TAGS-AT E JAVËS

Forum22 Korrik 2024, 10:13

Biden ishte edhe më efektiv se Obama; vendimi i mbrëmshëm shpëton trashëgiminë e tij

Shkruar nga Pamfleti

Politologu amerikan, Ian Bremmer: Kamala është alternativa më pak traumatike. Tani demokratët kanë njëqind ditë që të përpiqen të rregullojnë situatën...

Biden ishte edhe më efektiv se Obama; vendimi i mbrëmshëm
Ian Bremmer /

“Me vendimin për t’u tërhequr, qoftë edhe me vonesë, Joe Biden po shpëton të paktën pjesërisht trashëgiminë politike të presidencës së tij, e cila kishte një rëndësi të madhe në vend, ndërsa në nivel ndërkombëtar rezultatet ishin shumë më pak pozitive”.

Ndërsa po udhëtonte mes majave të Montanës, shkencëtari politik Ian Bremmer – i befasuar nga koha që zgjodhi presidenti për të shpallur tërheqjen e tij – komenton letrën e Biden dërguar amerikanëve përmes mediave sociale.

Në kongresin e tyre, republikanët e përshkruan atë si një nga presidentët më të këqij në histori. Nëse ata rifitojnë Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin, çfarë do të mbetet nga trashëgimia e tij? Donald Trump dëshiron të fshijë atë që ka bërë Biden.

Trump nuk mund ta fshijë dot mirë-menaxhimin e pandemisë Covid- 19, efektivitetin e fushatës së vaksinimit, ndjeshmërinë dhe efikasitetin e presidentit në atë fazë. Dhe më pas legjislacioni pozitiv dypartiak që bëri të mundur shmangien e recesionit dhe ringritjen e ekonomisë më herët dhe më mirë se pjesët e tjera të botës. Në menaxhimin e krizës, por edhe në përgjithësi, me reformat ekonomike, Biden ishte shumë më efektiv edhe se Obama, i cili ishte një ’yll rocku’, ndërsa Joe nuk kishte kurrë karizëm. Megjithatë ai ia doli që Kongresi të miratonte plane të rëndësishme për të ardhmen e Amerikës: nga "Akti i Reduktimit të Inflacionit" me masat për mjedisin dhe tranzicionin energjetik, te plani për infrastrukturën jetike të vendit, te "Akti i çipsave" që jep më tej shtysë për kërkime në teknologjitë më të avancuara dhe zhvillimin e prodhimit strategjik në tokën amerikane. Nuk e shoh se si Trump mund ta zhbëjë gjithë këtë, as çfarë avantazhi do të kishte”.

Rezultate pozitive që amerikanët duket se nuk i kanë njohur kurrë tek ai: ai ka qenë gjithmonë një president jopopullor në sondazhe, edhe para se të shfaqeshin qartë problemet që lidhen me pleqërinë e tij.

Është e vërtetë, por tërheqja lidhet vetëm me këtë përkeqësim mjaft të papritur të gjendjes së tij shëndetësore. Biden ka qenë gjithmonë, edhe si senator, një figurë ndërkombëtare, një urë lidhëse midis Amerikës dhe Evropës, shumë i dashur në kontinentin tuaj.

Më dhembi zemra, disa ditë më parë, gjatë samitit të NATO-s në Uashington, kur pashë disa liderë evropianë të rraskapitur emocionalisht, madje të humbur kur takuan një mik të vjetër, i cili ishte bërë shumë më i brishtë në krahasim me herën e fundit që e kishin parë, i ngadalshëm në lëvizje, por edhe mendërisht. Deri në atë pikë sa disa prej tyre nuk i njohu. Disa u prekën duke parë tek ai shenja të të njëjtave sindroma që shohin te prindërit e tyre”.

Dhe a është Biden menaxheri i rolit të Shteteve të Bashkuara në botë?

Gjërat nuk shkuan aq mirë atje. Përgjatë një karriere politike që zgjati më shumë se gjysmë shekulli, Biden ishte një ngjitës: një faktor stabiliteti dhe mbrojtjeje të aleancave të Amerikës në të dy frontet e Atlantikut dhe Paqësorit. Si senator dhe si zëvendës i Obamës ai i njihte dhe i siguroi të gjithë. Kam marrë pjesë në konferencën vjetore të sigurisë në Mynih për një kohë të gjatë: atje evropianët kishin një marrëdhënie plot besim të ndërsjellë me vetëm dy amerikanë, Joe Biden dhe republikanin John Mcain. Por bilanci ndërkombëtar i presidencës së tij tre vjeçare e gjysmë nuk është aq pozitiv: ka pikën e zezë të tërheqjes nga Afganistani në verën e vitit 2021. Është e vërtetë se ishte e nevojshme t'i jepej fund luftës më të gjatë në historinë amerikane dhe se negociatat me talebanët tashmë ishin vendosur keq nga Trump në vitin e fundit të presidencës së tij, por mënyra se si Amerika u largua nga skena ishte katastrofike. Dhe pastaj dy luftërat aktuale. Natyrisht, Biden kishte meritën e mbajtjes së Perëndimit të bashkuar në mbrojtjen e Ukrainës të pushtuar nga Rusia duke forcuar dhe zgjeruar NATO-n, por është gjithashtu e vërtetë se ai nuk arriti të tregojë një kapacitet real për frenim kundër Putinit: strategjia e sanksioneve kundër Rusisë rezultoi e paefektshme dhe pas më shumë se dy vitesh luftë Ukraina humbi terren. Madje edhe në Lindjen e Mesme, Amerika në njëfarë kuptimi është izoluar në mbështetje të pakushtëzuar për Izraelin, pa u koordinuar me evropianët apo aleatët në botën arabe. Pikërisht atëherë kur duhej të distancoheshim nga një Netanyahu i pakontrollueshëm dhe i paskrupullt.

Tani është radha e Kamala Harris, jo më popullore se Biden.

Çdo alternativë do të ishte edhe më traumatike. Jopopullariteti është një tipar i pashmangshëm në një vend kaq të ndarë. Tani demokratët kanë vetëm njëqind ditë për të provuar të rregullojnë situatën./Përshtati Pamfleti nga Corriere della Sera

 

ian bremmer biden më efektiv se obama trashëgimia politike

Lini një Përgjigje