
Mbrojtja që ai i bën sot vetvetes, me pretendimin se, po lejon drejtësinë të veprojë, ndryshe nga paraardhësi i tij që bllokonte hetime, është vetëm cinik e qesharak, pasi një qeverisje nuk matet me shkeljet e dikujt tjetër, por sa arrin të jetë vetë llogaridhënës dhe se sa arrin të mbajë përgjegjësi politike...
Pas qëndrimit poetik mbi dhënien e lejes nga Kuvendi për arrestimin e ish zëvendësit të tij, Arben Ahmetajt, dhe pas krenimit se do lejojë hetim për eksponentë të mazhorancës, por pa kërkuar asnjë ndjesë publike në zgjedhjen e bashkëpunëtorëve që po i përfundojnë pas hekurave, mbetet që Ramës t'i kërkojmë të na sqarojë:
Me sa ministra e deputetë e kryebashkiakë të arrestuar duhet t'i kërkojmë llogari si kryeministër? Duhen 30? Duhen 40? Apo duhen më shumë që të kapen në vjedhje e shkelje e rrahje të qytetarëve që ai të pranojë se qeverisja e tij ka dështuar?
A ka përgjegjësi kryeministri që ka premtuar një qeverisje që do të veprojë mbështetur në ligj, ndërkohë që ministra, deputetë e ish kryebashkiakë sot janë nën akuza për korrupsion dhe dhunim publik të zyrave?
A ndihet sot përgjegjës që ka mbrojtur Tahirin, Rroshin, Rrajën, e shumë të tjerë, siç ndodhi me komisionin për inceneratorët, ku shkoi në Kuvend duke akuzuar deputetët e opozitës se po bënin sulme politike?
A ndjen përgjegjësi Rama që ka sulmuar njerëz me uniformë, si Zagani e Nuhu, që denoncuan shkeljet e zyrtarëve, e sot janë emigrantë me status politik për shkak të sulmeve të tij?
Mbrojtja që ai i bën sot vetvetes, me pretendimin se, po lejon drejtësinë të veprojë, ndryshe nga paraardhësi i tij që bllokonte hetime, është vetëm cinik e qesharak, pasi një qeverisje nuk matet me shkeljet e dikujt tjetër, por sa arrin të jetë vetë llogaridhënës dhe se sa arrin të mbajë përgjegjësi politike.
Askush nuk mund të thotë që ata që akuzohen kanë vjedhur për Ramën apo me urdhër të tij. Por gjithkush ka të drejtë t'i kërkojë mbajtjen e përgjegjësisë politike e morale vetëm një njeriu, dhe ai është Edi Rama!
Lini një Përgjigje