
Gjuha shqipe është mjet komunikimi i 35 për qind të popullatës së Maqedonisë së Veriut. Aventura për të inicuar rishikimin e të drejtës së përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, nuk është asgjë tjetër pos hapjes së një fronti të panevojshëm me shqiptarët, ku kostoja finale do të ishte destabilizimi, si ide dhe projekt albanofob...
Inicimi në Gjykatën Kushtetuese që ka për synim rishikimin e Ligjit të gjuhëve, u bë me presion politik maqedonas.
Pa humbur kohë, që sot, duhet të artikulohet një presion tjetër politik (shqiptar), përmes një Deklarate politike, që si synim do të kishte parandalimin e rrënimit të kohezionit ndëretnik.
Nëse Marrëveshja e Ohrit parandaloi skenarët për zhbërjen e Maqedonisë, tani me rishikimin e Ligjit të gjuhëve, synohet rikthimi i Maqedonisë para kohës së Marrëveshjes së Ohrit, gjegjësisht para konfliktit. I bie, që dikush e ka një projekt të caktuar, i sponzorizuar nga brenda dhe jashtë, por në frymë antieuroatlantike, që këtu të ketë destabilizim, sepse vetëm kështu mundet gjoja Maqedonia tu shmanget obligimeve që ka marrë për ndryshime kushtetuese para anëtarësimit në BE.
Pak para pranimit të Maqedonisë në OKB (8 prill 1993), u pat inskenuar ngjarja e përgjakshme e Bit Pazarit, (7 nëntorit1992), e cila u përdor nga nomenklatura politike e Gligorovit për përshpejtimin e procesit të pranimit të shtetit në OKB.
A mundet të përdoret si alibi për ndonjë ide a projekt pasues, edhe ky presion politik për të ndërhy në Ligjin për përdorimi e gjuhëve?!
Sepse, kjo rastësisht nuk po ndodh!
Ligji i gjuhëve, edhe si i tillë me plot të meta, po e pengon elitën politike maqedonase. Politikanët shqiptarë nuk duhet të bien në grackën e kësaj loje politike, sepse nëse ky ligj qenka me defekte, atëherë pse para 11 dhjetorit nuk u mblodhën 32 deputetët shqiptarë dhe të pakicave (ose deputetët e partive në pushtet) që të amendohej ky ligj, duke propozuar zgjidhje tjera përmes amendamenteve plotësuese që do të krijoheshin kushte për një përdorim zyrtar më kualitativ dhe kuantitavit të gjuhës shqipe?
Lehtë është të kritikosh ligjet e këqija, por si duket është shumë ë vështirë të bindësh VMRO-në të sjellësh ndonjë ligj pak më të mirë se ai i keqi.
Maqedonisë së Veriut nuk iu kanë dashur pikërisht në këtë fazë hapja e temave të tilla që acarojnë klimën e besimit ndëretnik, ndërkohë që bota ndodhet para një rreziku shumë më të madh, si pasojë e konflikteve aktuale dhe atyre që mund të shpërthejnë në të ardhmen.
Gjuha shqipe është mjet komunikimi i 35 për qind të popullatës së Maqedonisë së Veriut. Aventura për të iniciuar rishikimin e të drejtës së përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, nuk është asgjë tjetër pos hapjes së një fronti të panevojshëm me shqiptarët, ku kostoja finale do të ishte destabilizimi, si ide dhe projekt albanofob.
A do të lejohet, që ky projekt destabilizues të triumfojë dhe të gjitha premtimet parazgjedhore për zhvillim ekonomik e social të zëvendësohen me fitila për ndezjen e konflikteve të reja?! /Pamfleti
Lini një Përgjigje