
Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço thotë se Gëzim Çela, i njohur ndryshe si “Baroni i drogës”, i cili është shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit policor, “Flakë në det”, është personazh i njohur për trafikimin e lëndëve narkotike, heroinë dhe kanabis.
Në një intervistë për ABC News, Karamuço u shpreh se shefi i komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj nuk ka punuar i vetëm me grupin kriminal, ku bën pjesë dhe Çela. Sipas Karamuços, ka edhe bashkëpunëtorë të tjerë nga radhët e policisë.
“Nga ato që dimë, edhe nga të dhënat që jep media, kronika, por edhe nga ato që dimë nga historiku, këto janë linja të vjetra me bashkëpunëtorë të rinj. Personazhet që janë ende në kërkim, nuk janë personazhe të papërmendur ndonjëherë, që nuk i di policia, publiku dhe organet ligjbzbatuese. Janë shumë problematikë, mbi të gjitha, i ka përkëdhelur sistemi i drejtësisë, njërin prej tyre. Kështu, ata kanë fituar forcën, infrastrukturën, aleancat. Sot, ata të ngjajnë si një sindikatë, pra nuk janë më organizatë kriminale, por janë dy ose më shumë orgnizata kriminale. Janë përfaqësues të krimit transnacional, që i gjen sa në Shqipëri, Turqi, Marok, Spanjë. Flas për personin që kërkohet në atë grup. Për personin që iu rrethua edhe shtëpia në zonën e Kurbinit, ai ka një histori të gjatë që ne e dimë, edhe në Itali me probleme, edhe në Shqipëri, i njohur për lëndët narkotike të heroinës dhe të kanabisit.
Megaoperacioni ka qenë edhe në bashkëpunim me DEA. Aksioma ka qenë që gjithmonë krimi i organizuar, të tilla operacione nuk i realizon dot pa ndihmën e disa policëve të korruptuar. Edhe këto duhet të shikohen si një lloj përgjegjësie, që një shef komisariati nuk është vetëm, është drejtues i një institucioni. A është shefi i komisariatit të Kurbinit, i vetmi ky, që është përfshirë në këtë aktivitet? Le të shikojmë hetimet e mëtejshme se si do të vijojnë”, tha Karamuço.
Lini një Përgjigje