TAGS-AT E JAVËS

Forum13 Tetor 2023, 15:55

Gomari i Babatasit i humbur në mjegullnajën e Lazaratit

Shkruar nga Ramazan Bekteshi

Gomari i Babatasit i humbur në mjegullnajën e Lazaratit

Pra, Rama dje në kuvendin e Shqipërisë i mallkoi të gjithë ata që e quajnë vëllai i Vuçiçit, ajo ‘armata e madhe që bënë luftë civile digjitale’ nga të dy anët e kufirit, pra edhe matanë maleve.

(Përkitazi me fjalimin e Ramës në kuvend)

Dje Rama mbajti një fjalim vajtues në kuvend, ai recitoi një autoelegji vajtuese e të lodhshme, 90-të minutash. Dje, fjalimi i tij epiko-lirik e la nën hije Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë që dënon sulmin në veri të Kosovës. Me mllef, e i xhindosur, dje Rama i mallkoi dhe u tha ‘turpi i mbuloftë ata që bëjnë luftë civile digjitale’, pra, volli ndaj kritikuesve të tij plotë urrejtje e ironi duke ‘ngritur’ edhe dolli në gjuhën serbe “zhiveli”/gëzuar, në kuvend. Rama dje në kuvend nuk foli për rezolutën, ai e nxiu atë.

Rama, i mbrojti tradhtitë e veta, mbrojti tezën që KFOR-i të jetë reaguesi kryesor në veri, ne i themi Ramës se KFOR është aty dhe s’ka ku shkon, por të harrosh Policinë e Kosovës që sapo bëri historinë dhe t’ia mohosh përgjegjësitë e saja, atë e kërkon vetëm Vuçiçi. Rama dje rrëshqiti edhe më thellë, duke mbrojtur tradhtinë e radhës për veriun e Kosovës si “Toka e askujt” sot ai e krahasoi me Lazaratin, po ashtu si tokë e askujt sipas Ramës!

Rama ua vodhi shqiptarëve kohën e vlefshme në kuvend duke vajtuar, duke i sha, e mallkuar të gjithë ata që e kritikojnë por duke e lavdëruar veten. Me sy të zgurdulluar që lëviznin në qark pa kontroll dhe me zërin e tij me korde të çjerra kakofonie që ta plaste timpanin duke u pëllit shqiptarëve për ankesën e madhe, si Gjon Zaveri i Spasses, sepse dje ai kishte ‘pse-’të e tija të shumta, duke ndezur pasione urryese ndër vëllazërore, por duke e kursyer vëllain e tij Vuçiç dhe krimet e tij, derisa ‘vëllai i madh i thotë vëllait të vogël, rri aty’!

Si mjeshtër i gënjeshtrës, me diksion të lartë, Rama i vajtoi ata që janë syrgjynosur në Hagë dhe i kritikoi këta që janë jashtë në liri, edhe pse ata që janë brenda i votuan grilat e burgut, derisa këta që janë jashtë i thanë jo, Hagës një etnike. Pra, i ligu Rama, konsumon fatkeqësinë e luftëtarëve dhe namin e UÇK-së për poenë politikë, foli për dramën kosovare që kurrë s’e ndjeu por e konsumoi turpshëm me gjuhën e tij llapë.

Rama, fjalimin e vazhdon me kronikën e zezë, agresionin paramilitar serb ndaj një shteti sovran e quan vetëm një akt terrorist, derisa arsenalin e armëve e quan ‘armatime të trafikuara’, kështu duke dashur të shfajësojë porositësin e sulmit, kryetarin serb dhe shtetin që i furnizoi agresorët me armë nga kazermat shtetërore dhe i stërviti në poligone po ashtu shtetërore. Pra, kronikë e zezë je ti Rama dhe fjalimi yt, që asnjë fjalë nuk pëshpërite për vëllain Vuçiç, pos asaj që the se më quajnë vëlla i Vuçiçit dhe më thonë Ramoviç.

Pra, Rama dje në kuvendin e Shqipërisë i mallkoi të gjithë ata që e quajnë vëllai i Vuçiçit, ajo ‘armata e madhe që bënë luftë civile digjitale’ nga të dy anët e kufirit, pra edhe matanë maleve. Por, Rama, kjo nuk është as ushtri digjitale, virtuale apo video-lojë, këta janë shqiptarët nga të dy anët e kufirit dhe diasporës që ta bëjnë jetën zi-e-terr, sepse ti je tmerri dhe ankthi i shqiptarëve me akte tradhtie.

Rama, blegëroi edhe për ‘fudullëkun provincial’ duke mëtuar në politikat e Kosovës dhe ‘asociacionin që mistifikohet’. Foli poshtër e ulët për qasjen kosovare me ndërkombëtarët, që të marrë vesh e gjithë bota, pra, Rama hodhi një mal me gur-e-dru sot mbi trupin e Kosovës, ‘live’, para syve te botes. Fjalimi vajtues e ‘marathonomak’ i Ramës e mjegulloi një rezolutë të pastër, të rrallë e unanime të Shqipërisë për Kosovën.

Dje, autokrati Rama për protagonizëm përdori arrogancën dhe bullizmin, poshtëroi opozitën dhe Kosovën, fjalimi i tij tingëllonte sikur të ishte përgatit nga këshilltarët e Vuçiçit. Dje ngushëllim i vetëm për shqiptarët ishin shkallët e stadiumit të mbushura me shqiptarë nga të gjitha trojet, por Rama nuk gjeti fuqi që vëllain e vogël ta marrë në krah dhe së bashku të bënin tifozllëk, Kuq e Zi!

ramazan bekteshi rama kuvend kurti

Lini një Përgjigje