
Turizmi është shtylla më e rëndësishme e ekonomisë. Turizmi nuk bazohet vetëm tek uji blu e rëra gri. Turizmi do rrugë, ujë, energji, parking, autobusë, taksi, ushqim të mirë, shërbim dinjitoz, edukatë, mirësjellje...
Publikimet dhe debatet, “u shtuan apo u pakësuan turistët”, vazhdon deri në vulgaritet në rrjet, e madje edhe në media. Kur sezoni është në mes dhe asnjë operator nuk i ka bërë llogaritë se sa fitoi këtë vit, është herët të nxjerrësh konkluzione. Sepse në ekonomi unë mendoj se llogaritë bëhen me para dhe jo me “kokë”. Por, ajo që shihet “me sy të lirë”, është se sivjet ka një rënie të numrit të pushuesve. Cilët furnitorë kanë rënë? Pra nga cili vend është krijuar deficiti? Këtë duhet ta thonë institucionet, jo ata që numërojnë shezllonet bosh.
Por, modestisht, unë mendoj se ka dy arsye për rënien:
E para: Pushuesi kosovar, ai që ka mundësi ekonomike për më shumë se Shqipëria, iku pasi u hoqën vizat. Informacionet jo zyrtare thonë se kjo kategori ka zgjedhur Greqinë dhe Turqinë. Pikërisht heqja e vizave për shtetasit kosovarë, duhej ti kishte ulur ekspertët tanë të turizmit, për të bërë llogaritë, parashikimet dhe rekomandime. Mendjet e mençura ndaj janë, që të prodhojnë prognoza, të parashikojnë situata dhe të sygjerojnë masa.
Në vend të kësaj, qeveria jonë shikonte filxhanin, për të parashikuar se sa turistë do na vijnë.
E dyta, është pikërisht ky “filxhani”. Institucionet qeveritare deklaronin me shumë bujë se këtë vit do të vijnë 10 milion turistë. E kemi që e kemi në dorë, e bëjmë 12 milion? - tha dikush tjetër. Mund ta kishim bërë edhe 15, se mos na kërkon njeri llogari. Mbi ç’bazë u bënë këto parashikime? Ishin këto studime tregu nga operatorët vendas e të huaj që tregonin tendencën e pushuesve? Publikisht nuk ka asnjë të dhënë. Ka vetëm postime politike euforime dhe lajme të sforcuara në media. Pikërisht kjo eufori i bëri pronarët e hoteleve e shtëpive të “fluturojnë me presh”, dhe të rrisin çmimet, pasi njerëzit do të ziheshin tek dera kush të hynte i pari. Ajo turma e madhe, mesaduket nuk erdhi. Dhe kjo rritje çmimesh, penalizoi edhe pushuesit vendas.
Në këto kushte po kërkojmë armiqtë. Disa akuzojnë Albin Kurtin se u ka thënë kosovarëve të mos shkojnë në Shqipëri. Disa akuzojnë grekët e turqit për paguajnë anti-reklamë ne Shqipëri. Kjo mund të jetë e vërtetë, por është një garë, luftë tregjesh. E dini pse SHBA dhe Kina i mbajnë avionët ushtarakë ndezur? Sepse janë në një luftë tregtare të pandalur.
Turizmi është shtylla më e rëndësishme e ekonomisë. Turizmi nuk bazohet vetëm tek uji blu e rëra gri. Turizmi do rrugë, ujë, energji, parking, autobusë, taksi, ushqim të mirë, shërbim dinjitoz, edukatë, mirësjellje...
Por e keqja jonë është se ne jemi gjithmonë dritëshkurtër. Ne i gëzohemi vetëm suksesit të momentit. Ne nuk mendojmë çdo të ndodhë as pas një viti, e pale pas një dekade. Ne nuk bëjmë analiza se çfarë shkoi mirë e çfarë shkoi keq këtë sezon, për të marrë masa sezonin tjetër.
Lini një Përgjigje