TAGS-AT E JAVËS

Forum 4 Janar 2025, 11:12

Pse Giorgia Meloni po i zbut ligjet antimafia në Itali?

Shkruar nga Felia Allum

Italia ka qenë një lidere botërore në betejën kundër krimit të organizuar, që kur nisi që ta merrte seriozisht këtë problem në vitet 1990. Por ndryshimet e fundit nga qeveria Meloni, e po e minojnë dalëngadalë këtë status...

Pse Giorgia Meloni po i zbut ligjet antimafia në Itali?
Giorgia Meloni /

Gazetarja Alison Jamieson, e përshkroi dikur luftën kundër krimit të organizuar në Itali si “sharrë mafioze antimafia”. Në këtë histori të gjatë, ka pasur shumë ulje-ngritje. E megjithatë për momentin, duket sikur kjo “sharrë” po anon në krahun e mafies.

Mund të thuhet me të drejtë se udhëheqësi fashist Benito Mussolini, gati ia doli që t’i zhdukte grupet mafioze gjatë diktaturës së tij. Sepse kur kërcënuesi kryesor është vetë një regjim, nuk ka shumë hapësirë në të cilën mund të veprojnë kriminelët. Megjithatë, axhenda e djathtë e qeverisë aktuale po ndikon negativisht në luftën kundër mafies.

Sepse ligjet me një rekord të dëshmuar për goditjen e fortë ndaj grupeve mafioze dhe korrupsionit, po përzihen dhe dobësohen në emër të “efikasitetit” dhe “privatësisë”. Prokurorët, policia dhe organizatat e shoqërisë civile, janë të paralizuara nga një administratë që duket se nuk dëshiron të ketë ndonjë diskutim rreth aktiviteteve mafioze dhe infiltrimit. Ndërkohë, reformat në media dhe jetën publike, po sjellin efekte të tjera negative.

1. Po pamundësohet raportimi i medias mbi mafian

Që nga ardhja në pushtet, qeveria e kryeministres Giorgia Meloni ka ndërmarrë disa reforma kufizuese ndaj aktivitetit të medias. Pavarësisht nëse janë apo jo të qëllimshme, është fakt se ato bëjnë më të vështirë raportimin për mafian.

Ndërsa më parë, gazetarët lejoheshin të raportonin për të gjitha provat në një hetim mbi mafien, një ndryshim në ligj do ta kufizojë shumë shpejt këtë gjë, duke u mjaftuar tek citimi i përgjimeve telefonike të përzgjedhura, të përdorura nga gjyqtarët e hetimit paraprak gjatë firmosjes së urdhër-arresti dhe jo të provave nga i gjithë hetimi.

Po ashtu, gazetarët nuk do të jenë më në gjendje të citojnë drejtpërdrejt nga të gjitha përgjimet telefonike derisa të përfundojnë hetimet. Kjo e kufizon ndjeshëm aftësinë e tyre për të raportuar mbi aktivitetet dhe rrjetet komplekse të mafies.

2. Shfuqizimi i veprës penale të shpërdorimit të detyrës

Qeveria italiane, ka shfuqizuar edhe krimin “abuso d’ufficio” (shpërdorim detyre), i cili ka pasur ndikim edhe në parandalimin e krimit të organizuar. Ajo ka argumentuar se kjo ishte një lëvizje e domosdoshme, pasi ky ligj po kufizonte kompetencat vendimmarrëse të administratorëve lokalë.

Duket se këta të fundit, ishin shumë të frikësuar nga akuzat për sjellje të papërshtatshme në proceset e tenderimeve publike. Megjithatë, shfuqizimi i këtij ligji e ka bërë më të lehtë për zyrtarët publikë që të përfshihen në praktika të parregullta si klientelizmi (trajtimi preferencial, në këmbim të mbështetjes politike), nepotizmi dhe korrupsioni, një pjesë kyçe e çdo infrastrukture të krimit të organizuar. Kjo reformë, i ka hapur potencialisht dyert më shumë krimeve nga “jakat e bardha” (pra të zyrtarëve dhe profesionistëve të mirë-arsimuar).

3. Kufizimi i përdorimit të përgjimeve

Përdorimi i përgjimit për të depërtuar tek komunikimet midis përfaqësuesve të krimit të organizuar, është i diskutueshëm në disa vende. Megjithatë në Itali, ai ka qenë një mjet jetik kundër mafies. Mbledhja e provave gjatë dëgjimit të bisedave private, ka qenë një nga taktikat më të rëndësishme dhe më efikase për të kuptuar strategjitë, dinamikat dhe aktivitetet e mafies gjatë dekadave.

Por një ligj i ri që po diskutohet në parlament, do të kufizojë autoritetet vetëm në monitorimin e telefonatave të një të dyshuari për maksimumi 45 ditë, përveç rastit nëse ka rrethana të jashtëzakonshme. Të dyshuarit për lidhje me mafien dhe terrorizëm, janë të përjashtuar nga ky ndryshim.

Gjithsesi nuk do të zbatohet për krimet pranë rasteve mafioze, të cilat shpesh janë vendimtare për zbulimin dhe goditjen e krimit të organizuar. Zvogëlimi i përdorimit të këtij mjeti, do të thotë që të mos hetohen rrethet më të gjera të mundësuesve dhe lehtësuesve të punës së mafies, si avokatët, kontabilistët dhe bashkëpunëtorët në biznes.

Përqendrimi në këtë zonë gri, është shpesh rruga më e mirë për të depërtuar në qendër të aktivitetit kriminal. Duke e pakësuar efektivitetin e këtij mjeti, do të jenë më e vështirë që të ndiqen penalisht bashkëpunëtorët e mafies, duke e lejuar këtë të fundit të përforcojë fuqinë e saj sociale dhe ekonomike.

4. Ndërprerja e mbështetjes për dëshmitarët e shtetit

Dëshmitarët shtetërorë - kriminelë që zbulojnë krimet e tyre dhe bashkëpunojnë me shtetin, në këmbim të një jete dhe identiteti të ri - kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në luftën kundër mafies. Dekonspirues të tillë si mafiozi siçilian i nivelit të lartë Tommaso Buscetta, e ndryshuan rrënjësisht luftën kundër mafies.

Në vitin 1984, Buscetta dha prova konkrete për atë që prokurorët besonin se po ndodhte në Siçili, duke çuar në përparime të mëdha në zbulimin dhe goditjen e një organizate të frikshme si Cosa Nostra. Në atë kohë, shteti italian nuk mund ta mbronte, ndaj ishin autoritetet amerikane që e strehuan Buscetta-n, pasi ai denoncoi ish-bashkëpunëtorët e tij.

Në vitin 1991, gjyqtari legjendar i antimafias Giovanni Falcone, krijoi një program të plotë shtetëror për mbrojtjen e dëshmitarëve në Itali. Ishte një regjim i rreptë mbrojtjeje, dhe një kontratë midis shtetit dhe ish-kriminelëve. Në vitin 2001, ai program u zbut nga të gjitha partitë politike, duke e bërë më pak tërheqëse të bëhesh një dëshmitar i shtetit.

Në vitin 2024, ai po dobësohet sërish. Dëshmitarëve të shtetit, nuk u jepet më automatikisht një shumë e madhe parash, për të nisur një jetë të re pas bashkëpunimit me shtetin. Agjencia shtetërore që e menaxhon këtë marrëveshje, ka vendosur që pagesat t’i bëjë pjesë-pjesë dhe një shumë më të vogël se dikur.

Argumenti është se këta dëshmitarë i detyrohen shtetit për shërbime, përfshirë shpenzimet e gjykatës dhe burgut dhe gjobat e tjera. Kjo paketë ndihme, ka qenë prej kohësh një nxitje e rëndësishme për këdo që mendon të rrezikojë jetën e tij për t’u kthyer kundër mafies.

Ajo përdoret shpesh për të blerë një shtëpi apo për të hapur një biznes. Luigi Li Gotti, një avokat i famshëm i të penduarve të mafies dhe Gian Carlo Caselli, ish-kryeprokuror i Palermos, kanë qenë të dy të zëshëm në denoncimin e kësaj situate.

Luftë e dobët kundër mafies

Italia ka qenë një lidere botërore në betejën kundër krimit të organizuar, që kur nisi që ta merrte seriozisht këtë problem në vitet 1990. Por ndryshimet e fundit nga qeveria Meloni, e po e minojnë dalëngadalë këtë status. Sipas përkufizimit, mafiet italiane janë organizata komplekse dhe shumë tinëzare.

Nevojiten urgjentisht ligje të forta për t’u kundërvënë aktiviteteve dhe bashkëpunëtorëve të tyre të shumtë, veçanërisht kur ato i shtrijnë veprimet jashtë vendit. Mekanizmat ligjorë të miratuar në vitet 1990 ekzistojnë për një arsye, ndaj ato nuk duhet të ndryshohen pa një shqyrtim të kujdesshëm. Përndryshe, çmimin mund ta paguajmë ne të gjithë./Pamfleti

giorgia meloni antimafia italia

Lini një Përgjigje