
Pse strategjitë ushtarake, nuk po sjellin më fitore në fushën e betejës...
Gjatë operacionit “Stuhia e Shkretëtirës” në vitin 1991 për të çliruar Kuvajtin nga Iraku pushtues, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të koalicionit përdorën një fuqi ushtarake të madhe tokësore, ajrore dhe detare. Gjithçka përfundoi brenda pak javësh. Kontrasti midis luftës rraskapitëse dhe të pasuksesshme të SHBA-së në Vietnam dhe asaj të Bashkimit Sovjetik në Afganistan, nuk mund të ishte më i thellë se aq. Madje fitorja e shpejtë, çoi në diskutime mbi një epokë të re luftërash, tek një i ashtuquajturi revolucion në çështjet ushtarake.
U pretendua se nga ai moment e tutje, armiqtë do të mposhteshin përmes shpejtësisë dhe manovrave të shkathëta, me të dhënat e inteligjencës të marra në kohë reale nga sensorë inteligjentë që drejtojnë sulmet e menjëhershme duke përdorur armë inteligjente.
Ato shpresa rezultuan jetëshkurtra. Fushatat anti-kryengritje të Perëndimit në dekadat e para të këtij shekulli, që u etiketuan si “luftëra të përhershme”, nuk u dalluan për shpejtësinë e tyre. Fushata ushtarake e Uashingtonit në Afganistan ishte më e gjata në historinë e SHBA-së dhe në fund dështoi: talebanët u rikthyen në pushtet.
Por ky problem nuk kufizohet vetëm tek Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj. Në shkurtin e vitit 2022, Rusia nisi një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës. Supozohej se do ta nënshtronte brenda disa ditësh. Tani, edhe nëse mund të arrihet armëpushimi, lufta ka zgjatur mbi 3 vjet, gjatë të cilave ajo u dominua nga luftime të ashpra.
Edhe kur Izraeli nisi pushtimin e Gazës si hakmarrje për sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023 dhe marrjen e qindra pengjeve, presidenti i SHBA Joe Biden kërkoi që operacioni të ishte “i shpejtë, vendimtar dhe dërrmues”.
Por ai vazhdoi për 15 muaj, në proces duke u zgjeruar në fronte të tjera në Liban, Siri dhe Jemen, përpara se të arrihej një armëpushim i brishtë në janar 2025. Lufta rinisi nga mesi i muajit të kaluar. Dhe këtu nuk kemi përmendur shumë konflikte në Afrikë, përfshirë ato në Sudan dhe Sahel, që nuk kanë fund në horizont.
Ideja se ofensivat e befasishme mund të prodhonin fitore vendimtare, nisi të përfshihej në strategjitë ushtarake në shekullin XIX. Por herë pas here, forcat që i nisin ato kanë treguar se sa e vështirë është të çosh një luftë drejt një fundi të hershëm dhe të kënaqshëm.
Udhëheqësit ushtarakë evropianë, kishin besim se lufta që filloi në verën e vitit 1914, mund të “mbaronte deri në Krishtlindje”, kur në fakt luftimet do të zgjasnin deri në nëntor 1918, pas 4 viteve luftë shkatërruese nëpër llogore përgjatë vijave të frontit pothuajse të palëvizshme.
Në vitin 1940, Gjermania pushtoi pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore brenda disa javësh me anë të një sulmi rrufe (Blitzkrieg), por nuk mundi ta përfundonte punën, dhe pas përparimeve fillestare të shpejta kundër Bashkimit Sovjetik në vitin 1941, u zhyt në një luftë brutale me shumë viktima nga të dyja palët që do të përfundonte gati 4 vjet më vonë me rënien totale të Rajhut të Tretë.
Por pavarësisht këtyre dështimeve, strategët ushtarakë vazhdojnë të bëjnë plane për luftëra të shkurtra, në të cilat gjithçka supozohet të vendoset brenda disa ditësh apo edhe që në orët e para të luftës. Dhe kur e pranojnë se çdo luftë e madhe sot mund të mos përfundojë shpejt, u kërkohet të adoptojnë një qasje tjetër.
Luftërat e shkurtra zhvillohen me çfarëdo burimesh të disponueshme në atë kohë, ndërsa luftërat e gjata kërkojnë zhvillimin e aftësive që janë të përshtatura për ndryshimin e objektivave operacionale, siç tregohet nga transformimi i vazhdueshëm i luftës me dronë në Ukrainë.
Luftërat e shkurtra, mund të shkaktojnë ndërprerje të përkohshme për ekonominë dhe shoqërinë e një vendi, dhe nuk kërkojnë linja të gjera furnizimi, ndërsa luftërat e gjata kërkojnë strategji për ruajtjen e mbështetjes popullore, funksionimin e ekonomive dhe mënyrat e sigurta për të riarmatosur dhe freskuar trupat në front.
Po ashtu, luftërat e gjata kërkojnë përshtatje dhe evolucion të vazhdueshëm: sa më gjatë të zgjasë një konflikt, aq më shumë presion do të ketë për risi në taktika dhe teknologji, të cilat mund të sjellin një përparim. Edhe për një fuqi të madhe, dështimi për t’u përgatitur për këto sfida mund të jetë katastrofik.
Mësimi kryesor, që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre mund të nxjerrin nga përvoja e tyre e konsiderueshme e luftërave të gjata, është se ato mund të shmangen. Nëse Shtetet e Bashkuara përfshihen në një konflikt të zgjatur të fuqive të mëdha, e gjithë ekonomia dhe shoqëria e vendit duhet të vendosen në një bazë lufte.
Edhe nëse një luftë e tillë përfundon me diçka të përafërt me një fitore, popullsia ka të ngjarë të shkatërrohet dhe shteti të privohet nga të gjitha kapacitetet rezervë. Për më tepër, duke pasur parasysh intensitetin e luftës bashkëkohore, shpejtësinë e konsumimit dhe kostot e armatimit modern, rritja e investimeve në pajisje dhe municione të reja, mund të jetë ende e pamjaftueshme për të përballuar një luftë të ardhshme për një kohë të gjatë.
Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre, duhet të sigurojnë paraprakisht rezerva të mjaftueshme për të qëndruar në luftë aq gjatë sa të vihet në lëvizje një mobilizim shumë më drastik dhe në shkallë të plotë. Pastaj është rreziku i luftës bërthamore.
Në një moment gjatë një lufte të zgjatur që përfshin Rusinë ose Kinën, mund të jetë i pa rezistueshëm tundimi për të përdorur armë bërthamore. Një skenar i tillë do të sillte ndoshta fundin e papritur të një luftë të gjatë konvencionale.
Pas 7 dekadash debat rreth strategjisë bërthamore, nuk është gjetur ende një teori e besueshme e fitores në një luftë bërthamore ndaj një kundërshtari të aftë për t’u hakmarrë në të njëjtën mënyrë.
Një sulm bërthamor që nuk prodhon fitore të menjëhershme, por që përkundrazi sjell më shumë sulme bërthamore mund të mos zgjasë, por padyshim që do të ishte një skenar i zymtë. Prandaj është përshkruar si një “shkatërrimi i sigurtë reciprokisht”.
Luftërat fillojnë dhe mbarojnë përmes vendimeve politike. Vendimi politik për të nisur një konflikt të armatosur, ka të ngjarë të supozojë një luftë të shkurtër; ndërsa ai për t’i dhënë fund luftimeve ka të ngjarë të reflektojë kostot dhe pasojat e pashmangshme të një lufte të gjatë.
Për çdo fuqi ushtarake, perspektiva e armiqësive të pafundme, dhe paqëndrueshmëria e madhe ekonomike dhe politike, është një arsye e fortë për të ngurruar përpara se të fillojë një luftë të madhe, dhe për të kërkuar mjete të tjera për të arritur qëllimet e dëshiruara.
Por kjo do të thotë gjithashtu se kur luftërat nuk mund të shmangen, objektivat e tyre ushtarakë dhe politikë duhet të jenë realiste dhe të arritshme, dhe të hartohen në mënyra që mund të arrihen nga burimet ushtarake që janë në dispozicion.
Një nga joshjet e mëdha të fuqisë ushtarake, është se ajo premton t’i sjellë konfliktet drejt një fundi të shpejtë dhe vendimtar. Por në praktikë, kjo gjë ndodh shumë rrallë./Pamfleti nga “Foreing Affairs”
Shënim: Lawrence D. Freedman, profesor i studimeve të luftës në Kolegjin Mbretëror të Londrës.
Lini një Përgjigje