Erdogan është një mjeshtër i veprimeve balancuese. Por a do të jetë në gjendje të arrijë një marrëveshje me Izraelin, duke ruajtur njëkohësisht rolin e tij si mbrojtës i palestinezëve dhe i Hamasit?
Turqia dhe Arabia Saudite, do të jenë pikat e referimit për Lindjen e Mesme të re. Të dyja këto vende, jo vetëm që po ripërtërijnë marrëdhëniet e prishura, por mund të fitojnë peshë në rritje në një rajon ku SHBA-ja ka të ngjarë të tërhiqet.
Valeria Giannotta, drejtoreshë shkencore e Observatorit të Turqisë CeSPI, thotë se synimi i Trump është largimi i plotë nga Siria duke i braktisur kurdët në fatin e tyre, por duke i kërkuar në këmbim Erdoganit normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin. Ideja e presidentit amerikan, është një rajon sa më paqësor për t’i lënë hapësirë biznesit. Në këtë mënyrë, Ankaraja mund të bëhet një lloj reference e Amerikës në rajon, ashtu si Riadi.
Turqia dhe Arabia Saudite po i forcojnë gjithnjë e më shumë marrëdhëniet midis tyre. Ministri i Jashtëm Hakan Fidan sapo ka vizituar Riadin. Çfarë sinjali është ky në kontekstin e zhvillimeve në Lindjes së Mesme?
Në fakt, afrimi mes 2 vendeve është pjesë e një tendence që nisi vitin e kaluar, kur Turqia nënshkroi një marrëveshje për shitjen tek sauditët të dronëve Bayraktar, një kompani turke lidere botërore në këtë sektor. Duket se palët kishin rënë tashmë dakord për prodhimin e dronëve në Arabinë Saudite.
Por a përbën ky takim një pikë kthese në marrëdhëniet mes dy vendeve? Deri vonë Ankaraja dhe Riadi kishin shumë mosmarrëveshje...
Që nga viti 2018, kanë përjetuar një ftohje të marrëdhënieve dypalëshe, edhe për shkak të vrasjes së gazetarit Khashoggi në konsullatën saudite në Stamboll. Më pas, në përputhje me atë që ka qenë qasja e re e Ankarasë në rajon që pas vitit 2021, Arabia Saudite nisi sërish negociatat me Ankaranë.
Një afrim, në të cilin ndikoi edhe situata e krijuar nga ndryshimi i regjimit në Siri?
Marrëveshjet e nënshkruara ditët e fundit janë të natyrës mbrojtëse, pra për furnizimin e Arabisë nga Turqia me pajisje detare, por edhe me dronë, tanke etj. Megjithatë, nuk është rastësi që Arabia Saudite ka qenë një nga sponsorët kryesorë të Assadit, në ri-integrimin e tij në Ligën Arabe.
Dhe nuk është rastësi që sauditët janë një nga bashkëbiseduesit kryesorë të Turqisë, së bashku me Katarin, të grupit të ri sirian që ka marrë në dorë udhëheqjen e vendit. Vendimmarrësit sauditë, janë në kontakt të vazhdueshëm diplomatik, me Ministrinë Jashtme por edhe atë të Mbrojtjes, me qeverinë e re siriane. Dhe ne e dimë se sot Siria është një zgjatim i ambicieve të Turqisë në rajon.
Pra, a e mbështesin të dyja vendet ringritjen e Damaskut?
Në samitin e Riadit, u fol për një lobim dypalësh, që vendet perëndimore të heqin sanksionet që ende rëndojnë mbi Sirinë.
A janë Turqia dhe Arabia Saudite kandidate për të qenë pika referimi për gjithë Lindjen e Mesme?
Nga perspektiva perëndimore, sigurisht që po. Turqia për arsye të dukshme historike të aleancës me Perëndimin dhe Arabinë Saudite, sepse kohët e fundit ka filluar një proces liberalizimi të politikave të saj. Por duhet marrë në konsideratë edhe një element tjetër: administrata Trump duhet të shkëputet së shpejti nga Siria, duke i tërhequr kontigjentet ushtarake që ndodhen ende atje, dhe mund ta bëjë këtë edhe në pjesën tjetër të Lindjes së Mesme.
Një tërheqje, e cila hedh disa hije dyshimi mbi skenarin që po shfaqet?
Mbetet për t’u parë se si do të ndikojë ajo mbi stabilitetin e Sirisë dhe rajonit. Por sipas burimeve mediatike, duket se Trump i ka vënë një kusht Erdoganit: do ta lejojë të vendosë mbi fatin e milicëve kurdë (Siria do që t’i përfshijë në ushtrinë e saj të re), duke kërkuar në këmbim që Turqia të nisë procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin.
Dhe ku mund të çojë ky proces?
Pas afrimit që ndodhi në vitin 2023 pas tërmeteve që goditën Turqinë, lufta e ushtrisë izraelite në Gaza, solli një ftohje të re në marrëdhëniet mes palëve. Por nga këndvështrimi amerikan, Izraeli dhe Turqia, aleatë historikë të SHBA-së, janë dy lojtarë të rëndësishëm.
Ndaj mendohet se Trump do synojë të ringjallë Marrëveshjet e Abrahamit, me synim krijimin e një aleance midis Tel Avivit dhe Riadit. Dhe në një rajon pak a shumë të stabilizuar, po shfaqet një rend i ri që kërkon një marrëdhënie të mirë edhe midis Izraelit dhe Turqisë.
A po heqin dorë amerikanët nga roli i tyre si xhandarë të Lindjes së Mesme, dhe po ia dorëzojnë këtë rol Turqisë dhe Izraelit?
Trump është i interesuar për skenarë të qëndrueshëm. Ai ka një qasje shumë pragmatike. Nuk është i interesuar të eksportojë demokracinë, por të ketë një rend rajonal që e lejon Amerikën të vazhdojë të ndjekë interesat e veta.
Synimi i normalizimit të raporteve mes Izraelit dhe Turqisë është frenimi i Iranit. Për më tepër, një marrëdhënie shumë e sinqertë dhe e drejtpërdrejtë midis Trump dhe Erdogan, e lehtëson qasjen ndaj disa çështjeve.
Erdogan është një mjeshtër i veprimeve balancuese. Por a do të jetë në gjendje të arrijë një marrëveshje me Izraelin, duke ruajtur njëkohësisht rolin e tij si mbrojtës i palestinezëve dhe i Hamasit?
Ditët e fundit në Ankara, ka pasur një vizitë të re të disa përfaqësuesve të Hamasit. Dhe përmes këtij kontakti me krahun politik të organizatës palestineze, Turqia ka arritur të ndërmjetësojë për lirimin e disa pengjeve tajlandeze në Gaza. Pra ajo ruan rolin e saj si ndërmjetëse.
Marrëdhënia me Izraelin, karakterizohet nga një ambivalencë e caktuar. Në fakt, tonet e polemikave anti-izraelite, nuk janë më aq të forta si më parë. Në nivelin e opinionit publik dhe medias, lajmet mbi Gazën, mbi masakrat izraelite, ato vazhdojnë të jenë të dukshme. Por deklaratat e Erdogan nuk janë më aq të egra sa më parë, ndoshta sepse ai ndjen se me Trumpin do të gjendet një mënyrë për të stabilizuar situatën.
Atëherë, ku do të bazohet normalizimi i raporteve mes Turqisë dhe Izraelit?
Unë besoj në heqjen e embargos turke ndaj disa produkteve izraelite, rifillimin e dialogut diplomatik dhe tij politik. Mendoj se ky skenar, mund të parashikojë edhe daljen e Netanyahut nga skena. Pa ekipin politik që qeveris aktualisht, do të lehtësoheshin marrëdhëniet me Turqinë. Erdogan do ishte më dashamirës ndaj një Izraeli nën një qeveri të re, sesa në udhëheqjen e Netanyahut.
Çfarë lloj Lindje e Mesme po merr formë, duke pasur parasysh të gjitha këto elemente?
Do të jetë një Lindje e Mesme, në të cilën do të reduktohet gjithnjë e më shumë ndikimi iranian. Në fakt, duhet të mendojmë ndoshta për një projeksion të Iranit drejt zonave të tjera, ndoshta Kaukazit. Me koalicionin e ri në Siri dhe përpjekjet e Ankarasë për të stabilizuar vende të tjera si Iraku, është e sigurt se në Lindjen e Mesme do ketë me siguri një rritje të ndikimit turk.
A do të ruajnë amerikanët ndonjë rol në rajon?
Ata nuk kanë asnjë interes të kenë një prani në terren. Kjo e sotmja, është një Amerikë më “e mbyllur në vetvete”, e prirur të mbrojë kryesisht interesin kombëtar. Trump do t’i shfrytëzojë marrëdhëniet e tij të privilegjuara me liderë të caktuar, si Erdogan dhe Arabinë Saudite. Kjo s’do të thotë se mes Turqisë dhe Amerikës nuk ka probleme. Por për disa çështje, Uashingtoni do të llogarisë mbështetjen e Ankarasë, ashtu si në disa të tjera në atë të Arabisë Saudite.
Lini një Përgjigje