
Avokati i Popullit ka reaguar lidhur me pretendimet për përdorim të forcës ndaj protestuesve të ndaluar gjatë tubimit të 2 korrikut para Kuvendit, duke bërë të ditur se deri më tani janë administruar 10 ankesa zyrtare për tejkalim të forcës gjatë ndalimit ose shoqërimit nga efektivët e Policisë së Shtetit.
Sipas njoftimit zyrtar, këto ankesa janë në proces verifikimi administrativ dhe, nëse rezultojnë të bazuara, do të ndiqen sipas kompetencave që i njeh ligji institucionit të Avokatit të Popullit.
Institucioni sqaron se, bazuar në intervistat e zhvilluara deri të premten me personat e ndaluar, asnjë prej tyre nuk ka paraqitur ankesë për ushtrim dhune gjatë qëndrimit në Bllokun e Sigurisë.
Reagimi vjen pas pretendimeve të ngritura nga avokati Gentian Serjani, i cili deklaroi se një protestues që vuan nga epilepsia është dhunuar në Komisariatin nr. 3. Lidhur me këtë rast, Avokati i Popullit njofton se ka angazhuar menjëherë dy ekipe: një për të intervistuar qytetarin në spital dhe një tjetër për të kryer verifikime në Bllokun e Sigurisë.
Sipas institucionit, monitorimi ka nisur që nga dita e parë e ndalimeve. Fillimisht është administruar dokumentacioni për ndalimet dhe shoqërimet, ndërsa më pas ekipet kanë zhvilluar vizita në komisariatet nr. 1, 2, 3 dhe 4 të Tiranës, si edhe në Spitalin e Traumës, ku janë intervistuar personat e ndaluar dhe të lënduar.
Gjithashtu, Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës ka kryer verifikime në Bllokun e Sigurisë në Tiranë, duke intervistuar protestuesit e ndaluar.
Avokati i Popullit bëri të ditur se gjetjet e plota do të publikohen pas përfundimit të procesit të verifikimit.
“Avokati i Popullit ka vepruar pa ndërprerje që nga dita e parë e ndalimeve për monitorimin e të drejtave të protestuesve të ndaluar ose të arrestuar.
Ditën e parë, institucioni ka administruar dhe verifikuar dokumentacionin përkatës të ndalimeve dhe shoqërimeve.
Ditën e enjte, Avokati i Popullit ka kontaktuar personalisht personat e arrestuar, ndërsa ekipet tona kanë qenë të pranishme në komisariatet 1, 2, 3 dhe 4 të Tiranës si dhe në Spitalin e Traumës, ku janë intervistuar personat e ndaluar dhe të lënduar dhe është administruar informacioni i nevojshëm.
Ditën e premte, Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës ka zhvilluar verifikime në Bllokun e Sigurisë në Tiranë, ku janë intervistuar protestuesit e ndaluar.
Deri më tani janë administruar 10 ankesa zyrtare për tejkalim të forcës gjatë ndalimit apo shoqërimit nga ana e punonjësve të policisë. Këto ankesa janë në proces verifikimi administrativ dhe, nëse vërtetohen, do të ndiqen me të gjitha mjetet ligjore që i njeh mandati ynë.
Nga intervistat e zhvilluara deri ditën e premte, asnjë prej personave të ndaluar nuk ka paraqitur ankesë për ushtrim dhune gjatë qëndrimit në Bllokun e Sigurisë.
Këtë të shtunë, pas një pretendimi për ushtrim dhune ndaj një qytetari brenda ambienteve të bllokut të sigurisë, Avokati i Popullit ka angazhuar menjëherë dy ekipe: një ekip do të intervistojë qytetarin në spital, ndërsa një ekip tjetër do të zhvillojë verifikime në Bllokun e Sigurisë.
Avokati i Popullit do të bëjë publike gjetjet e plota me përfundimin e verifikimeve”, thuhet në njoftim.
Lini një Përgjigje