
Paqëndrueshmëria atmosferike ka përfshirë jugun e vendit, duke sjellë erë të fortë dhe reshje shiu në disa zona bregdetare, ndërsa moti i keq ka ndikuar edhe në aktivitetin turistik. Në zonën e Rradhimës, pushuesit janë detyruar të lënë plazhet për shkak të erës së fortë, e cila ka vështirësuar qëndrimin në bregdet dhe ka ndryshuar ndjeshëm kushtet atmosferike.
Pas një periudhe të gjatë me temperatura të larta dhe mot të kthjellët, reshjet e shiut, të shoqëruara me erë të fortë, kanë përfshirë qytetin e Vlorës dhe disa fshatra të qarkut.
Situata më problematike është regjistruar në zonën e Lumit të Vlorës, veçanërisht në fshatin Vranisht, ku moti i keq është shndërruar në furtunë. Sipas të dhënave paraprake, era e fortë ka shkaktuar dëme në pemëtari, ndërsa janë dëmtuar edhe tenda dhe çatitë e disa ambienteve të restoranteve.
Ndërkohë, reshje intensive shiu kanë përfshirë edhe Himarën, duke bërë që shumë pushues të largohen nga plazhet dhe të ndërpresin aktivitetet e tyre në bregdet. Deri më tani nuk raportohen persona të lënduar, ndërsa autoritetet pritet të vlerësojnë dëmet e shkaktuara nga kushtet e pafavorshme atmosferike.
Lini një Përgjigje