TAGS-AT E JAVËS

Forum 2 Janar 2026, 16:04

Autoritarizmi ynë i Majtë si etnopopulizëm!

Shkruar nga Ben Andoni

Autoritarizmi ynë i Majtë si etnopopulizëm!

Një populizëm i lodhshëm dhe shumë patetik...

Autoritarizmi i të Majtës në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më shumë një pengesë për zhvillimet normale të vendit. Skandalet e fundit tejet agresive dhe fyese që lidhen me AKSH-ën, si edhe veprimtarinë e Ministrisë së Infrastrukturës, veçanërisht të kulmuara tek numri 2 i Ekzekutivit Rama-4, znj. Balluku, e kanë mbyllur vitin 2025 me perceptimin se e ardhmja nuk parashihet si aq pozitive për vendin. Për të sqaruar konceptin e “Autoritarizmit të Majtë”, sqarojmë se i referohet pushtetit të madh dhe gjithëkahësh nga Partia Socialiste e Shqipërisë (PSSH), e drejtuar për katër mandate nga Kryeministri Edi Rama.

Megjithë zhvillimet e pamohueshme të vendit në këto 35 vite nuk mund të mohohet se trashëgimia e ashpër politike e së kaluarës rëndon ende shumë mbi ne. E Majta e Ramës përmes folësve të ndryshëm të PSSH dhe personalisht vetë atij nuk e mohon se janë parti që i kanë rrënjët e ngulura thellë qysh më 8 Nëntor 1941 (Formimi i PKSH-së)! Ashtu si nga ana tjetër, paradoksalisht edhe e Djathta që identifikohet me PD-në, në shumë momente, vepron në të njëjtën mënyrë në politikat e saj të brendshme.

Një populizëm i lodhshëm dhe shumë patetik. Në fakt, populizmi shqiptar që e ushqen këtë autoritarizëm, përmes politikës, është një etno-populizëm. Veçse ndryshe nga simotrat populiste evropiane, zakonisht anti-BE, populizmi shqiptar (nën Ramën) e shpërfaq Bashkimin Evropian si partner real, madje me moton e saj, siguroi fitoren dehëse të PSSH-së në zgjedhjet 2025.

Por, a është vallë polarizimi i madh në vend dhe konfuzimi që lejon lulëzimin e narrativave populiste? Në Shqipëri ky sens e ka drejtimin nga lart-poshtë dhe përdoret për mbajtjen e pushtetit të Ramës që sot si atribut kryesor ka kulturën e “Patronazhit”, bash atë që është kritikuar (sidomos skandali “patronazhist” në vitin 2021) për të ruajtur ndikimin dhe mbështetjen e tij horizontale dhe vertikale.

Gjithsesi, Shqipëria e sotme është një vend në zhvillim me një demokraci parlamentare dhe studiuesit e përshkruajnë regjimin aktual si një sistem “hibrid”. Referuar “Freedom House”: Në vitin 2024, Shqipëria u klasifikua si një “demokraci me të meta”, pra me sfida të vazhdueshme ndaj proceseve të saj demokratike. PSSH, partia në pushtet e ka shtrënguar deri në absurd kontrollin e saj mbi institucionet shtetërore, ashtu si i ka bërë të pamundur kontrollet dhe balancat, si edhe në disa raste duket se e ka politizuar gjyqësorin, ku SPAK mbetet segmenti që po përpiqet ta sfidojë korrupsionin.

Por ky i fundit tashmë është i pamatë. Zbulimet që po i bëhen anatomisë së pushtetit të Majtë përmes rastit “Balluku” etj. dhe, cinizmi skajor i zyrtarëve, tregon se autoritarizmi në Shqipëri ka kapur nivele tejet shqetësuese. Balancat e pushteteve dhe kontrollet nuk respektohen nga Ekzekutivi “Rama”. Shqetësimi publik rritet prej faktit të një Opozite tejet të fragmentuar, të përçarë dhe tashmë në betejë me njëri-tjetrin, ku Berisha me Salianjin është telenovela e re PD-iste që do sjellë sërish pasoja për bjerrjen e kësaj force, por aspak rritje dhe besim tek komuniteti opozitar. Media, së fundmi, po goditet dhe nëpërkëmbët por në jo pak raste përballet deri në sulme fizike.

E megjithatë dhe kjo është më e vogla, kur nga rastet e korrupsionit kemi parë se tendencat autoritare “të fshehta” të partisë kanë indikacione gjithnjë e më të shpeshta të përmendjes së krimit të organizuar. Rasti i kadastrës së Durrësit, përmendja normale e bandave të Elbasanit janë disa nga këto elementë.

Pasojat janë të dhimbshme: “Eurobarometri Special për Korrupsionin për vitin 2025: tregon se 86% e të anketuarve mendojnë se korrupsioni është i përhapur në vendin e tyre (mesatarja e BE-së: 69%) dhe 45% e tyre ndihen personalisht të prekur nga korrupsioni në jetën e përditshme (mesatarja e BE-së: 30%)”, shkruhet në këtë raport. Kurse një studim i publikuar nga Fondacioni “Friedrich Ebert” në shtator 2025 hedh dritë mbi dimensionet shqetësuese të pastrimit të parave në sektorin e pasurive të paluajtshme në Shqipëri gjatë dekadës së fundit.

Analiza me autor Prof. Asoc. Dr. Adriatik Kotorri dokumenton se një pjesë e konsiderueshme e boom-it të ndërtimit në vend mund të jetë financuar nga burime me origjinë të dyshimtë, ku shuma e pajustifikuar e prej 9.13 miliardë Euro ngre pyetje serioze mbi origjinën e fondeve. Migracioni vazhdon të jetë një nga shtyllat kryesore që e formëson ekonominë dhe shoqërinë shqiptare dhe madje një paradigmë e historisë kombëtare, sipas historianit Oliver Schmidt.

Sipas Anketës së Migracionit të Familjeve 2024, realizuar nga INSTAT në bashkëpunim me Bankën Botërore, rreth 37% e familjeve në Shqipëri kanë të paktën një anëtar që aktualisht jeton jashtë vendit ose ka migruar dhe është kthyer. Anketa vlerëson se rreth 1.6 milionë shqiptarë jetojnë jashtë vendit. Jo më kot, shqetësimet Ndërkombëtare, të kanalizuara përmes raporteve të Departamentit të Shtetit të SHBA-së dhe BE-së kanë shprehur shqetësime në lidhje me korrupsionin, sundimin e ligjit dhe krizat politike artificiale të krijuara nga udhëheqja e sotme.

popullizmi patetik

Lini një Përgjigje