
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që të mbajë të pandryshuar normën e interesit të lekut, në 3.25 për qind.
Ndërkohë të pandryshuara do të mbahen edhe norma e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 4.25% dhe norma e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 2.25%.
“Këshilli Mbikëqyrës vëren se qëndrimi aktual i politikës monetare është konsistent me pritjet tona në skenarin bazë”, deklaroi Gent Sejko, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.
Megjithatë vala e krizës së çmimeve ende nuk është tërhequr, deklaroi Sejko i cili paralajmëroi për rritje të interesave në vijim.
“Këshilli thekson se mbetet i gatshëm të vijojë procesin e normalizimit të qëndrimit të politikës monetare nëse kjo masë do të konsiderohet e nevojshme për kontrollin dhe stabilizimin e çmimeve”, tha ai.
Ndonëse jo me ritmet e dy viteve të fundit, Banka Qendrore pret që ekonomia e vendit të vijojë të zgjerohet. Guvernatori Sejko tregoi edhe se ku mbështeten këto pritshmëri.
“Ekonomia shqiptare do të vijë në rritje e nxitur nga zgjerimi i mëtejshëm i konsumit, investimeve dhe eksportit të shërbimeve. Rritja ekonomike do të ushqehet nga bilancet likuide të bizneseve dhe familjeve shqiptare si dhe kreditimi”, përfundoi ai.
Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, inflacioni po vijon të mbesë në nivele të larta kryesisht për shkak të çmimeve të larta të karburanteve dhe qirave.
Lini një Përgjigje