TAGS-AT E JAVËS

Forum 4 Janar 2025, 12:50

Kriptomonedhat mbështeten nga aleanca e mashtruesve, diktatorëve dhe shmangësve të taksave

Shkruar nga Andrés Velasco

 Kriptomonedhat mbështeten nga aleanca e mashtruesve, diktatorëve dhe

Mashtruesit, demagogët, diktatorët dhe shmangësit e taksave kanë një gjë të përbashkët: ata të gjithë paraqiten si liridashës. Ata ankohen se çdo kufizim ndaj veprimtarisë së tyre, është një sulm ndaj lirisë njerëzore. Por me “miq” të tillë, liria nuk ka nevojë për armiq...

Isha duke dalë para ekranit gjatë një takimi të lodhshëm online, kur më tërhoqi vëmendjen një deklaratë shumë e fortë: “Zgjedhja si president e Trump, është një ëndërr e realizuar!”- deklaroi bosi i kriptove, me fytyrën që i shkëlqente nga gëzimi.

Dhe kjo nuk ishte për t’u çuditur. Ai zotëron një numër të madh Bitcoin, që është rritur në vlerë me gati 40 për qind qëkur Donald Trump mundi Kamala Harris. Por tani, ky baron i kriptove nuk ishte aq i kënaqur sa Marc Andreessen, sipërmarrësi kryesor në Silicon Valley dhe një mbështetës tjetër i zëshëm i kriptove.

Për shkak se politikat e administratës Biden ishin “shtypëse” për të, fitorja e Trump është përjetuar me shumë entuziazëm. Këta kripto-lobues, do ta mohonin fuqishëm pretendimin se po flasin thjesht për xhepin e tyre.

Sipas tyre, “ëndrra që po bëhet realitet”, ose çlirimi i industrisë së kriptove nga prangat e rregullimit të tepruar, supozohet se do ta lejojë gjithë njerëzimin të lulëzojë. Kjo tingëllon si diçka e shkëlqyer, po të mos ishte për faktin se rregullimi ligjor në monedhat dixhitale mbetet diku midis dritës dhe inekzistentes, dhe se bosët e industrisë së kriptove nuk po na tregojnë ende se çfarë përfitimesh të mëdha na presin.

Në fakt, edhe përfitimet e vogla nuk po shihen gjëkundi. Bitcoin ka 16 vjet që ekziston dhe me të nuk mund të paguash ende një kafe, dhe aq më pak të bësh pazar online. Pretendimi se kriptot do të zëvendësojnë monedhat tradicionale duket gjithnjë e më i pabesueshëm, por kjo nuk i ka ndaluar mbështetësit e saj që të reklamojnë premtime të tjera.

Një parashikim të zakonshëm, thuhet se në një botë gjithnjë e më të trazuar, Bitcoin do të jetë si ari dixhital: një depo e sigurt vlerash. Por nëse është ëndrra kjo, atëherë është shumë e mërzitshme. Ari ka qenë gjithmonë këtu me ne, e megjithatë vetëm një pjesë e vogël e kursimeve të njerëzimit mbahet në shufra ari ose argjendi.

Dhe një nga arsyet, është se çmimet e arit janë të paqëndrueshme, ndonëse jo aq të paqëndrueshme sa çmimi i Bitcoin, që çdo disa vjet ka një historik të zhvlerësimit drastik. Argumenti tjetër shumë në modë sot, është se kriptomonedha do t’i bëjë shumë më të lira pagesat dhe transferimet e parave.

Ata kanë një drejtë në një pikë: banka ime tregtare me qendër në Nju Jork, më mban 30 dollarë sa herë që transferoj para jashtë shtetit. Por ulja e këtyre tarifave të larta, nuk ka domosdoshmërisht nevojë për kriptot.

Sepse këtë punë po e bën konkurrenca midis bankave në internet, por dhe kompanitë e shkathëta të teknologjisë. Pra, kriptomonedha është ende një zgjidhje në kërkim të një problemi. Elementi i ri, është vetëm kori i mashtruesve, demagogëve, diktatorëve dhe shmangësve të taksave, të cilët po përpiqen të na bindin për të kundërtën.

Mashtruesit janë njerëz që na thonë se kriptomonedha ka të bëjë me një gjë, kur në të vërtetë ka lidhje me diçka tjetër. Pretendohet se kriptot do ta dobësojnë varësinë tonë nga qeveritë e këqija, monedhat e të cilave do të zëvendësoheshin prej tyre.

Në fakt, kjo industri është bërë ndikuesi kryesor i qeverisë: donatorët e kriptove përbënin pothuajse gjysmën e të gjitha kontributeve të korporatave në zgjedhjet e fundit presidenciale në SHBA. Vetëm kompania pro-kripto, Fairshake, dhuroi më shumë se 200 milionë dollarë.

Po ashtu, kriptomonedhat supozohej t’i bënin bankat mekanizma të vjetruara. Por kjo gjë nuk ka ndodhur. Kompanitë e kriptove, ashtu si gjithë të tjerat, kanë nevojë për llogari bankare. Tani ithtarët e kriptove po ankohen pse bankat tregtare po refuzojnë hapjen e llogarive nga kompani, që mund të kenë lidhje me pastrim parash apo aktivitete të tjera të paligjshme.

Demagogët janë njerëz që premtojnë atë që nuk mund të bëhet. Sipas Elon Musk, një tjetër mbështetës i madh i kriptomonedhave, Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë (DOGE) i drejtuar prej tij do të shkurtojë “të paktën 2 trilion dollarë” nga buxheti i SHBA.

Por të drejtat, pagesat e interesit dhe mbrojtja, përbëjnë 88 për qind të totalit të shpenzimeve federale të SHBA-së. Siç e ka theksuar profesori i Universitetit të Harvardit, Jeffrey Frankel, edhe nëse Musk do të eliminonte të gjitha shpenzimet që nuk shkojnë për mbrojtjen, kursimet që do të mblidheshin as që do t’i afroheshin 2 trilion dollarëve.

Ndaj e gjithë kjo është një “fantazi e pastër”. Kreu i seksionit të diktatorëve në këtë kor është Nayib Bukele nga El Salvadori, i cili u zgjodh në krye në mënyrë demokratike, por që nuk i kushtoi në asnjë moment vëmendje kontrolleve dhe ekuilibrave të “bezdisshëm” kushtetues. Human Rights Watch raporton se qeveria e tij ka arrestuar “afro 3.000 fëmijë”, shumë prej të cilëve “iu nënshtruan…keqtrajtimit të rëndë, që në disa raste përbënte torturë”, si dhe “u mbajtën në kushte çnjerëzore, të privuar nga ushqimi i duhur, kujdesi shëndetësor, dhe kontakti me familjen”.

Gjithsesi ithtarët e kriptove e duan Bukelen, pasi në vitin 2021 ai e shndërroi Bitcoin në monedhën zyrtare të El Salvadorit. S’ka gjë se eksperimenti i tij me Bitcoin ishte një dështim i plotë. Qeveria e tij i dhuroi një portofol elektronik me 30 dollarë Bitcoin cilitdo që u regjistrua në programin kombëtar.

Por shumica e njerëzve që e bënë këtë, e këmbyen menjëherë kriptomonedhën me dollarë. Një “obligacion vullkanik” shumë i përhapur në rrjet dhe i personifikuar tek Bitcoin nuk u lëshua kurrë. Dhe tani, në këmbim të një kredie urgjente prej 1.4 miliardë dollarësh për të shpëtuar ekonominë e falimentuar të Salvadorit, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar nga Bukele të ndalë detyrimin e kompanive vendase për ta pranuar Bitcoin si një formë pagese.

Shmangësit e taksave dhe pastruesit e parave, mbeten ndër më të shquarit në mesin e përdoruesve të kriptomonedhave, gjë që nuk është befasuese. Pasi ajo është një teknologji që nuk të bën pyetje. Konsideroni skenarin kur kriptomonedhat nisin të mbështeten nga asetet e rrjedhshme në dollarë.

E pse mund të dëshirojë dikush të mbajë kursimet në një version hibrid të dollarit në vend të atij të vërtetë? Sepse për të hapur një llogari në dollarë në një bankë, do t’ju duhet t'i përgjigjeni pyetjeve se nga kanë ardhur paratë.

Ky moment i sikletshëm shmanget nëse pjesëmarrësit - siç u zbulua në një skemë të gjerë të zbuluar së fundmi nga autoritetet britanike, e cila lejoi trafikantët e drogës dhe spiunët rusë të pastronin fondet e tyre të errëta - hapin një depozitë në një blockchain publik dhe e mbushin atë me monedha të qëndrueshme.

Mashtruesit, demagogët, diktatorët dhe shmangësit e taksave kanë një gjë të përbashkët: ata të gjithë paraqiten si liridashës. Ata ankohen se çdo kufizim ndaj veprimtarisë së tyre, është një sulm ndaj lirisë njerëzore. Por me “miq” të tillë, liria nuk ka nevojë për armiq.

Shënim: Andrés Velasco, ish-Ministër i Financave në Kili, aktualisht dekan i Shkollës së Politikave Publike në Shkollën e Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Londër.

kriptomonedha aleanca e mashtruesve

Lini një Përgjigje