TAGS-AT E JAVËS

Forum 9 Mars 2023, 13:32

Edhe Yuri Kim e trembur si Edi Rama?!

Shkruar nga Sokol Pepushaj
Edhe Yuri Kim e trembur si Edi Rama?!
Yuri Kim

Shejtani dhe shenjti jetojnë në një qytet, në një lagje, në një rrugë dhe askush nuk e di ç’do të ndodhë këto ditë me Djajtë tanë, që pasi kanë vjedhur gjithë pasuritë tona, kanë dalë të grumbullojnë edhe votat tona...

Mafiozët janë shpërndarë si ‘vaji në lakra’ tek politika, diplomacia dhe media. Ato 4 Klanet Mafioze që drejtojnë 20 familjet kriminale, të ngjan se i përkasin periudhës para Krishtit. Askujt nuk i intereson t’i ngacmojë këta, madje zemërohen edhe me ne, që thjeshtë i përkujtojmë, në respekt edhe të ambasadorit Donald Lu që u kishte bërë “inventarin” deri tek makinat, orët, bizhutë, dhe u kishte regjistruar edhe dhuratat për të dashurit...

Kishte dalë vetë Lu-ja në terren dhe ishte i sigurt se i kishin me të vjedhur.

Edhe ambasadorja Yuri Kim ka dalë vetë të kërkojë vota. Po ç’i duhen votat dhe për cilin i do?!

E para: Shpresat për “Peshq” të Mëdhenj kanë rënë me gjethet e vjeshtës dhe ky “kostum” diplomatik nuk i ka hije, sidomos pas skandalit Rama- McGonigal.    Sali Berisha, Ilir Meta dhe Edi Rama, një trio e ndarë, por që janë bashkë, as po ndihen të rrezikuar, as po ua skuq faqen marrëzia e grykësia. 

Shejtani i fshehur nëpër misteret e etapave amerikane që askush nuk e di kur do lëshohet, është tek të tre.

E dyta: Indiferenca e shqiptarëve në zgjedhjet e 14 majit, do të ishte matësi më i qartë i vrasjes së shpresës, pasqyra e materializimit të investimeve publike të shtetit mik, Amerikës, në reformat anti- korrupsion, që nxin ose zbardh imazhin e ambasadores.

Edhe kufizimi drastik i shërbimeve në ambasadë për shqiptarët, deri pas zgjedhjeve, është një mëkat tokësor që urdhërohet nga një ndëshkim “hyjnor” për rritjen, qoftë edhe artificiale, të pjesëmarrjes në votime.

Votat e mira janë kur dalin siç do Babloku...

Shejtani dhe shenjti jetojnë në një qytet, në një lagje, në një rrugë dhe askush nuk e di ç’do të ndodhë këto ditë me Djajtë tanë, që pasi kanë vjedhur gjithë pasuritë tona, kanë dalë të grumbullojnë edhe votat tona.

Frika se do mungojë vota, e bëri ambasadoren të dalë vetë e të trokasë në portat e tre partive më hajdute që njeh historia, por edhe të mbyllë shërbimet në sportelet e ambasadës. Lali Eri ka nevojë të mos i lejojë as të vetët të udhëtojnë në Amerikë, por t’i ketë për votime. Po nejse, kë takoi tek partitë ambasadorja, se të zotët e shtëpive janë me aq probleme, sa gjithë fshati i ka si kripën në sy.

Partia demokratike ka tre kryetarë, Lulzim Bashën, Sali Berishën dhe Enkelejd Alibeajn. Asnjëri nuk e ka çuar partinë drejt vlerave demokratike, por ka grumbulluar vlera monetare dhe i ka fshehur kudo, edhe në Amerikë. Luli është “lule mos prek”, Saliu ka zënë kullën e vjetër dhe ka shkruar “pronë e zënë”, Alibeaj, që ta themi, nuk është as mish as peshk. Janë Zot mos i shumo!

Pastaj, ka dhe ca paradokse.

Demokratët i shkojnë pas Saliut, edhe pse non- grata, gjykata ia jep Lulit, edhe pse i dorë-hequr, ambasadorja amerikane, Enkelejdit, edhe pse është “as mish e as peshk”!

Po këta që qeverisin prej 10 vitesh çfarë janë?!

Kryeministri është me sot e me nesër, apo jo? I dyti, Taulant Balla, një film horror i tmerrshëm... Mos ta hapim dosjen me vrasjet në Elbasan, se duam qetësi para zgjedhjeve. I treti, Damian Gjiknuri. Ky dhe Alibeaj, se si u “rastisë” të jenë të tretët në partitë respektive dhe që i premtuan ambasadores se po, do ta pastrojnë të nesërmen nga e sotmja, veç ajo duhet të mbyllë sportelet për shqiptarët, deri pas zgjedhjeve se duhen vota për numër.

Kjo është çështja, se e sotmja është pis.

As Ilir Meta, nuk më thotë dot dikush, se ishte i pastër, kur u ul përballë ambasadores që dikur i kishte hequr edhe të drejtën e flamurit amerikan...

Po, a mund t’i pastrojë këta pisa ambasadorja Yuri Kim, edhe pse i nderon duke u trokitur në portë?

Jo more jo, për gjithë fshatarët janë me Zot humbja racën!

Sa paradokse kalojmë nëpër shkrime çdo ditë?!

Ambasadorja Yuri Kim i freskon Damian Gjiknurit porositë e njëjta prej tre dekadash: Agjencitë ligjzbatuese duhet të intensifikojnë përpjekjet për të identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e blerjes së votës, dhe ky si gjithmonë, tund me kokë dhe mendon për tërmetin e radhës... Në anën tjetër, ai që i shkojnë më shumë njerëz pas, është ‘non grata’, me një mal akuza, edhe kriminale, dhe që ende nuk i tregon ligji rrugën e burgut. Prandaj ambasadores i duhen vota më shumë se Saliut, se koha nuk ngjan kaq e kthjellët as në Amerikë, ku republikanët janë gati për epoka të reja.

Pra, lepuri nuk fshihet këtyre anëve, por në Amerikë,

Dosja Rama-McGonigal, do jetë jo tërmeti i Damian Gjiknurit, por i nurit të hijeshisë së mafies, që është lëshuar të siglojnë një pjesëmarrje të pranueshme në votime.

Nuk po zihen kriminelët e hajdutët jo!

Ata i kanë ndërruar portat me dakortësi e janë bashkë. Ajo që ka më shumë nevojë për vota, është ambasadorja.

Fshatarët, që u është tjetërsuar vullneti prej dekadash, kanë një dyshim, more çfarë janë këto monstra, prapë votime me hile?!

Kupa po derdhet dhe shqiptarët pyesin me habi, pse edhe Yuri Kim e trembur sa Edi Rama?!/Pamfleti

yuri kim edi rama zgjedhjet vota

Lini një Përgjigje