Ndërsa Vladimir Putin ka nevojë për një gjendje të përhershme lufte për ta mbajtur nën thundrën e tij popullin rus, Donald Trump ka nevojë për konflikte me pjesën tjetër të botës, për të krijuar një pretekst për abuzimin e tij me pushtetin. Të gjithë ata që e kundërshtojnë regjimin e ri autoritar të Amerikës, duhet të kenë kujdes që të mos bien në grackat e tij.
Teksa administrata e dytë e Donald Trump, po shpërbën me shpejtësi aleancat e SHBA-së, institucionet e saj të brendshme dhe marrëveshjet e tregtisë globale, historiania Irena Grudzińska Gross, profesoreshë në Institutin e Studimeve Sllave në Akademinë Polake të Shkencave, intervistoi ish-disidentin e famshëm polak Adam Michnik. Ai tregon se si opozita demokratike e Amerikës duhet t’i kundërvihet regjimit autoritar që po ngrihet atje.
A po shkon Amerika drejt autoritarizmit?
Regjimet e presidentit rus Vladimir Putin dhe atij amerikan Donald Trump, kanë diçka të përbashkët, dhe kjo nuk është vetëm retorika e tyre. Për të dyja, politika e jashtme është në funksion të politikës së brendshme. Putinit i duhet një gjendje e përhershme lufte për ta mbajtur popullin rus nën thundrën e tij.
Trump duhet të krijojë konflikte me të gjithë botën, për ta paraqitur përdorimin e pushtetit si të nevojshëm për mbrojtjen e identitetit amerikan dhe mirëqenien e Amerikës. Nga këndvështrimi i një rusi të zakonshëm, është e parëndësishme nëse rrënojat e Donetskut i përkasin Ukrainës apo Rusisë.
Për të është më e rëndësishme që ka luftë, sepse kështu njerëzit mblidhen rreth flamurit. Në fillim Putinit iu desh të shkatërronte shoqërinë civile në Rusi, gjë që ai e ka bërë vazhdimisht gati që nga fillimi i sundimit të tij. Edhe Trump ka arritur të nënshtrojë në më pak se 3 muaj, segmentet kryesore të shoqërisë civile në SHBA. Normalisht duhen 3 vjet për ta bërë një gjë të tillë.
Nga të gjithë liderët e huaj me të cilët mund të krahasohet Trump, pse e veçoni Putinin?
Sepse jemi dëshmitarë të një “putinizimi” të plotë të Shteteve të Bashkuara. Trump dëshiron të krijojë një regjim të ngjashëm me Putinin. Por duhet ta bëjë këtë brenda sistemit amerikan. Amerika është një shoqëri e ndryshme nga ajo ruse, me tradita të ndryshme dhe institucione të ndryshme.
Prandaj, regjimi i Trump nuk do të jetë një kopje e përsosur. Por fakti që Japonia është e ndryshme nga Portugalia, s’do të thotë se ato nuk janë të dyja demokraci. Regjimet autoritare kanë gjithmonë specifikat e tyre historike dhe kombëtare, por kjo nuk do të thotë se nuk janë autoritare. Siç më tha një nga miqtë e mi rusë, Putin po përshtat një sistem autoritar me një sistem tjetër totalitar.
Ju ishit pjesë e opozitës polake që i rezistoi me sukses diktaturës komuniste...
Në atë kohë, askush nga ne nuk e dinte se diktatura po vdiste. Të gjithë e dinim që po dobësohej, se po lëkundej. Por askush nuk priste që të përfundonte ashtu siç ndodhi. Më vonë, askush nga ne nuk e priste “hakmarrjen e kujtesës” që shohim tani në Rusi, si dhe në Hungari, SHBA, Brazil, Argjentinë e kështu me radhë.
Çfarë doni të thoni me këtë?
Ne po shohim sot një fytyrë tjetër të Amerikës, e cila na kishte humbur nga sytë, edhe pse ajo ishte aty gjatë gjithë kohës. Është fytyra e racizmit, përjashtimit, mizorisë, linçimeve dhe dominimit perandorak brutal. Një impuls që u shfaq plotësisht gjatë debatit të ashpër të Trump dhe zëvendëspresidentit J.D.Vance me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Zyrën Ovale.
Pashë një paturpësi, një vrazhdësi nga njerëz që as nuk shtirren se njohin parime, ligje apo norma. E vetmja gjë që ka rëndësi për ta, është se kush është më i pushtetshëm. Nëse nuk bindesh, do të hash një grusht në fytyrë. Hakmarrja e kujtesës, është mënyra se si e përshkruaj një Amerikë që nuk është përshtatur me shekullin XXI.
Kjo Amerikë më e errët e përcakton armikun e saj nga gjinia, orientimi seksual dhe identiteti, statusi i migracionit. Është hakmarrja e asaj pjese të shoqërisë që ndihet e zhgënjyer nga përdorimi i diskriminimit pozitiv për të korrigjuar diskriminimin e dikurshëm.
Çfarë duhet të bëjë opozita?
Demokratët duhet ta bëjnë të qartë se ku po e dëmton Trump Amerikën. Për shembull, amerikanët duhet ta dinë se politika tarifore e Trump nuk është në interesin e tyre, se në fund do të dëmtohen prej saj. “Amerika e Para”, do të thotë një izolim i vetë-imponuar.
Nëse dikush veproni si një tiran, fundi do jetë i keq. Kjo duhet t’u shpjegohet edhe votuesve të Trump. Ata i kanë dhënë mbështetjen një sulmi ndaj institucioneve dhe fuqisë së butë amerikane. Si dikush që ka qenë gjithnjë pro-amerikan, kam menduar se Amerika do të rreshtohej gjithmonë në anën e duhur.
Por tani, Trump e ka zhvendosur atë në anën e gabuar, madje duke kopjuar gjuhën e Putinit. Qëllimi më i menjëhershëm për cilindo që shqetësohet për demokracinë në SHBA, është të sigurojë që republikanët të humbasin shumicën në Kongres dhe Senat në zgjedhjet mesit të mandatit vitin e ardhshëm.
Demokratët duhet të kontaktojnë me të gjitha grupet shoqërore, anëtarët e të cilëve mund të kenë mbështetur Trump, dhe t’u shpjegojnë se si administrata e tij po dëmton interesat e tyre. Por efektet nuk do të ndihen doemos brenda natës, do të duhet kohë.
Disa nga efektet janë duke u parë. Tregjet janë në rënie, dhe shumë analistë po paralajmërojnë një recesion...
Opozita pro-demokracisë, duhet të ruajë një hapësirë për të folur për atë që na shqetëson. Administrata autoritare e Trump po mbështet tek kaosi, tek njerëzit që nuk po e kuptojnë botën ku jetojnë. Nevojiten grupe ekspertësh dhe institucione të tjera që të dokumentojnë, diagnostikojnë dhe parashikojnë atë që po ndodh.
Dhe sigurisht, të gjithë duhet të themi të vërtetën. Siç e tha dikur Jezusi e vërteta do të na çlirojë. Ndërsa po shohim përpjekjen e Trump për të ndryshuar botën, le të kujtojmë se asnjë fitore nuk është përfundimtare dhe asnjë humbje përfundimtare. Ne mund të rikthehemi fitimtarë pas çdo humbje. Ne duhet të luftojmë.
Dhe si duhet të kundërpërgjigjet Evropa ndaj këtij kërcënimi?
Evropa po zgjohet, duke pyetur veten se si mund të bëhet më e fortë dhe e pavarur. Sigurisht, ky proces do të jetë i vështirë. Unë nuk e di nëse do të funksionojë, por ne duhet të përpiqemi.
Përvoja polake me shembjen e komunizmit na jep të gjithëve pak shpresë...
Gjatë viteve të diktaturës, në Poloni qarkullonte një shprehje: “Sheqeri duhet të shkrijë!”. Me këtë, ne donim të thoshim që disa gjëra të kërkojnë kohë. Nuk mund të presësh që rruga të hapet brenda natës. Por regjimet autoritare janë të vdekshme, dhe regjimi aktual do të fillojë të pengohet në këmbët e veta.
Tani për tani, administrata Trump po përdor një “flakëhedhës” të fuqishëm dhe shkatërrues. Dhe kur një shtëpi është në flakë, është e vështirë ta shuash atë me bojë. SHBA-ja është vërtet në flakë, por asnjë zjarr nuk digjet përgjithmonë./Në shqip: Pamfleti
Lini një Përgjigje