Takimi nuk ishte rekomandues si herët e tjera, por me nota të ashpra e detyra që duhen bërë patjetër, të cilat ministri i Financave, si shefi që ka çelësat e buxhetit të shtetit, duhet t’i zbatojë duke refuzuar urdhrat e padrejta, qokat dhe aventurat miliona Euro të kryeministrit...
Kriza financiare e buxhetit dhe borxhi i jashtëm e brendshëm, që po shtohet për shkak të politikave “piramidale” e shkatërruese të qeverisë me evazion fiskal e shpenzime pa produkt, ka detyruar Fondin Monetar Ndërkombëtar të takohet me ministrin e ri të Financave, Ervin Mete, për t’i dhënë fund katrahurës së ministreve Denaj- Ibrahimaj, të cilat kanë drejtuar me urdhër politik e skenarë personalë të kryeministrit.
Në takimin e datës 3 tetor me shefin e FMN për Ballkanin Perëndimor, Sebastian Sosa; Ministrit të Financave, Ervin Mete iu kërkua të zbatohet paketa stabilizuese e financave të Shqipërisë, që i kanë lënë si detyrë FMN, Banka Botërore dhe Banka Qendrore Europiane në janar 2020, por që është shpërfillur nga qeveria shqiptare dhe dy ish-ministreshat.
Ky takim nuk ishte rekomandues si herët tjera, por me nota të ashpra e detyra që duhen bërë patjetër, të cilat ministri i Financave, si shefi që ka çelësat e buxhetit të shtetit, duhet t’i zbatojë edhe duke shpërfillur urdhrat e padrejta apo aventurat financiare të kryeministrit.
Përfaqësuesi i FMN, duke parë falimentin e financave shqiptare ka kërkuar që këtej e në vazhdim, ministria të zbatojë platformën rehabilituese në menaxhimin e të ardhurave të brendshme, shpenzimet dhe efiçencën e kredive të huaja për destinacionin e caktuar.
Si mundësi për stabilizimin financiar të buxhetit, ekonomisë dhe detyrimeve e shërbimeve të brendshme publike, Fondi Monetar Ndërkombëtar i dha 3 ultimatume ministrit Ervin Mete:
- Rishikimi, ri-llogaritja dhe ri-përcaktimi i vlerave të PPP-ve aktuale, mbështetur në kostot kontratave ekzistuese, që janë 80-120% më të larta se kostot reale.
- Anulimi i financimit të 7 PPP-ve të reja me vlerë 245 milionë Euro gjatë vitit 2024; dhe bllokimi i rinovimit të 4 PPP-ve ekzistuese e 16 koncesioneve, si dhe mbledhja e të ardhurave me skemën: “Taksa-Tarifa-Pagesë Fitimi në Shtet”, për 93 kontratat “1 Euro” që nuk po taksohen.
- Pakësimi me 30% në total, punonjësve të administratës qendrore e lokale dhe të kompanive buxhetore shtetërore, që në 7 vitet fundit, janë shtuar mbi limitin numerik të dakortësuar me FMN; si dhe ulja e shpenzimeve administrative, që është 50% më tepër së në vitin 2017.
A do ketë guxim ministri i ri, të zbatojë këto ultimatume duke i bërë bllokazh PPP-ve, refuzuar qokat e aventurat financiare miliona Euro të Edi Ramës, me shpenzime administrative kolosale, trefishim të administratës, faljet fiskale për oligarkët e bizneset klienteliste?
Apo si ish-ministreshat Anila Denaj e Delina Ibrahimaj, do t’i bindet Bablokut dhe do shpërfill rekomandimet e FMN, BB, duke thelluar krizën që ka mbërthyer buxhetin e shtetit?/Pamfleti
Lini një Përgjigje