Pozita dhe opozita u përfshinë në debate, gjatë seancës plenare, lidhur me çmimin e karburanteve në Shqipëri, ndërsa mazhoranca rrëzoi një projektligj të paraqitur nga opozita, përmes të cilit propozohej ulja e taksave, që konsiderohen si shkaku kryesor pse sot në vend, çmimi i naftës është më i lartë se ai në vendet e Rajonit.
Në prezantimin e projektligjit “Për mekanizmin e reagimit të krizave të furnizimit dhe çmimit të lëndëve djegëse’”, deputeti Eno Bozdo tha se Shqipëria duhet të bëjë ndërhyrje ligjore për uljen e taksave që rëndojnë sot në çmimin e naftës.
Ndërsa kërkoi që ky projektligj të futej në rendin e ditës së punimeve të Kuvendit, Bozdo tha se Shqipëria sot nuk ka asnjë rezervë dhe qytetarët sot blejnë naftën më shtrenjtë se gjithë vendet e rajonit, krahasuar me Kosovën dhe Maqedoninë.
“Shqipëria nuk zotëron asnjë gramë naftë rezervë të sigurisë strategjike. Kryeministri pretendon të kundërtën. Jemi ndoshta i vetmi vend që s’kemi një rezervë të tillë, edhe pse legjislacioni e ka me detyrim. Qeveria nuk e ka vënë ujin në zjarr dhe kjo ndodh gjithmonë. Në këtë pikë, lutemi që kriza mos të thellohet dhe mos të marrë ndonjë urdhër për lirimin e rezervave të naftës, që dihet të jenë 90 ditë, ndërsa sot janë 0 ditë. Të gjitha vendet e tjera të rajonit i kanë këto rezerva”, tha ai.
Në vijim deputeti demokrat deklaroi se projektligji ofron mundësinë, hap derën për ndërhyrje ligjore në raste krizash, që i lejon qeverisë të shoqërojë uljen e taksave që rëndojnë në çmimin e naftës, si ajo e qarkullimit që qytetarët e paguajnë dy herë, ose ndryshe taksa e karbonit, duke e bërë çmimin e naftës shumë të shtrenjtë.
“Nëse i eliminojmë këto taksa, do të mund të krahasohemi me Maqedoninë dhe Kosovën. Këto vende pa det e tregtojnë naftën 30-40% më lirë.
Një tjetër mekanizëm që sjell projektligji është ai që të implementohet modeli i akcizës së lëvizshme që përdoret sot nga Italia.
Çdo tepricë e TVSH-së që vjen nga rritja e krizës, që derdh më shumë para të pamerituara në arkë, shkon për të ulur akcizën në të njëjtën masë. Ky mekanizëm merr në dorë menaxhimin e reserves”, tha Bozdo.
Në anën tjetër, Taulant Balla, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, ka kërkuar argumente shtesë sepse Kuvendi duhet të përfshijë diskutimin e këtij projektligji në mënyrë të përshpejtuar.
Gjithsesi Balla ka lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me opozitën, por shtoi se kjo nuk mund të realizohet me gërdufje dhe molotovë.
“Këtu në vend që të arsyetohej kërkesa e 36 deputetëve për arsyet e procedurës së përshpejtuar, u bë politikë e ditës mbi një fakt që është botëror.
Ftesa përsëri është e hapur që nëse doni të punojmë së bashku, bujrum, por jo me këtë përsëri se nuk gjej fjalë më të bukur shqip se gërdufja, pa gërduf, pa molotovë, pa dhunë”, tha Balla.
Lini një Përgjigje