TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet2026-06-30 12:01:00

UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 12:00

Shkruar nga Pamfleti

UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 12:00

Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:

"Parlament i krimit"/ Protestuesit rrethuan Kuvendin para nisjes së seancës plenare

Me thirrjet "Parlament i krimit, parlament analfabet", protestuesit nisën grumbullimin para godinës së Kuvendit, aty ku në orën 10:00 nisi seanca e radhës plenare.

Ashtu siç ishte paralajmëruar në protestën e 30-të kundër kryeministrit Edi Rama, qytetarët kanë vijuar edhe sot aksionin e tyre protestues, duke u mbledhur që në orët e para të mëngjesit përpara Parlamentit.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Gjatë tubimit janë dëgjuar gjithashtu thirrje edhe kundër opozitës, si "Opozitë e shitur", "Ju erdhi fundi" dhe "Rama në burg, Berisha në Burg", ndërsa në hyrje të Kuvendit janë parë deputetë të opozitës duke hyrë në godinën ku do të zhvillohet seanca plenare.

Qeveria rishikon ligjin për investimet/ Asnjë tërheqje për Sazanin dhe Zvërnecin

Qeveria do të nisë brenda kësaj vere konsultimin publik për ligjin e ri të investimeve strategjike, i cili pritet të zëvendësojë ligjin aktual që skadon në fund të këtij viti. Pra një lloj tërheqje pas protestave masive.

Sipas ministres së Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, akti i ri do të hartohet në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe do të synojë krijimin e një kuadri të ri për tërheqjen e investimeve.

Duke folur për projektet në Sazan dhe Zvërnec, ministrja sqaroi se për ishullin e Sazanit shteti shqiptar synon të jetë bashkëinvestitor dhe bashkëpronar, ndërsa negociatat me kompaninë zhvilluese janë ende në proces.
Sa i përket projektit në Zvërnec, Ibrahimaj theksoi se ai ndodhet ende në fazën e hartimit dhe nuk ka një variant përfundimtar.

Në konferencë, Ibrahimaj u ndal edhe te situata ekonomike dhe tha se qeveria do të vijojë të monitorojë ecurinë e çmimeve, duke garantuar mbështetje për pensionistët dhe shtresat në nevojë nëse inflacioni do të rritet.
Ministrja e Ekonomisë e cilësoi situatën ekonomike të vendit si të qëndrueshme, duke theksuar se rritja vijon të jetë mbi pritshmëritë.

Sondazhi për qeverinë tranzitore/ 78% e të anketuarve zgjedhin Altin Dumanin për të drejtuar qeverinë tranzitore

Një sondazh i organizuar nga grupi mediatik “Panorama Group” synoi të masë mbështetjen e qytetarëve për emrin që ata do të preferonin në krye të një qeverie tranzitore. Kjo kërkesë po artikulohet prej një muaji në protestat e përnatshme të mijëra shqiptarëve në shesh, të cilët kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie të re. Kjo qeveri me mandat njëvjeçar nga organizatorët e protestës do të përgatisë zgjedhje të lira dhe të barabarta.

Anketimi është bërë në disa qytete të vendit dhe janë pyetur mosha të ndryshme. Sipas rezultateve të sondazhit, 80 për qind mbështesin SPAK dhe 78 për qind e të anketuarve shprehen në favor të ish-kreut të SPAK, Altin Dumani, si kandidati më potencial për drejtimin e një qeverie të tillë. Kjo mbështetje lidhet me perceptimin e një pjese të qytetarëve për punën e tij në luftën kundër korrupsionit dhe ndjekjen penale të zyrtarëve të nivelit të lartë.

Gjatë drejtimit të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani u identifikua me hetime të profilit të lartë ndaj ish-ministrave, ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, si edhe me çështje që lidhen me krimin e organizuar dhe krimin ekonomik. Aktiviteti i SPAK gjatë mandatit të tij u shoqërua me një numër hetimesh dhe kërkesash për masa sigurie dhe arrestime të funksionarëve publikë.

Sipas sondazhit, një nga momentet më të rëndësishme të mandatit të Dumanit ishte kërkesa drejtuar Kuvendit për autorizimin e procedurave që lidhen me ish zv.kryeministren Belinda Balluku. Qytetarët e anketuar e paraqesin këtë si dëshmi të qasjes së tij të vendosur ndaj hetimit të zyrtarëve të lartë, duke theksuar se ai e përfundoi mandatin në dhjetor 2025 pa u tërhequr nga prioriteti i luftës kundër korrupsionit.

"Koka e korrupsionit” në Sarandë?/ Oficeri i policisë Mariglen Basho në qendër të dyshimeve për pazaret e dosjes së IMT-së

Dosja e ndërtimeve pa leje në Sarandë po merr përmasa të reja skandali. Sipas informacioneve të siguruara, ditën e djeshme janë vetëdorëzuar katër punonjës të tjerë të IMT Sarandë, të cilët ishin në kërkim në kuadër të hetimeve për favorizimin e ndërtimeve pa leje.

Dorëzimi i tyre i njëkohshëm ka ngritur dyshime të forta se ata janë paraqitur pranë policisë me bindjen se masa e sigurisë do t’u zbutet dhe se do të dalin të lirë.

Në qendër të këtyre dyshimeve përmendet emri i Mariglen Bashos, djali i xhaxhait të prokurores së çështjes, Esmeralda Basho. Sipas denoncimeve, Mariglen Basho dyshohet se luan rolin e ndërmjetësit në kontaktet dhe pazaret e mundshme për lehtësimin e masave ndaj personave të përfshirë në dosjen e IMT Sarandë.

Rasti ngjan me atë të Irakli Koçiajt, punonjës policie në Ksamil, ndaj të cilit ishte caktuar masa “arrest në burg”, por pas vetëdorëzimit masa iu zëvendësua në “detyrim paraqitje”, me kërkesë të prokurorit.

Pyetjet janë të drejtpërdrejta: kush i garantoi katër punonjësit e IMT-së se do të përfitonin lehtësim mase? Pse Policia dhe Prokuroria e Sarandës heshtën për vetëdorëzimin e tyre? Çfarë roli ka Mariglen Basho në këtë dosje?

Nëse këto denoncime konfirmohen, atëherë skandali nuk është më vetëm te ndërtimet pa leje. Skandali shkon te vetë mënyra se si po menaxhohet drejtësia në Sarandë.

Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00 

edicioni i lajmeve pamfelti

1 Komente

  1. T
    Tony

    Cfare flasin keta qelbesirat e Parlamentit, a jane ne metro? Kujtojne se do vazhdojne akoma te shtypin popullin? A nuk e kuptojne qe do terhiqen zvarre e do u merrene pasurite deri te rrobat e trupit, oret e bizhuterite. Sa per rroba do i kene me te mira e falas ne burg.

    Lini një Përgjigje