
Si është e mundur që në vend që të hetohen manipulatorët, gjykata ndëshkon zërin që guxon t’i emërojë me emrin e duhur?
Etika ime shqetëson gjykatën sepse thashë që oficerët e policisë janë të korruptuar, por ryshfeti i tyre nuk i bën aspak përshtypje gjykatës. Kur të thuash të vërtetën në një sallë gjyqi konsiderohet shkelje etike, ndërkohë që manipulimi i dosjeve nga punonjës policie kalon në heshtje, atëherë nuk jemi më përballë drejtësisë, por një shfaqjeje të pështirë hipokrizie me regji të njohur.
Në një çështje penale të ngritur në një gjykatë shqiptare, pata guximin si avokat të artikuloj një realitet të njohur nga të gjithë por të heshtur nga shumica, që disa punonjës të policisë janë jo vetëm të paaftë, por edhe të përfshirë në veprime të rënda korruptive dhe manipulime të hapura të provave.
Dhe kjo nuk është opinion personal apo shpifje, është fakt i dokumentuar. Njëri prej tyre është arrestuar për marrje ryshfeti prej 2.000 eurosh nga pala kallëzuese dhe ndaj të tjerëve është depozituar kallëzim penal nga ana ime. Çështja për të cilën flasim është një farsë që do të duhej të kishte përfunduar me një hetim penal ndaj zyrtarëve të korruptuar, jo me një vërejtje etike ndaj një avokati që po mbron qytetarin e thjeshtë.
Si është e mundur që në vend që të hetohen manipulatorët, gjykata ndëshkon zërin që guxon t’i emërojë me emrin e duhur?
Kur gjykata më tërhoqi vëmendje se paskam shkelur “etiken”, thjesht sepse thashë të vërtetën në sy të sistemit, unë nuk bëra asgjë më shumë sesa të mbështesja publikisht deklaratën e Altin Dumanit, drejtues i SPAK, i cili vetë ka deklaruar në një dalje publike se nuk bashkëpunon me Policinë e Shtetit sepse ajo është e lidhur me mafian dhe grupet kriminale.
E nëse ky është qëndrimi i një prej njerëzve më të rëndësishëm të drejtësisë shqiptare, si mund të ndëshkohet një avokat për të njëjtën gjë? Pra, po jetojmë në një kohë kur, Po të vjedhësh dosjen, je “në detyrë”; Po të manipulosh provat, je “në hetim”; Po të thuash të vërtetën, je “i paetik”;Po të mbrosh qytetarin, je “konfliktual”.
Ironia më e madhe është se kjo çështje ka të bëjë me një qytetar 70-vjeçar, i cili gjoja paska kundërshtuar punonjësit e policisë! Një burrë i moshuar përballë strukturave të armatosura dhe të mbështetura nga pushteti, dhe për këtë rasti quhet “konflikt”, jo dhunë ndaj qytetarit!
Nëse drejtësia ka frikë nga e vërteta, atëherë nuk kemi më drejtësi, por dekor gjyqësor. Dhe nëse etikë konsiderohet heshtja para padrejtësisë, atëherë më mirë të më hiqet profesioni i avokatit sesa të mbyllet goja.
E vërteta nuk është fyerje. Është ilaç i hidhur për një sistem që s’do të shërohet. Kjo është një e vërtetë e hidhur e sistemit tonë gjyqësor: fatet e qytetarëve shpesh varen jo nga drejtësia, por nga mënyra se si manipulohen hetimet nga policia gjyqësore.
Dosjet nuk ndërtohen mbi prova, por mbi interesa; nuk udhëhiqen nga ligji, por nga pazari. Kur manipulimi bëhet normë dhe e vërteta cilësohet si “shkelje etike”, drejtësia nuk është më funksion, por fasadë.
Por një e vërtetë edhe më e hidhur është se këto dosje, edhe kur janë të mbushura me manipulime, shkelje procedurale dhe prova të dyshimta, kalojnë në mënyrë të rëndomtë nga gjykatat, pa u shqyrtuar me seriozitetin që kërkon drejtësia.
Gjykata shpesh bëhet kalim formal i dosjes, jo filtër i së drejtës, duke legjitimuar padrejtësinë dhe duke e kthyer procesin gjyqësor në një formalitet të zbrazët, ku drejtësia nuk jepet thjesht simulohet.
Lini një Përgjigje