
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha se kursi i këmbimit valutor po normalizohet, ndërsa thekson se do të mbetet subjekt i luhatjeve në periudhën afatshkurtër.
Sipas Guvernatorit Gent Sejko, ekonomia do të vijojë të rritet gjatë periudhës në vijim ndërsa inflacioni do të kthehet në objektiv rreth mesit të vitit 2024.
Po ashtu, Sejko tha se Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.00%; të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 4.00% dhe të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 2.00%.
“Pas një forcimi të shpejtë në periudhën maj – korrik, kursi i këmbimit të lekut është stabilizuar në periudhën gusht-shtator, duke gjetur një ekuilibër të ri rreth niveleve aktuale. Kjo ecuri sugjeron se ndërsa përmirësimi i bilanceve të huaja të ekonomisë shqiptare dikton një sjellje të kahut forcues të lekut në periudha afatmesme e afatgjata, tregu valutor ka qenë dhe do të mbetet subjekt i luhatjeve afatshkurtra. Për këtë arsye, të gjithë operatorët e tregut valutor duhet të jenë të kujdesshëm në aktivitetin e tyre, duke shmangur marrjen e ekspozimeve të panevojshme ndaj rrezikut të kursit të këmbimit.
Përditësimi i parashikimeve le të pandryshuar pritjet tona për të ardhmen.
Projeksionet e skenarit bazë sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet gjatë periudhës në vijim, ndërsa inflacioni do të kthehet në objektiv rreth mesit të vitit 2024. Në periudhën afatshkurtër, një ritëm më i moderuar i rritjes ekonomike pritet të sjellë një ecuri më të balancuar të kërkesës dhe ofertës për mallra e shërbime, duke ndihmuar reduktimin e presioneve të brendshme inflacioniste dhe stabilizimin e çmimeve gjatë vitit të ardhshëm. Më tej, në periudhën afatmesme, ritmi i rritjes ekonomike pritet të vijë drejt normalizimit, në linjë me potencialet prodhuese të vendit.
Ky skenar parashikimesh faktorizon pritjet tona për një ecuri të ngadaltë, por gjithsesi pozitive, të ekonomisë së Eurozonës, pritjet për reduktim gradual të inflacionit në ambientin e huaj, si dhe pritjet për një ecuri të qetë të ekonomisë dhe të tregut financiar shqiptar.
Në të njëjtën kohë, përditësimi i analizës dhe parashikimeve sugjeron një profil më neutral të balancës së rrezikut.
Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:
të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.00%;
të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 4.00%;
të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 2.00%.
Këshilli Mbikëqyrës vëren se kjo vendimmarrje ndihmon në krijimin e kushteve të përshtatshme monetare për kthimin e inflacionit në objektiv gjatë vitit të ardhshëm. Gjithashtu, ajo është konsistente me kahun konsolidues, aktual e të pritur, të politikës fiskale si dhe me kahun forcues që ka ndjekur ecuria e kursit të këmbimit gjatë vitit 2023.
Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve në vend. Në këtë kontest, ai thekson se mbetet i gatshëm të vazhdojë procesin e normalizimit të qëndrimit të politikës monetare, nëse kjo masë do të konsiderohet e nevojshme për garantimin e stabilitetit të çmimeve”, tha Guvernatori Sejko.
Lini një Përgjigje