëria.

Ato shemben kur pushteti humb çdo ndjenjë mase, përgjegjësie dhe turpi. Dhe kur ndodh kjo, nuk është ligji ai që bëhet i egër; është realiteti që bëhet i padurueshëm.Kriza më e thellë që po përjetojmë nuk është ekonomike. Është morale. Pa rikthimin e turpit si busull publike dhe pa rindërtimin e sferës publike si hapësirë përgjegjësie e jo spektakli, çdo reformë mbetet sipërfaqësore dhe çdo premtim politik i zbrazët. Le të mos e lejojmë të na mbysë.

Pushteti nuk prishet nga tepria e forcës, por nga mungesa e vetëpërmbajtjes. Aty ku mungon masa, humbet drejtësia. Aty ku humbet drejtësia, ligji mbetet vetëm formë. Shoqëritë nuk bien nga goditjet e forta, por nga zakoni për t’i duruar ato.

pushteti kriza politike heshtja qytetare

Lini një Përgjigje