SHBA-ja nuk mund të mbrohet vetëm nga Teksasi, Karolina e Veriut ose Florida. Evropa është dhe mbetet pararoja e mbrojtjes...
“Forcat amerikane nuk janë në Evropë për të mbrojtur evropianët. SHBA-ja nuk mund të mbrohet vetëm nga Teksasi, Karolina e Veriut apo Florida”. Kështu shprehet gjeneral-lejtnanti në pension Ben Hodges, ish-komandant i Ushtrisë Amerikane në Evropë në vitet 2014–2017.
Gjatë një interviste për Qendrën e Analizave të Politikave Evropiane, Hodges flet për funksionet strategjike që i bëjnë jetike bazat amerikane në Evropë, dhe shpjegon se çfarë rrezikon Amerika nëse zvogëlon praninë e tyre në kontinentin e vjetër.
Cilat baza amerikane në Evropë i konsideroni më të rëndësishme për operacionet ushtarake atje por edhe përtej?
Së pari, kur analizon bazat që ka në të gjithë Evropën, çdo administratë në SHBA diskuton nëse ato duhet të zgjerohen apo e kundërta. Ky vendim, duhet të bazohet në një analizë strategjike që thotë: këto janë prioritetet, ja burimet dhe çfarë na nevojitet. Mund të jetë një proces i drejtuar nga buxheti, por duhet të mendohet edhe rreziku që po ndërmerret, dhe çfarë do të humbë. Sepse kur e dorëzon një bazë, nuk ka gjasa që ta rimarrësh atë. Së dyti, ne nuk kemi nevojë për praninë e dikurshme.
Gjatë Luftës së Ftohtë kishim thuajse 300.000 trupa, kryesisht në Gjermaninë Perëndimore, Itali dhe Turqi. Sot nuk kemi më nevojë për shifra të tilla. Është një situatë krejt tjetër. Dhe thuajse të gjitha ato baza u janë dorëzuar qeverive përkatëse.
Aspekti i tretë që duhet pasur parasysh është qasja. SHBA-ja nuk mund të mbrohet vetëm nga Teksasi, Karolina e Veriut ose Florida. Duhet të kemi prani dhe aftësi pak më përpara për të projektuar fuqinë ajrore, detare dhe tokësore në Afrikë, Lindjen e Mesme, Mesdhe, si dhe Evropën Qendrore dhe Lindore dhe Arktik.
Këto nuk mund të bëhen dot vetëm nga bazat amerikane në territorin e Shteteve të Bashkuara. Natyrisht, asnjëra nga ato nuk është falas. Ka marrëveshje të ndryshme se kush paguan për çfarë. Ne s’mund të supozojmë se do të vendosim një bazë detare në Itali apo Greqi dhe ata duhet ta pranojnë.
Ato janë vende të pavarura, dhe mendoj se nga ana e SHBA-ja ka një nivel të caktuar arrogance mbi për atë që mund të bëjë ose jo. Një faktor i rëndësishëm është ndarja e inteligjencës me vendet aleate. Përveç Five Eyes (aleanca midis Britanisë së Madhe, Kanadasë, Australisë dhe Zelandës së Re në fushën e shërbimeve sekrete), ne kemi shkëmbim të madh të inteligjencës dhe marrëveshje dypalëshe me vende si Gjermania dhe Polonia.
Aftësitë tona në këtë fushë, nuk bazohen vetëm tek satelitët amerikanë, por edhe në këto marrëveshje. Dhe ata satelitë nuk kanë asnjë vlerë nëse nuk kemi mjaftueshëm stacione tokësore, të cilat i kemi brenda vendeve evropiane. Ato mund të mos llogariten si baza, por ajo që nevojitet është prania e SHBA-së.
Cilat baza janë më të rëndësishmet? Sot kemi një prani aq të vogël, sa edhe nëse mbyllim një bazë të caktuar, ose do ta humbim atë aftësi, ose do ta zhvendosim në një vend tjetër që është tashmë me kapacitet të plotë. Pastaj na duhet një seli për të menaxhuar gjithçka.
Puna e Ushtrisë Amerikane në Evropë, ashtu si Ushtria Amerikane në Afrikë apo Qendrore apo Paqësor, është të vendosë teatrin. Ajo seli na lidh me rrjetet e inteligjencës dhe logjistikës. Sot ne e dimë se ku duhet të shkojmë kur ka një krizë.
Si mund të ndikojë mbyllja e bazave ajrore dhe detare si Ramstein, Sigonella dhe Souda Bay në projeksionin e forcave amerikane në Afrikë dhe Lindjen e Mesme?
SHBA-ja nuk mund të dominojë Mesdheun dhe as të projektojë fuqinë e saj në Afrikë, nëse nuk ka qasje në bazat aktuale në Italia, Spanja, Greqia dhe Turqia. Pjesa më e madhe e marinës amerikane në Evropë është e vendosur në Rota, Spanjë.
Selia jonë është në Napoli, pastaj kemi edhe Kretën. Atu gjenden një pjesë e rëndësishme e aftësisë së Marinës Amerikane, për të mbrojtur interesat tona në Mesdheun Lindor. Nëse mbyllet vetëm njëra prej tyre, do të kemi më pak aftësi.
Cila është rëndësia e krahut lindor për sigurinë e përgjithshme të SHBA? Nëse do të mbylleshin sistemet e mbrojtjes raketore në Poloni dhe Rumani, cilat kërcënime globale do të bëheshin më sfiduese për Amerikën?
Aftësia për të pasur qasje në funksion të parandalimit. Ky i fundit kërkon aftësi dhe besueshmëri. Kundërshtari duhet të shohë atë që ke, dhe të besojë se do ta përdorësh. Ndaj nëse nuk jemi të pranishëm, kjo e forcon sfidën, pasi duhet të zhvendosemi sërish atje dhe me shpejtësi në rast krize.
Si e shihni rolin e bazave të SHBA-së në Evropë, duke pasur parasysh ndryshimin e fokusit të administratës aktuale drejt Indo-Paqësorit?
Mendoj se është e pritshme. Administrata Obama donte që të zhvendoseshin më shumë në Paqësor. Natyrisht, Rusia kishte plane të ndryshme. Ajo pushtoi Ukrainën dhe ne duhej ta ndalonim. Dhe të gjitha gjërat që ka bërë Rusia ndodhën pasi SHBA e zvogëloi praninë e saj ushtarake në Evropë, dorëzoi shumicën e bazave, i kthehu në shtëpi të gjitha tanket, dhe e dobësoi aftësinë tonë për të frenuar dhe mbrojtur, pasi ne menduam se nuk do të duhej ta bënim më këtë.
Nëse administrata aktuale, merr vendimin strategjik për t’i dhënë përparësi rajonit të Indo-Paqësorit, duhet analizuar se çfarë duhet shkurtuar. Unë nuk e di se çfarë do të ndodhë, por supozoj se të parat do të jenë forcat tokësore, pasi ato harxhojnë shumë para.
Ato po përdorin asete që ekzistojnë tashmë në Poloni, Gjermani dhe Lituani. Pra, nëse zhvendosen, do të humbnim aftësitë e deridjeshme. Por nuk ka pse të mbyllen tërësisht. Nëse ushtria në tërësi do t’i nënshtrohet shkurtimeve të mëdha të shpenzimeve, atëherë me siguri, Ushtria Amerikane në Evropë do të paguajë faturën kryesore.
Dhe si mendoni se Rusia dhe Kina do ta interpretonin mbylljen e bazave ushtarake të SHBA-së dhe tërheqjen e trupave nga Evropa?
Së pari, ata duhet hapin shampanjën për të festuar. Më pas, do të vëzhgonin nëse Evropa mund ta plotësojë boshllëkun, apo nëse SHBA-ja do të bëjë diçka për të zbutur atë rrezik. Duhet pasur parasysh se forcat amerikane nuk janë në Evropë për të mbrojtur thjesht evropianët.
Ato janë aty për interesat tona strategjike. Pra, rusët dhe kinezët do ta mendonin se Amerika ose nuk ka aq shumë interesa strategjike në rajon, ose nuk mund t’i mbrojë, ose nuk i intereson. Dhe asnjë nga këto nuk janë sinjale të mira për t’u dërguar rusëve.
Kinezët mund të thonë: Në rregull, SHBA-ja po bën më në fund atë që tha, pra duke u fokusuar më shumë në Paqësor.
Por në Evropë kemi pak asete, që mund të vlejnë për në Paqësor. Me pak përjashtime, aftësitë në Evropë nuk janë domosdoshmërisht ato që na nevojiten edhe në Paqësor. Prandaj administrata Trump, do të duhet t’i kërkojë Evropës të mbrojë interesat tona./Përgatiti Pamfleti
Lini një Përgjigje