TAGS-AT E JAVËS

Forum 4 Shkurt 2025, 17:44

A do t’i mbijetojë BE luftës tregtare të Donald Trump?

Shkruar nga Kostandinos Bogdanos

 

A do t’i mbijetojë BE luftës tregtare të Donald Trump?
Donald Trump /

Më shumë nga të gjithë në Evropë, nervoz ndaj këtij skenari duhet të jetë Berlini. Baza industriale e Gjermanisë, tashmë e prekur nga një krizë e shkaktuar nga vetja (në radhë të parë një politikë energjetike e hartuar nga njerëz që e urrejnë industrinë), pritet të marrë një goditje të madhe nga tarifat e SHBA-së...

Në politikën globale ka aq pak gjëra të parashikueshme, sa që Brukseli kapet shpeshherë në befasi. Sërish, BE-ja, e rehatuar në dhomën ku dëgjon vetëm jehonën e zërit të saj, e gjen veten shumë në vështirësi se si të reagojë ndaj lëvizjes më të fundit të Uashingtonit.

Me kthimin e Donald Trumpit në krye, SHBA-ja po vendos një raund të ri tarifash, dhe këtë herë e ardhmja e Evropës së bashkuar është shumë në pikëpyetje. Natyrisht, elita e BE-së, e bindur si gjithnjë mbi epërsinë e saj morale, do të lëshojë deklarata të ashpra, duke këmbëngulur se po sulmohet “rendi i bazuar në rregulla”.

Megjithatë le të jemi të sinqertë: kur flitet për tregtinë, Brukseli është një tigër prej letre. Trump po luan shumë fort dhe me seriozitet, ndërsa Evropa po bën sikur po luan. Trump e ka bërë të qartë se Amerika nuk do të tolerojë më marrëveshje që janë në  disavantazh të punëtorëve amerikanë.

Mandati i tij i parë, solli një rinegocim të pamëshirshëm të marrëveshjeve tregtare dhe tarifave të vendosura ndaj Kinës, që i frikësoi liderët evropianë. Tani, në mandatin e tij të dytë, Uashingtoni ka nisur të përdorë sërish të njëjtat praktika.

E megjithatë për disa arsye të çuditshme, BE-ja nuk dukej se priste që SHBA-ja t’i jepte përparësi ekonomisë së saj. Brukseli llogariste se fokusi i Uashingtonit, do të ishte kryesisht mbi Pekinin. Por realiteti është se modeli ekonomik i fryrë dhe proteksionist i Evropës, është po aq në shënjestër të administratës së re amerikane sa edhe sistemi shtetëror-kapitalist i Kinës.

Në rast se dikush në Bruksel ka ende iluzione, duhet të shohë më vëmendje se si Trump po trajton tani partnerët e tjerë tregtarë. Kanadaja dhe Meksika, dikur pjesë e Marrëveshjes tregtare Shtetet e Bashkuara-Meksikë-Kanada (USMCA), po përballen me një breshëri të re tarifash:25 për qind për importet e çelikut dhe aluminit, dhe me kërcënime për taksa të reja mbi pjesët e makinave dhe produktet bujqësore.

Mesazhi është i qartë: Fqinjët e SHBA-së, duhet të luajë sipas rregullave të saj. Ndërkohë Kina mbetet objektivi kryesor i Uashingtonit. Ofensiva e fundit tregtare e Trump, ka vendosur një raund të ri tarifash prej 10 për qind për pajisjet elektronike kineze, gjysmëpërçuesit dhe mallrat e konsumit, duke e përshkallëzuar presionin mbi Pekinin për të reduktuar subvencionet e padrejta ndaj kompanive kineze, si dhe për të frenuar vjedhjen e pronës intelektuale.

Teksa po përballej me një ngadalësim të rritjes ekonomike që pas pandemisë si dhe me largimin e kapitalit jashtë vendit, Kina rrezikon të ndeshet tani me probleme edhe më të mëdha. Dhe tani, është radha e Evropës.

Uashingtoni e di saktësisht se si të ushtrojë presion, duke goditur eksportet evropiane të makinave, subvencionet bujqësore dhe ndihmat ndaj industrisë së gjelbër aty ku dhemb më shumë. Logjika është shumë e thjeshtë: nëse Kanadaja, Meksika dhe madje edhe Kina duhet të pranojnë kërkesat tregtare të Trump, atëherë pse duhet të jetë ndryshe rasti i Evropës?

Më shumë nga të gjithë në Evropë, nervoz ndaj këtij skenari duhet të jetë Berlini. Baza industriale e Gjermanisë, tashmë e prekur nga një krizë e shkaktuar nga vetja (në radhë të parë një politikë energjetike e hartuar nga njerëz që e urrejnë industrinë), pritet të marrë një goditje të madhe nga tarifat e SHBA-së.

Uashingtoni e di saktësisht se ku të godasë: prodhuesit gjermanë të automjeteve, që janë shtylla kurrizore e ekonomisë evropiane. Argumenti i Trump është i thjeshtë. Nëse Gjermania dëshiron që të përmbytë tregun e SHBA-në me makinat e saj, në një kohë që godet me shumë rregullore produktet bujqësore amerikane, atëherë është koha për të vendosur të njëjtat rregulla në fushën e lojës.

Një raund i ri tarifash për makinat evropiane, mund të shkaktojë tronditje mbi ekonominë më të madhe të kontinentit, e cila tashmë është në prag të recesionit.

Por do të ishte një surprizë e madhe nëse Berlini - ose Brukseli - do të reagonin me ndonjë gjë që i ngjan një strategjie koherente.

Por në vend të kësaj të fundit, do të shohim me shumë gjasa ciklin e zakonshëm të zemërimit, kërcënimeve boshe dhe në fund të nënshtrimit. Zyrtarët e tregtisë së BE-së, do të shkojnë me nxitim në Uashington, do të luten për “dialog”, dhe do të kthehen në Evropë me asgjë kuptimplotë.

Por këtu tragjedia e vërtetë nuk janë tarifat e Trump, por fakti që BE-ja është kaq shumë e papërgatitur për t’i trajtuar ato. Për vite me radhë, liderët evropianë kanë këmbëngulur se modeli i tyre ekonomik është superior.

Ata kanë vënë bast gjithçka mbi idenë se industritë “e gjelbra”, do të zëvendësojnë si me magji prodhimin tradicional, se rregulloret e shumta nuk do të pengojnë inovacionin teknologjik, dhe se Amerika do të jetë gjithmonë aty për të amortizuar pasojat ekonomike të vetëkënaqësisë evropiane.

Tani të çarat në këtë fantazi po zgjerohen me shpejtësi. Bizneset evropiane po hasin shumë vështirësi nga çmimet e larta të energjisë, mbi-rregullim dhe një mbështetje e  vetë-imponuar tek zinxhirët e brishtë të furnizimit.

Tarifat e Trump nuk do të jenë shkaku i dobësisë ekonomike të Evropës, por thjesht një rezultat i tyre. Megjithatë, ato mund të bëhen një zile zgjimi shumë e fortë. Por a ka shanse që Brukseli të tregojë më në fund se ka një shtyllë kurrizore?

BE-ja mund të kundërpërgjigjet duke bërë atë që duhet ta kishte bërë vite më parë: t’i japë përparësi vetë-mjaftueshmërisë ekonomike, të shkurtojë rregulloret e panevojshme dhe të ndalojë së trajtuari industrinë si një relike të papërshtatshme të së kaluarës.

Në vend që të lutet për mëshirë, ajo mund të negociojë me Uashingtonin nga një pozitë e fortë. Por le të mos presim ndonjë gjë të madhe. Burokracia e Brukselit lulëzon në menaxhimin e rënies së BE-së, e bindur se për sa kohë që konferencat për shtyp janë të moderuara dhe zhargoni shumë kompleks, atëherë gjithçka është nën kontroll.

Ndërkohë, Trump po bën atë që di më së miri. Ai po imponon realitetin mbi ata që e shmangin atë. Ndaj Evropa duhet ta shikojë realitetin në sy. Sot çështja nuk është nëse BE-ja do të vuajë nga politikat e reja tarifore të Trump, por nëse më në fund do të mësojë leksionin që Amerika, Kina dhe pjesa tjetër e botës e kuptojnë tashmë: tregtia globale nuk është një manastir, por një xhungël. Atje mbijetojnë vetëm të fortët./Përshtati Pamfleti nga “Brussels Signal”

be lufta tregtare donald trump

Lini një Përgjigje