TAGS-AT E JAVËS

Forum11 Dhjetor 2024, 13:48

Ku mund të arratiset Putini nëse rrëzohet nga pushteti?

Shkruar nga Walter Clemens

Boshti i vendeve totalitare, është më i brishtë se sa duket në pamje të parë. Ish-udhëheqësi sirian Bashar Al-Assad ka marrë azil politik në Moskë, të paktën tani për tani. Po ku do të arratiset presidenti rus, kur rrethi i tij i këshilltarëve dhe servilëve të vendosë se Operacioni Special Ushtarak në Ukrainë, ishte në fakt një ide shumë e keqe?

Ku mund të arratiset Putini nëse rrëzohet nga pushteti?

Bosi i bosëve në Kremlinit, i ka korruptuar mafiozët më të vegjël të Moskës për të siguruar mbështetjen e tyre. Megjithatë, ata mund të zgjedhin ta largojnë atë nga anija që po fundoset, kur lufta të ketë shterur si trupat ashtu edhe paratë.

Që të dyja palët në luftën e Ukrainës janë të rraskapitura, por Kievi mbështetet nga vende të tjera, PBB-ja e kombinuar e të cilave është mbi 10 herë më e madhe se sa ajo e Rusisë. Teknologjia e luftës e SHBA-së dhe e Ukrainës, e përforcuar nga Inteligjenca Artificiale, po neutralizon shumë nga dronët dhe raketat ruse, por edhe ato të dërguara nga Irani dhe Koreja e Veriut.

Dhe siç po e tregon rënia e Assadit, pas fasadës të forcës diktatoriale, fshihet një dobësi e madhe. Vladimir Putin mund të strehohet në një rajon të largët të vendit më të madh në botë për nga sipërfaqja. Por siguria e tij nuk mund të ishte e garantuar, në një vend ku mijëra familje janë shumë të revoltuara për humbjen e 700.000 djemve apo baballarëve të vrarë apo mbetur invalidë nga sulmet e stilit “mishit për top” ndaj Ukrainës.

Pallatet luksoze të Putinit në Detin e Zi dhe afër Moskës, janë ndoshta shumë afër për vrasësit e mundshëm (dhe jo më pak vrasësit shumë efektivë të forcave speciale të Ukrainës) për të siguruar një pensionim të qetë. Bosi i bosëve mund të kërkojë nga baroni i tij në Minsk një fole të qetë në Bjellorusi.

Por kjo e fundit ka një pozicion të rrezikshëm afër Polonisë si dhe Ukrainës. Dhe meqë ra fjala, atje mospajtimet e forta vlojnë paksa nën sipërfaqe, dhe mund të sjellin rrëzimin e mikut të supozuar të Putinit, presidentit autokrat Aleksandr Lukashenka.

Ndërkaq Putin mund të kërkojë strehim në Teheran, por edhe e ardhmja e Iranit po duket tani goxha e zymtë. Revolucioni i papritur në Siri, ishte një zhvillim katastrofik për Teheranin, por vetëm i fundit në një listë shumë të gjatë. Klientët e Iranit në Liban, Gaza dhe Jemen, kanë pësuar humbje serioze.

Shumë iranianë, armiq të vjetër të sundimit të Ajatollahëve, mund të ndihen të inkurajuar nga rënia e diktaturës siriane. Iranianët që kam takuar duke udhëtuar kohët e fundit në pjesën më të madhe të vendit, janë qenie njerëzore të ndjeshme, dhe me siguri të turpëruar për ndihmën që po jep qeveria e tyre në masakrimin e ukrainasve.

Ata nuk do ta mirëprisnin krye-kasapin Vladimir Vladimirovich. Putin mund të kërkojë strehim dhe në Kinë, ku miku i tij i ngushtë është gjithashtu një bos i bosëve. Por do të ishte e turpshme që Moska t’i drejtohej për ndihmë partnerit më me peshë në fushatën e përbashkët kino-ruse kundër imperializmit amerikan.

Përveç kësaj, Xi Jinping mund të mos e dëshirojë atë. Pekini nuk kërkon një burim tjetër konflikti me Shtëpinë e Bardhë të Donald Trump. Në këto kushte, a është një mundësi strehimi India? Nju Delhi, është i kënaqur që po blen sasi të mëdha të naftës ruse me çmime të leverdishme.

Megjithtë, ai përpiqet ende që të mos marrë një anë të qartë me Moskën apo Uashingtonin.

Kryeministri Naredra Modi nuk ka gjasa të shtrojë tapetin e kuq për një udhëheqës të kërkuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (IÇ).

Një tjetër mik i dashur i Putinit është Kim Jong Un. Atij nuk i intereson aspak opinioni ndërkombëtar, dhe nuk do ta priste pa problem Putinin si mysafir. Madje prania e ish-presidentit rus, mund t’i paraqitet publikut të Koresë së Veriut si një fitore tjetër për regjimin e Kim.

Por për Putinin, ky do të ishte një poshtërim i madh, pasi shumica e rusëve e shohin Korenë e Veriut si më despotike dhe më të prapambetur se vendi i tyre, dhe sundimtari i të cilit gjithsesi mund të ndryshojë mendje. Larg Rusisë dhe shumë pranë bazës amerikane të Guantanamos, Kuba mund të jetë një vend i mirë pensionimi për diktatorin rus.

Një tip që e pëlqen ecjen natyrë, peshkimin dhe notin, Putini mund të marrë me vete kodet e shumë llogarive bankare me vlerë shumë miliarda dollarë. Ushtria Kubane dhe forcat e sigurisë, e kanë mbrojtur udhëheqjen kubane kundër dhjetëra komploteve amerikane për 65 vjet me radhë.

Pra Kuba është qartazi një opsion më i mirë se Bjellorusia, Irani apo Koreja e Veriut. Dhe nëse një ditë rikthehet miqësia e vjetër me “Donaldin”, në plan mund të jetë një vizitë e tij në rezidencën private të Trumpit Mar-a-Lago në Florida./Pamfleti nga “Center for European Policy Analysis”

Shënim: Walter Clemens, bashkëpunëtor i Qendrës Davis për Studimet Ruse dhe Euroaziatike në Universitetin e Harvardit, dhe profesor në Departamentin e Shkencave Politike, Universiteti i Bostonit.

 

putini pushteti

Lini një Përgjigje