TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi19 Mars 2026, 15:17

Çmimi i naftës rritet çdo ditë, arrin në 214 lekë për litër

Shkruar nga Pamfleti
Çmimi i naftës rritet çdo ditë, arrin në 214
Foto ilustruese

Çmimi i naftës në tregun vendas arriti këtë të enjte në 214 lekë për litër, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me nivelet e para krizës, kur shitej nga 173 deri në 175 lekë për litër.

Që prej nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme më 28 shkurt, pasojat janë reflektuar edhe në Shqipëri, ku çmimi i hidrokarbureve ka vijuar të rritet. Pikat e tregtimit me shumicë në kryeqytet kanë ndryshuar vlerat e shitjes, duke kaluar në nivele dukshëm më të larta se ato të javëve të mëparshme.

Shtrenjtimi i naftës vjen vetëm 24 orë pasi kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me furnizuesit e karburanteve për të diskutuar ndikimin e krizës globale në tregun vendas. Një ditë më parë, Rama deklaroi se çmimi i naftës në bursa është rritur me rreth 40 për qind, ndërsa theksoi se, sipas tij, rritja në Shqipëri ka ndodhur në mënyrë më të moderuar.

Rritja e mëtejshme e çmimeve të hidrokarbureve lidhet me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, ku tensionet mes Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë sjellë luhatje të forta në bursë. Sipas raportimeve, objekt i sulmeve kanë qenë edhe infrastrukturat e prodhimit të lëndëve djegëse, faktor që ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimit të naftës.

Në këto kushte, tregu vendas po përballet me një valë të re shtrenjtimi, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kjo rritje do të jetë e përkohshme apo do të reflektohet edhe në ditët në vijim në çmimet për konsumatorët.

nafta cmimi

Lini një Përgjigje