
Në vitin 1989, rumunët paguan me jetën e tyre për t’i shpëtuar diktaturës. Tani ata rrezikojnë të ecin symbyllur drejt izolimit...
Rumania ka jetuar 6 muajt e fundit në një gjendje pezullie. Fitorja tronditëse e një ultranacionalisti të panjohur deri dje, Calin Georgescu, në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në nëntor shkaktoi një krizë kushtetuese. Gjykata më e lartë e vendit i anuloi zgjedhjet, duke përmendur si shkak ndërhyrjen ruse.
Tani, në përpjekjen e dytë për të zgjedhur një president të ri, rumunët përballen me një zgjedhje që mund të ndryshojë fatin e vendit të tyre dhe stabilitetin e kufirit lindor të NATO-s. Më 18 maj, votuesit duhet të vendosin midis trashëgimtarit të Georgescut, George Simion, një 38-vjeçar radikal që drejton Aleancën për Bashkimin e Rumunëve (AUR) të ekstremit të djathtë, dhe Nicușor Dan, kryebashkiakut pro-evropian të Bukureshtit.
41 përqindëshi i votave që mori Simion në raundin e parë të së dielës - shumë më i lartë nga sa parashikuan sondazhet dhe analistët - e bën atë favoritin kryesor. Dan, që siguroi 21 për qind të votave si i pavarur, përballet me një betejë të vështirë për të ngushtuar diferencën.
Rreziqet janë shumë të mëdha. Rumania rrezikon t’i kthejë shpinën rolit komod si një aleate e besueshme e Perëndimit, dhe kjo për shkak të një revolte populiste kundër rendit liberal. Një fitore e Simion, nuk do të përfaqësonte vetëm një ndryshim politik, por do shkaktonte
një krizë ekonomike dhe një riorganizim strategjik, i cili mund të pengonte seriozisht mbështetjen e luftës së Ukrainës kundër Rusisë. Le ta nisim me ekonominë.
Programi i Simion, është një përzierje premtimesh populiste dhe nacionaliste. Ai premton të “rimarrë kontrollin” nga Brukseli, të negociojë kontributet e Rumanisë në buxhetin e BE-së dhe t’i japë përparësi politikave “Rumania e Para”. Këshilltarët e tij, flasin hapur për ndjekjen e “modelit hungarez” të demokracisë “jo liberale”.
Investitorët e huaj, të shqetësuar që pas trazirave zgjedhore të nëntorit, mund të largohen. Monedha kombëtare, lei, mund të bjerë ndjeshëm. Kostot e huamarrjes do të rriteshin, ndërsa tregjet vlerësojnë rrezikun e një krize të borxhit sovran.
Në dallim nga largimi gradual nga normat liberale që u pa në Hungari dhe Poloni, një presidencë e Simion do sillte një shkëputje dramatike. Do të zhdukej çdo shans për të rivendosur rritjen ekonomike, e cila jo shumë kohë më parë ishte në nivelet më të larta në BE.
Do të binte ndjeshëm fluksi i fondeve strukturore evropiane, me vlerë 80 miliardë euro gjatë 7 viteve, sepse Brukseli do të aktivizonte mekanizmin e tij të sundimit të ligjit. Migrimi, që ka larguar 4 milionë rumunë nga vendi që nga anëtarësimi në bllok në vitin 2007, do të përshpejtohej më tej.
Bizneset vendase, veçanërisht në teknologji dhe prodhim, do të zhvendoseshin në vende të tjera më të qëndrueshme. Por pasojat gjeopolitike, do të ishin shumë edhe më të mëdha se ato ekonomike. Rumania ndan një kufi prej 650 kilometrash me Ukrainën - më i gjati midis vendeve të BE-së.
Në portin saj në Konstanca në Detin e Zi, kalojnë miliona ton eksporte drithërash ukrainase. Në Rumani ndodhet baza më të madhe tokësore e NATO-s në krahun lindor të aleancës, teksa ka pritur mbi 100.000 refugjatë ukrainas. Ndërkohë Simion, është zotuar t’i japë fund mbështetjes së Rumanisë për Ukrainën.
Edhe pse ka shmangur lëvdatat e hapura të paraardhësit të tij të skualifikuar për Vladimir Putinin, ai ka bërë thirrje për “neutralitet” dhe e ka cilësuar si “të negociueshëm” integritetin territorial të Ukrainës. Vizioni i tij mbi Rumaninë, përfshin rimarrjen e territoreve të humbura në Moldavi dhe Ukrainë, duke i bërë jehonë irredentizmit që e destabilizoi Evropën në vitet 1930.
Për Ukrainën, pasojat do të ishin të menjëhershme dhe të rënda. Rumania siguron shtyllën logjistike kryesore për ndihmën ushtarake perëndimore që rrjedh përmes korridorit të Detit të Zi. Ajo shërben si rruga kryesore alternative për eksportet e drithërave, kur Rusia i bllokon portet ukrainase.
Një qeveri e Simion ka të ngjarë t’i kufizojë të dyja, duke e shembur potencialisht ekonominë bujqësore të Ukrainës, dhe ndërprerë linjat e furnizimit të NATO-s. Efektet domino do të destabilizonin të gjithë rajonin. Moldavia, që po përballet tashmë me kërcënime separatiste dhe kriza energjitike, do të humbiste aleaten e saj kryesore në BE.
Viktor Orbán i Hungarisë do të fitonte një partner të fuqishëm në fushatën e tij për ta ndryshuar BE-në nga brenda. Ndërsa Putin do ta gjente papritmas të transformuar strategjinë e tij të Detit të Zi, me një fuqi miqësore që kontrollon bregdetin perëndimor. Por aspekti më shqetësues mund të jetë përkrahja e Simion nga votuesit e pakënaqur.
Suksesi i tij në raundin e parë, pasqyron një distancim të madh nga klasa politike rumune, të cilën shumë njerëz e fajësojnë për dështimin në mbylljen e hendekut të zhvillimit me Evropën Perëndimore. Pavarësisht se anëtarësimi në BE sjell një prosperitet të paparë, pabarazia mbetet e theksuar.
Ndërsa Bukureshti krenohet me qendra tregtare dhe qendra teknologjike të shkëlqyera, pjesa më e madhe e Rumanisë rurale nuk ka infrastrukturën bazë. Simion e shfrytëzon këtë pakënaqësi me një qasje populiste. Ai i denoncon udhëheqësit e Rumanisë si “kukulla të Brukselit”, vë në pikëpyetje kërkesat e NATO-s për shpenzime ushtarake dhe kundërshton “tradhtinë” ndaj vlerave tradicionale.
Tubimet e tij shoqërohen me thirrje për tërheqjen e Rumanisë nga kuotat e migracionit të BE-së, dhe kërcënimet për të sfiduar kufijtë e Rumanisë me Ukrainën dhe Moldavinë. Nga ana tjetër Dan përfaqëson gjithçka që Simion kundërshton: qeverisjen teknokratike, integrimin evropian dhe aktivizmin qytetar.
Si kryetar bashkie i Bukureshtit, ai ka luftuar korrupsionin dhe modernizuar infrastrukturën e qytetit që po shkatërrohej. Doktoratura e tij në Sorbonë për matematikë, simbolizon besimin e tij në hartimin e politikave të bazuara në prova, një kontrast shumë i fortë me nacionalizmin emocional të Simion.
Por racionaliteti mund të mos jetë i mjaftueshëm. Simion i ka shfrytëzuar me mjeshtëri mediat sociale duke anashkaluar mediat tradicionale. Videot e tij në TikTok, që përziejnë simbolizmin nacionalist me sharmin populist, shihen nga miliona rumunë. Ai ka shfrytëzuar të njëjtën ndjenjë anti-elitë që e çoi Trumpin drejt fitores dhe Brexit drejt suksesit.
Dy javët e fundit të fushatës, do të përcaktojnë nëse institucionet demokratike të Rumanisë - dhe kufiri lindor i NATO-s - mund t’i rezistojnë këtij sulmi populist. Dan duhet të bindë 50 për qind të votuesve të kualifikuar që qëndruan në shtëpi në raundin e parë, se apatia e tyre mund t'i kushtojë vendit të tyre të ardhmen e tij evropiane.
Ai duhet të artikulojë një vizion bindës reformator, që adreson ankesat legjitime pa e braktisur demokracinë liberale. Për Evropën, zgjedhja e Rumanisë përfaqëson një provë vendimtare. Pasi përballoi sfidat populiste në Francë, Gjermani dhe Holandë, BE-ja nuk luksin të humbë kontrollin e një shteti tjetër kufitar.
Pozicioni strategjik i Rumanisë - ruajtja e krahut të Detit të Zi të aleancës, strehimi i infrastrukturës kritike dhe shërbimi si kamerdare shpëtimi e Ukrainës - e bën orientimin e saj ekzistencial për rendin e Perëndimit pas Luftës së Ftohtë.
Ndërsa rumunët përgatiten të hedhin votat e tyre në raundin e dytë dhe të fundit, ata përballen me një pyetje që shtrihet përtej kufijve të tyre: nëse përfitimet e demokracisë liberale dhe integrimit evropian, e tejkalojnë joshjen e lehtë të izolacionizmit nacionalist.
Përgjigja e tyre do të diktojë jo vetëm trajektoren e vendit të tyre, por edhe të ardhmen e sigurisë evropiane në një botë gjithnjë e më të trazuar. Rruga që do të zgjedhin ata, do të jetë vetëm e Rumanisë, por pasojat e saj do të jehojnë nga Bukureshti në Bruksel, dhe nga Kievi në korridoret e Kremlinit./Përgatiti: Pamfleti
Lini një Përgjigje